Kur u hap kufiri shqiptar

Kufiri ishte thyer në jug në mesnatë. Në fillim u tha se ishin shpërthyer telat e kufirit, pra ajo pjesë e telave që ishte mbërthyer dhe që quhej klon ishin vënë nën këmbë dhe ishin shtrirë sheshit në jug të vendit nën llohën e dimrit. Përqendrimi u bë epiqendra e gjithë shtetasve. Nga kufiri lajmet mbërrinin më të zeza se sa moti dhe lloha e atij dimri ndryshimi. U tha se ishte vrarë një djalë, ndërsa në mesnatë erdhi një haber i këtillë, ishte vrarë një djalë nga Bolena në kufi, ishte hedhur në dëborë dhe thuhej se ushtari ishte lavdëruar, ndërsa ishte transferuar. Habere të kësaj natyre nxinin në dy-tri ditë dhe sidomos kur në kryeqytet ishte formuar opozita e vendit. Në ditët që pritej përcjellja e vitit erdhi një urdhër alarmant. Brigada speciale që përbëhej nga djem me arsim të lartë kërkoheshin të dërgoheshin në jug, ku ikjet ishin masive dhe regjimi për të treguar patriotizmin e tij thirri nën urdhër besnikët e tij, me pretendimin se zbrazja e fshatrave do tu mundësonte grekëve ardhjen e tyre. Madje, komanda e brigadës kishte nxjerrë korrierët specialë, që nxitonin derë më derë. Urdhër ushtarak, ka filluar mobilizimi. Është e çuditshme se si përcillej ky lajm nëpër dyert e ftohta në ditët e para të janarit. Na prisnin ca “Zila” ushtrie dhe pajisjet ushtarake. Bënte ftohtë, gjithandej binte shi gjilpëre ose dëborë. Kudo fshatra të shkretë. “Zilat” e ushtrisë zunë rrugën e lumit të Vlorës, për të dalë më shpejt në Borsh, një fermë nga ato të kohës, që ndodhej në udhëkryq rrugësh, rruga e bregdetit dhe ajo e luginës së lumit. Ca plaka na folën gjithë dhembshuri: Ku shkoni djem të nënës? Keni ftohtë, mbroni kufijtë tanë mos të na marrin. Kështu na përcollën në fshatrat e Lumit. Kur dolëm në fshatrat, që shtriheshin në zonën e bregut, ca burra na shikonin me zemërim: Çdoni me armë? Ku veni, do të vrisni vëllezërit tuaj? Dhe më tej në Shën Vasil: Çbëni more, ku i dërgoni rezervistët të vrasin njeri-tjetrin? Shprehjet e tyre në fytyrë pasqyronin urrejtjen kundër regjimit që ishte shkaku më i madh i kësaj braktisje të panjohur deri atëherë në historinë tonë.

“Zilat” francezë qëndruan në Qafë Gjashtë. Bënte shumë ftohtë dhe shiu rrëshqiste qelqeve. Pritej një urdhër nga Tirana. Rezervistët u lanë në rrugë deri në mbërritje të urdhrit. Urdhri erdhi më vonesë. Ndoshta rreth nëntë orë nga mbërritja dhe qëndrimi në Qafë Gjashtë. U sistemuam në ca depo të braktisura të ushtrisë, duke na dhënë ca dyshekë ku u shtrimë në shesh të pagjumë me ajrin e ftohtë që depërtonte nga dritaret pa xhame. Në mëngjes urdhri ishte i tillë; tre rezervistë do të shkonin me armë për të penguar ikjet në kufi. Do të ishin në formë patrulle ushtarake. Dhe do të ndërroheshin si në të gjithë shërbimet e tjera. Urdhri për patrullën ishte i qartë, mos kërkoni të ikni, se urdhër lufte dhe ndëshkimi është me gjyqin ushtarak tradhti ndaj atdheut. Ne qëndruam në godina, deri sa u kthye patrulla nga shërbimi. S’kishin mundur të bënin asgjë. Kishte shumë ikje, patrulla jonë kishte nxjerrë armët, por ata që iknin i shikonin shtrembër dhe u flisnin mos bëni gomarllëqe dhe qëlloni nuk mbrohet kështu kufiri. Patrulla tjetër tha se kufirin e kishte shumë më afër. Ishte atje tej, sikur të shikoje diellin pas qelqeve, një udhë që ishte bërë vazhdë në ndërrimin e moteve. Kishin kthyer vetëm një djalë fshati. Ai dukej i trembur. Mund të kaloj,- u tha? Jo,- i tha patrulla. Çfarë mund të bëjë? Kthehu pas, në e do atdheun tënd. Na pa në sy. Nuk e tradhtoj vendin tim, ndonëse kam gjithë natën që bëjë udhë. U kthye ky, ishte i pari që ribëri udhën drejt tokave të vendit të tij. Patrulla e orës 20:00 e kishte më pisk. Kishte shumë djem që ishin afruar në grup. Ju kanë sjellë ju lebrit, që të na mbani me zor. Patrulla s’ktheu përgjigje. Ata filluan provokimin flisnin ashpër: mutër, hapeni rrugën. U dëgjua një lëvizje llozi. Era fishkëllente. Asgjë nuk ngjau. Tuma ktheu rrugë. Kthimi i tyre ishte i prerë, siç duket kërcitja e armës i trembi. Ishin rrëzuar në atë dimër kufoma jetësh dhe streha e tyre mbeti bardhësia e dëborës, ku u kallën përkohësisht. Pas kësaj mynxyre nxirreshin lajmet kryesisht netëve pas mesnate kur bëhej morti që kishte zënë të varfrën shtëpi. Sa u rrëzuan atij dimri shtigjeve nëpër Gramoz në dimër, në dëborë, nën jatakun e bardhë rrëzuar pabesisht, ikur padrejtësisht me të vetmin synim të shpëtonin nga regjimi.

Netëve na tregonin se nuk kishte më të vrarë. Armët do të mbaheshin me vete, por pa fishekë.  Ç’e duam armën pa fishekë, u revoltua patrulla e pasdites, kështu është urdhri u thanë oficerët. Në fshatrat pranë me pamë një situatë të tensionuar. Njerëzia mbyllej brenda shpejt thuajse edhe gjithë ditën. Dukeshin kështu tymtarët, që lëshonin tym nga dërrasat që i merrnin në fermë. Copëra rrobash në një lagje të vjetër. Dëgjoheshin lajme të kobshme në TV. Na thoshte patrulla që kthehej. Si ishte gjendja? Keq e mos më keq. Turma të tëra që mbërrinin në çdo anë për të ikur në shtetin fqinjë. Një mbrëmje, patrulla solli një lajmë që na bëri të shpresonim. Ishin kthyer gashtë vetë. “U gënjyem,- thanë,- nga reaksioni. S’kishte asgjë siç menduam. Mezi gjetëm bukë, na çuan në ca kapanone të ftohtë ushtarësh, na thanë të lanim kaparonin. Nuk kishte qejf,  as vajza të bukura vetëm ushtarë dhe një prift, që na shpërndante ndihmat. Kur i pyetëm për lefta na u shprehën allvanos kampi, kampi, pra do të qëndronim gjatë nëpër kampe, më mirë të kthehemi në vendin tonë”. Ardhjen e këtij grupi i detyroi oficerët që të kërkonin TV ti intervistonin, mirëpo TV nga Tirana nuk erdhi, djemtë pritën erdhën edhe të nesërmen dhe nuk u dukën më, në çdo mendim u përpi fjala mashtrim. Copëra gjithçkaje, të lëna pas, copëra gjithçkaje, gjithçka në copëra. Pengimet po bëheshin më të vështira. Patrullat tashmë shkonin vetëm me armët e boshatisura në supe, mirëpo ata që iknin nuk e mësuan kurrë se patrulla e kufirit kishte armë pa fishekë. Në fillim u mendua se mos do të kishte ndonjë agresion nga vendi fqinjë, gjë që s’mund të bëhej fjalë, por më vonë këto fjalë të përhapura nga oficerët, që tashmë po shikonin në horizont zvenitjen e punës së tyre, rënien e rolit të tyre dhe se shteti do të futej pas kësaj një reforme të thellë, kuvendet e punës në këtë zanat ushtari do të binin shpejt dhe vrullshëm. Edhe patrullat e tjera sillnin po ato habere. Erdhi haberi më i rëndësishëm për ne, pas një jave shtrëngimi në Qafë Gjashtë, kthimi nëpër banesat tona sepse misioni kishte përfunduar. Një grup shkoi dhe vodhi portokalle me thes në kodrat e gjelbërua. Ikja jonë u krye natën dhe ne fshehtësi. Misioni i dështuar. Ata kishin varur kokat nëpër sediljet e hekurta dhe dremitnin, kishin kaluar ditë. Një pjesë ende mendonte se regjimi ishte i fortë dhe kjo i shtynte ata të llafoseshin me zë të lartë. Ishin të pashkollë , por që në atë regjim kishin bërë çfarë u kishte dashur qejfi dhe një serë privilegjesh si familje dëshmori, apo diçka të përafërte me të. Nuk kishin mundësi për të ndryshuar. Silueta e tyre përshkoi kaq orë udhëtimi në rrugën e paasfaltuar të lagur nga shiu i dimrit. Ku ishit nisur me armë luftarake, na thanë kur mbërritëm? Në një luftë që nuk ja dinim mirë emrin? Vetëm me mëndje dhe fytyra të mpira. Pa fuqi arsyetimi të lodhur prej dhimbjes . Me mision të kryer. Risit e zonës tonë nuk ndryshuan edhe për ikjen tonë në kufi në atë dimër: “Burrat që ishin burrë nuk iknin nëpër natë /latë fshatrat edhe gratë në të pabesë o të zesë……”.

SHKARKO APP