Kush e zotëron ekonominë shqiptare? Vetëm 1% e kompanive kryejnë 50% të xhirove

 

Vetëm 1 për qind e bizneseve në vendin tonë kryejnë gati gjysmën e aktivitetit tregtar në ekonomi.

Janë korporatat e mëdha, kryesisht private, por ndërmjet tyre ka dhe shoqëri publike si OSHEE, KESH apo Albpetrol.

Sipas INSTAT në vitin 2014, Shqipëria numëronte 864 ndërmarrje gjithsej me më shumë se 50 të punësuar. Në totalin e numrit të bizneseve aktive, këto ndërmarrje zënë vetëm 1 për qind. Por fuqia e tyre ekonomike është e jashtëzakonshme.

INSTAT vlerëson se vitin e kaluar 864 ndërmarrjet më të mëdha të vendit, realizuan 44,5 % të shitjeve totale neto në ekonomi. INSTAT nuk jep detaje se në çfarë fushash janë të përqendruara kryesisht këto korporata. Por të ndara sipas aktivitetit, pjesa më e madhe e tyre janë në sektorin e prodhimit.

Të dhënat tregojnë se krahas dominimit absolut të shitjeve, këto biznese janë dhe investitorët  më të mëdhenj të ekonomisë. Sipas anketës , vitin e kaluar vetëm 1 për qind e bizneseve të mëdha kryen rreth 64 për qind të totalit të investimeve në ekonomi, përjashto ato që vijnë nga buxheti. 

Tendenca e shifrave është e qartë. Ashtu si kudo, edhe në ekonomi ka gjigant. Superstruktura financiare, private apo publike, në të cilat është duke u përqendruar një pjesë gjithmonë e më e madhe e aktivitetit ekonomik.  Në fakt dominimi ekonomik i korporatave është një tendencë globale.

Një raport i Bankës Botërore në vitin 2009 gjeti se ndër 100 entitetet ekonomike më të mëdha të botës, 53 janë shtete, 35 të tjerë janë qytete dhe 13 janë korporata private. Disa gjëra vetëm rriten.

SHKARKO APP