Kush i fik dritat në Ministrinë e Drejtësisë?

-Aman, më qafsh, për njeriun e paditur, vërtet s’ka gjë më të mirë se heshtja? Sepse nganjëherë edhe gjuha shëron, por ama edhe të rrëzon. Apo t’i vëmë kapak muhabetit, duke dëgjuar urtësinë e moçme: “Po ta dinte ai këtë të vërtetë, nuk do të ishte i paditur”…Edhe për ne të gjallët, nuk mjafton t’i mbajmë vath në vesh dhe as të kënaqemi thjesht me folenë hipokrite ku shullëhen bashkë engjëjt e djajtë. Të them të drejtën, u bënë ditë që hahem me vërsnikët e mi këtu, në Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit. U thërras shpesh, duroni o të paduruar, sot Shteti i së Drejtës nuk e kap lepurin me qerre! Sot ka mjete e marifete që e bëjnë Ligjin më të sertë se Maliqin…Por ata më shkelin syrin, tundin kokën plot dilema, nxjerrin eshkën, urorin e stërrallin, ndezin çibuqet me duhan të fortë dhe lëshojnë shtëllunga qesëndie. I njoh mirë e nuk ua marr jangëllëç. Mirëpo pardje, sikur u shastisëm të gjithë, prandaj i ramë celularit tënd. Po përse vallë? Në kuvendim e sipër rreth denoncimeve publike e mediatike nga Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë në metropol, vërshuan psherëtima, akuza konkrete e me adresë, por edhe ndonjë sharje vendçe ndaj korrupsionit që e gërryen Shqipërizën tonë si mola e trarëve të shtëpisë. Sepse nuk po pipëtin askush nga Ministria e Drejtësisë, ku salla e mbledhjeve dhe muret e saj do kenë çakërritur sytë nga bëmat e padëgjuara në atë godinë. Ja, na thuaj ti, miku ynë i vjetër:-Nga kush dhe pse u ndalua prania e medias në atë veprimtari të pavarur? Përveç manipulatorëve abuzues, cilët tremben nga transparenca dhe pasqyrimi i saktë përballë publikut taksapagues? Po futjen në listën e votimit deri edhe ndonjë të dënuar me “arrest shtëpie” në Elbasan, si do e pagëzojmë e shënojmë në protokoll? Po këmbënguljen hileqare e servile, me e pa zile, presionet mafioze me ngjyra serioze etj. për të bërë Kryetar me hir e pahir mikun e djeshëm dhe ortakun e sotëm të vëllait të një ish-ministri Drejtësie ?!…Po një skuadër nga Policia e Burgjeve (kur nëpunësit e thjeshtë të dikasterit e kishin ditë pushimi), cilët të “burgosur” do ruanin me kobure në brez?…Apo t’i japim karar me atë porosinë e labit të mençur: Ruhu nga ai që me një çelës kërkon të hapë 7 dyer dhe nga një dele kërkon të rrjepë 7 lëkurë!

Ngjarje të tilla trishtuese, të shëmtuara e pse jo irrituese, nuk kanë nevojë as për shahitë e as për jallanshahitë. Edhe mua, në fillim mu dukën gati të pabesueshme. Aq më tepër kur bëhet fjalë për mjediset e një ministrie me emër jo dosido. Mjedise ku u mblodhën për zgjedhjen e drejtuesve të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Pra, u mblodhën jo njerëz nga rruga, por 127 juristë! Dhe nuk besoj kurrë që çdonjëri prej tyre të shkelë mbi veten, mbi integritetin e vërtetë profesional e qytetar apo të bëhen urë e vig për nepotizmin me brirë dhe orekset e shfrenuara personale të dikujt me veladon partiak e parlamentar. Koha e pakrisur e pandëshkueshmërisë duhet të marrë fund. Vetëm tinzarët dhe lëpirësit e këpucëve kolltukofage me spaleta pushtetarë i fshihen syrit të medias, opinionit të gjerë publik. Të jem i sinqertë, unë nuk dëshiroj ta vë dorën mbi ungjill a mbi kuran për asnjë emër të përveçëm në këtë mesele që nuk bie erë të mirë. Aq më tepër për atë ish ministër (pa)Drejtësie që dikur arrogancën e tij e kemi provuar në kurriz bashkë me titullarin e sotëm të atij dikasteri.(Në arkivat mediatike të kohës, në ato të Presidencës së Republikës dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, me siguri do të gjeni dhjetëra denoncime publike e jo publike për bëmat e “fatligxhafërisë”, ku shumica u mbuluan me jorganë dhe bëjnë sot e gjithë ditën gjumin e rëndë dimëror të pandëshkueshmërisë  nepotike! Apo kjo faturë korruptive do i mbetet në dorë krizës së besimit shqiptar te Drejtësia uloke ?).

Së pari, po të ishte vetëm qëndrimi anadollak ndaj pranisë së medias, siç thotë miku im i vjetër në Jug e pa asnjë teserë partie në xhep, “mbase do e bënim pakëz kabull edhe këtë qorollepsje”. Por procesi zgjedhor me nota tragjikomike nuk mbaron me kaq. Se ustallarët e vjetër shkelin me këmbë çdo kufi e normë ligjore, morale e qytetare. Dhe shpesh harrojnë që njerëzia nuk hanë bar! Mjafton që të shuajnë urinë e parasë kallpe me çdo rrugë e mjet. Shkurt, janë ata prototipa të njohur që në mëngjes betohen për të vërtetën dhe në darkë puthen me gënjeshtrën…

Së dyti, vendin e njerëzve të medias, përse e zuri skuadra e Policisë së Burgjeve?! Dhe “në një kohë që nuk ishin të thirrura nga Dhoma Kombëtare”, me cilin urdhër erdhën atje? Më besoni, po të jetë “sekret shtetëror”, nuk presim hesap e xhevap. Apo atë ditë punuan e morën rrogën për “sigurinë” e 127 juristëve në sallë ?…Të përdorësh unifromat shtetërore të armatosura thjesht për shantazh dhe presion açik e në shërbim të rrëmbimit të një posti drejtues, nuk ka vend për komente të gjata. Dhe ku? Në katin e parë të sallës së konferencave në Ministrinë e Drejtësisë. Shija e hidhur nuk po largohet ende. Dhe mund të shtohet më shumë po u rikthyen atje. Sepse pyetje të tjera normale rrinë varur sot e kësaj dite.

Së treti, veç atij përmbaruesit “me arrest shtëpie”, përse nuk u nxorën jashtë ata përmbarues gjyqësorë privatë që sot punokan nëpër institucione shtetërore dhe u ndalohet me ligj pjesëmarrja e votimi ? (Dhe në të njëjtën kohë “ishin hequr nga lista e votuesve shumë përmbarues aktivë”!)

Por hijet e zeza të këtij skandali arritën kulmin gjatë fundit të turpshëm. E ritheksoj hapur: Informacioni fillestar, për mua ishte i pabesueshëm. Prandaj prita kaq ditë ndonjë prononcim publik e zyrtar nga dyert e Ministrisë së Drejtësisë. Vetëm heshtje. Veçse ky qëndrim mund të jetë gjithçka, por mendoj se nuk është kurrsesi “paanshmëri”. Edhe pala kundërshtare në garë (strehuar nën sqetullat e ngrohta pushtetarë), nuk i zuri fare me gojë këto karagjozllëqe neveritëse. Errësira informative e ka gjetkë folenë e vërtetë. Flas kështu, sepse deri mbrëmë po lëkundesha në varkën e mosbesimit tim të njohur, ndoshta huq a pasojë e disa dekadave punë në gazetari. Fjala është për finalen e kësaj farse : “-sapo filloi votimi për balotazh, iu bënë kërcënime atyre që humbën, për t’ia dhënë votat të përzgjedhurit “nga lart”…Por në momentin që ata e refuzuan, në Ministrinë e Drejtësisë…u fikën dritat (?!). Disa “nevrikë” mbyllën menjëherë edhe perdet e rënda të murit të xhamtë, nga mund të hynte dritë nga drita e bekuar e Perëndisë. Salla mbeti në errësirë të plotë. Absurdi nuk ndalet. Ndërhyn policia e burgjeve dhe i nxjerr juristët përmbarues me forcë jashtë! Dështoi mbledhja dhe zgjedhja e forumeve drejtuese”…Sidomos ky epilog trishtues e tepër i hidhur, na e bëri mendjen ujem. Por mbrëmë, një video amatore arriti në kafenenë te Brryli në Tiranë. Mosbesimi im u shkri më shpejt se sheqeri në filxhan. Se nuk kanë thënë kot, çfarë sjell sahati nuk sjell viti! Mora vesh se ajo video iu dërgua edhe Kryeministrit. Dhe mirë bënë. Sepse jo çdo hije skandali i rëndon Qeverisë. Pas kësaj befasie aspak të këndshme, u ula të shkruaj. Por errësira e komanduar që pllakosi atë sallë të nderuar, shtrëngimi e puthitja e perdeve për të mos hyrë asnjë rreze drite dhe zërat kërcënues policorë që nxirrnin njerëzit përjashta, më shoqëruan dëshpërimisht në çdo paragraf. Një kolegu im i vjetër e hokatar, na u drejtua të gjithëve:

-Dëgjoni mua, mos u sëkëlldisni hiç! Jo të gjitha punët e zeza bëhen në errësirë. Fjala vjen, po sikur ta kenë bërë për të kursyer sadopak shpenzimet e ministrisë për energjinë elektrike? Përse nuk durojnë të uruarit, se mbase vihen ca turbina në pishinat e ish-ministrit te liqeni artificial i Tiranës ose buzë liqenit të Pogradecit ku mbajti mandatin e deputetit nëpër pallatin e ndërtuar prej tij mbi çerdhen e rrafshuar të fëmijëve! Po sikur të ketë ruajtur ndonjë depozitë karburanti nga Cerkovina dhe e dhuron për ngrohje e ndriçim? Po sikur…

Shpotitë dhe të qeshurat buruan vetiu. Veç të tjerave, minimalisht opinioni publik dhe lexuesit presin përgjigjen e pyetjes aspak të vështirë : Kush i fik dritat në Ministrinë e Drejtësisë ?…Të kuptohemi. Nuk e ngasim fjalën thjesht a vetëm për 5 a 6 llampa neon. Se shpesh prapa tyre shpesh fshihen si të verbuara edhe “dhelprat” dinake apo “lepujt” ferracakë. Jo më kot, “kur njeriu zhgënjehet, gjithmonë duhet të shpresojë e, kur shpreson, duhet të dyshojë” !…  

SHKARKO APP