Kush janë 10 sportistët më të mirë të vitit 2014? Publiku, një pyetje për “specialistët”!
KOKSH shpalli 10 sportistët më të mirë të vitit 2014, dhe në fakt, më tepër se emrat që gjithnjë mbeten të diskutueshëm nëse janë përzgjedhur ata të duhurit apo jo, edhe më e çuditshme është se shumë prej tyre janë krejt të panjohur për publikun. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar i ka përzgjedhur ata si sportistët më të dalluar në disa nga sportet tona, për vitin 2014, por pse atëherë emrat e tyre tingullojnë thuajse si anonimë për publikun!? Jo sepse ata nuk janë kampionë të vërtetë, dhe kjo dukuri as ndodh për fajin e tyre. E teksa ekranet mbushen me personazhe që promovohen çdo ditë e më tepër si “ekspertë dhe specialistë” të fushave të ndryshme, të cilët as ata vetë nuk e dinë se ç’rezultate kanë arritur para promovimit, (jo “provimit”), e teksa paguhen shumë me paratë e taksapaguesve, publiku ushqehet me broçkullat e tyre çdo ditë e më tepër , ndërsa kampionët e vërtetë çuditërisht mbeten nën “hijen” e tyre.
10 më të mirët
KOKSH shpalli sportistët më të mirët e vitit 2014. Luiza Gega në atletikë, Migena Plasa në basketboll, Jurgen Uldedaj në boks, Klinti Grembi në Çiklizëm, Alban Hoxha në futboll, Noel Borshi në not, Suela Mëhilli në ski, Endrit Cullhaj në xhudo, Ada Demneri në taekëondo dhe Erblira Bici në volejboll. Ishin 10 sportistët më të mirë të vitit 2014, që KOKSH-i I nderoi me dhënien e çmimeve në disiplinat e tyre. Por pikërisht për opinionin e gjerë publik, shumë nga këta emra janë të panjohur. Me rezultatet kombëtare dhe ndërkombëtare që kanë arritur, ata kanë treguar se janë kampionë të vërtetë. Me përjashtim të portierit të Partizanit, Alban Hoxha, duke qenë se futbolli mbetet sporti më popullor në vend, dhe Partizani ka tifozë të shumtë, edhe deri diku e njohur është atletja Luiza Gege, e cila ka thyer rekorde kombëtare e ndërkombëtare, sportistët e tjerë, shumica prej të cilëve janë në fillimet e karrierës së tyre, mbeten ende për t’u njohur nga publiku. Ata nuk janë promovuar si duhet nga shteti apo mediat, as nuk janë motivuar por e kanë ngritur suksesin mbi pasionin e punën, çka e thonë vetë njëzëri, dhe kjo tregon se sa pak rëndësi kanë vlerat në këtë vend dhe sa shumë “shiten e blihen” ata që nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, veçse tregojnë broçkulla pa fund, dhe për fatin e keq të Shqipërisë këta “kampionë të fjalës dhe shërbimit” triumfojnë çuditërisht, vazhdimisht, edhe më shumë sesa kampionët e vërtetë.
Suksesi ndërkombëtar
Gjermania u shpall kampione bote në “Brazil 2014”. Kombi gjerman nuk mund ta fshihte krenarinë para gjithë botës, pas këtij suksesi, sepse u prezantua në Botëror me kampionë të vërtetë, me një staf profesionistësh dhe me një organizim perfekt për t’i shkuar deri në fund objektivit që Gjermania i kishte vënë vetes. Bota mbarë i njeh tashmë lojtarët e Gjermanisë dhe i ka model, por jo ndonjë specialist gjerman, kjo sepse ky vend nuk ka pasur ndonjëherë nevojë për “specialistë apo kompetentë”, por gjithnjë për kampionë të vërtetë. Edhe Shqipëria suksesin ndërkombëtar mund ta arrijë në disa sporte të ndryshme vetëm me anë të sportistëve të saj më të talentuar, që kanë pasur dhe kanë rezultate premtuese, por nëse ata do të mund të promovohen, motivohen dhe mbështeten nga shteti dhe shoqëria, në kohën e duhur. Në garat ndërkombëtare, kush bën diferencën, i vlen më tepër çdo kombi dhe nëse rezultatet mungojnë, fokusi i drejtuesve të zotë dhe vizionarë përqendrohet sërish tek të rinjtë e tjerë të talentuar dhe me rezultate premtuese. Sa për “specialistët” e shumtë që numërohen në Shqipëri, është lehtësisht e kuptueshme sesa shanse kanë ata të fitojnë ndonjë garë, në arenën ndërkombëtare, sidoemos me Gjermaninë, dhe ta nderojnë sadopak Shqipërinë.
A.M/Koha Jonë