“Kurum” shpëton nga falimentimi
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi administrimin e kontrolluar deri në riorganizim për kompaninë “Kurum” e cila operon në disa sektorë të rëndësishëm në vendin tonë, që nga metalurgjia e deri tek energjetika.
Përfundimisht, mbikëqyrëse e do të jetë adminstratorja publike Lindita Kikino, e cila do ta drejtojë kompaninë deri në riorganizimin total.
“Autorizimin e debitorit, të administrojë dhe disponojë pasuritë e masës së falimentit nën kontrollin dhe mbikëqyrjen e administratores së parlamentit. Emërimi në statusin e mbikëqyrësit të Lindita Kikinos, ngarkohet debitori në hartimin e planit të riorganizimit”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Vendimi i gjykatës e shpëton “Kurum” nga falimentimi total dhe kjo në fakt ishte dhe kërkesa e kompanisë.
Riorganizimi konsiston në rinegocimin e huave me kreditorët. Sa do të zgjasë ristrukturimi i kredive nuk dihet, por janë rreth 135 milionë euro detyrime që “Kurum” ka ndaj disa institucioneve financiare ndërkombëtare dhe bankave shqiptare.
Gjatë kësaj kohe, çdo procedurë përmbarimore pezullohet, ndërkohë që puna do të vazhdojë normalisht.