“Kur zihen elefantët, ai që e pëson është bari”
Nga Albert Vataj
Në kontekstin rrethanor të kësaj maksime do të rrekem të bëj një panoramë të asaj që kaploi pafajësinë e qytetarët e një përkatësie administrative, e cila një ditë më parë festoi 95-vjetorin si kryeqytet. Dy gra të moshuara, mbi të cilat më shumë se vitet u rëndojnë rrobat, mbështetur tek njëra tjetra hiqen zvarrë rrugën për të sosur diku mes vajtje-ardhjeve të kalimtarëve. Pak hapa më tutje, një grua me një fëmijë në krah dhe një tjetër përdore, ecën me nxitim e turfullon, do Zoti nuk e ka me fëmijët, që me gjithë zgjimin e herët e tërbimin e nxitimit për tu bërë gati, u duhet të përballojnë edhe të ftohtin. Në semafor një burrë i shkuar në moshë me njërën dorë mban një trastë të rëndë, në tjetrën ka një nipçe që e çon në shkollë. Para tij me një hare që sfidon apatinë rretheqark, një tufë fëmijës me çanta pothuajse sa shtati i tyre, që u zvargen pas shpine, presin dhe sapo e gjelbra shkel syrin, vërshojnë për në anën tjetër turravrap. Në stacionin e autobusit një vajzë e re dhe një grua, të cilët duket qartë se nuk ia kanë haberin se çfarë u shkrepur në mendje ca dallaveraxhinjve që bëjnë politikë me hallet e njerëzve, presin më kot teksa gozhdojnë me shikim shtegun nga duhet të vijë autobuzi. Në horizont përmes një dielli që shterron nga cerga e këtij dimri që nuk do të ikë, pahen trumba-trumba njerëz që ikin e vijnë, përshkojnë në këtë anë e në tjetrën rrugën. Të gjithë nxitojnë. Jo më pak me ngut e ka edhe trafiku i rënduar i rrugës, ku të vetmet objekte që i mungojnë këtij dekori janë autobuzët e shërbimit urban, sebepi i telashit që u mbivendoset njerëzve që jetojnë në këtë qytet.
Mediat, dhe nëpërmjet tyre ca personazhe që përfaqësojnë hallkat sindikale të punonjësve të transportit urban, pas një bojkoti 3-orësh të një dite më parë, bënë me dije përshkallëzimin e protestës me refuzimin total të këtij shërbimi, dje.
Dje nuk ishte ndonjë ditë solidariteti, për mbrojtjen e mjedisit, apo për ruajtjen e parametrave fizike të shëndetit, as për të protestuar ndaj një shërbimi cingëritës nervash, apo ndaj ndonjë apoteoze që kërcënon. Jo, dje, fatin i mbi 700 mijë banorëve të kryeqytetit, prej të cilëve gjysma janë të prekur drejtpërdrejtë, e vendos një mosmarrëveshje që vijon të përdoret si mollë sherri mes institucioneve. Nuk është fjala vetëm për ngritjen në masën 125% të çmimit të biletës së shërbimit urban, as për pagesat e prapambetura të shërbestarëve të këtij shërbimi, ajo që ka degdisur të dyndjen rrugëve si pelegrinë, qindra e mijëra njerëz të gjithë grupmoshave. Tjetërkund fshihet lepuri i kësaj maskarade solidariteti për grevë, tjetërçka struket nën petkat e bajatosura të kësaj përplasjeje, tjetërqysh duhet të lexohen pretekstet e Shoqatave të Transportit Urban dhe tërsëllimës së të ashtuaujturish krerë sindikal, të cilët nxitojnë të shpengojnë ligjërimet e tyre të udhëzuara, para kamerave.
Vendimi i qeverisë, i paradokohshëm, saktëson se çmimin e biletave për transportin urban duhet ta përcaktojë pushteti vendor, duke ia lënë këtij të fundit kompetencat për ndryshimin e çmimeve të këtij shërbimi dhe “hequr nga vetja” në njëfarë mënyre mundësinë e përplasjes me operatorët që e ushtrojnë këtë aktivitet. Ja ku arrijmë në zgjidhjen e një pjese të rebusit, pas të cilit zhagitet kjo panoramë hekakeqe e njerëzve që nxitojnë të mos mbesin pas dyerve të punës dhe pas kangjellave të shkollave. Pjesë e këtij mozaiku është edhe vetë përplasja grupimeve që përfaqësojnë mbrojtjen e interesave të punonjësve të shërbimit urban. Me gjasë, pazaret dhe ujdisjet ndërmjet tyre nuk kanë patur të njëjtin fat solidariteti, siç kishte nxitimi për të ndërprerë një shërbim shumë jetik për kryeqytetin.
Presidenti i Sindikatës së Transportit, Gëzim Karanxha, paska pohuar për mediat se protesta duhet të bëhet mbi bazën e disa kritereve, sepse ka edhe mjekë që duhet të shkojnë në punë. “Shërbimet urbane janë kthyer në gangrenë në Tiranë dhe vetëm shërbim urban që nuk mund të quhet”, ka shtuar ai. Sipas tij, nuk ka asnjë në vend të botës që shërbimi urban të menaxhohet nga privati. “Kundërshtoj plotësisht ngritjen e çmimit të biletës, ka disa punonjës që kanë 6 muaj që s’kanë marrë pagat e këto janë për t’u diskutuar, por nuk duhen protesta për çmimin e biletës”,- i ka vënë kapak Karanxha.
Ata që kanë fituar në këtë përballje, janë ata që kanë finalizuar protestën, e cila ishte paralajmëruar me një ndërprerje 3-orëshe të transportit urban dhe përshkallëzuar me 24-orëshen e djeshme. Ajo është Federata e Sindikatës së Pavarura të Punonjësve të Transportit, e cila kishte kërkuar më herët rritjen e pagës së punonjësve, që sipas kreut të saj, Zija Hasanaj, bëhet e mundur vetëm përmes rritjes së çmimit të biletave të autobusëve. Ngërçin me Bashkinë për të përmirësuar pagën e 400 punonjëse të shërbimit urban, duket se e fusin në një spirale keqkuptimesh dhe mosmarrëveshjesh, deri tek lënia pezul e zgjidhjeve, pushteti paralel i të ashtuquajturave shoqata.
Ndërkaq, kundër kësaj proteste ka dalë Shoqata e Shërbimit të Transportit Urban, ku kreu i saj Ervin Shijaku ka paralajmëruar edhe një takim që do zhvillohej në 11:00 të ditës së djeshme për të evituar ndërprerjen 24-orëshe të shërbimit urban. Sipas tij, çështja e protestës së shërbimit urban është një çështje e koklavitur, pasi janë krijuar një sërë shoqatash dhe sindikatash, të cilat nuk kanë një gjuhë të përbashkët mes tyre. “Qëllimi i takimit është që të evitohen protestat” ka nënvizuar ai, por pa mundur ta ndal këtë ekstremizim të protestës.
I mundur ose jo, për t'u përballur me të sotmen, të mbetet vetëm hiqja zvarrë rrugëve që të sosin në destinacion, atje ku ta mundësonte çdo ditë ky shërbim, kjo krijesë ankimtare dhe e paaftë, ky organizëm apendiks, në trupin e drobitur të një kryeqyteti që hiqet zvarrë mes hallesh të pafund e absurdit në absurd.
E nisën me nxitim, e vazhduan me ngut dhe e mbyllën me pezëm, dje ditën kryeqytetasit, ata që ranë jo dhe aq viktimë e një maksime sesa e një tollovie dhe dallaveresh mes palësh.