Kush kërkon ta “vrasë” Margaret Thatcherin
Tani, vendet e Bashkimit Europian, duhet të vendosin nëse duan të “vrasin” Margaret Thatcherin. Të “heqin qafe” atë çantëzën, që ka shenjuar një epokë të tërë dhe që mbetet mbi tryezat e Bashkimit Europian, 25 vjet pas fundit të karrierës së saj si Kryeministre e Britanisë së Madhe, dhe dy vjet pas vdekjes.
Referendumi i ardhshëm që do të mbajë Mbretëria e Bashkuar – për qëndrimin apo daljen nga BE – do të jetë diçka më shumë, nga këndvështrimi i vendeve të Europës kontinentale, se sa thjeshtë mbajtja apo lënia të largohet, e një vendi anëtar. Sigurisht, vendimi do u takojë banorëve të ishullit: por, në fazën e afrimit tek referendumi, do të jetë e gjithë Europa që do të reflektojë për vetveten, si dhe që do të vendosë se çfarë lloj Unioni dëshiron: nëse dëshiron ta reformojë, ta mbajë siç është sot, apo ta bëjë më të mbyllur në vetvete.
Një pjesë e madhe e politikave pozitive, nga të cilat kanë përfituar jo pak ekonomitë europiane gjatë tridhjetë viteve të fundit, mbajnë shenjën, në disa raste vendimtare, në raste të tjerë të rëndësishme, të zgjedhjeve të zonjës Thatcher. Vlen kjo për tregun e përbashkët, ndoshta projekti më i suksesshëm i Bashkimit Europian, për privatizimet, të cilët kanë çliruar shumë energji në sektorë dhe shtete që më herët ishin të sklerotizuar, për liberalizimet (ende të pamjaftueshme) e tregjeve. Eshtë e vërtetë, Britania e Madhe vendosi të mos hyjë në bashkimin monetar dhe duke vepruar kështu, nuk e vendosi europeizmin mbi gjithçka: por, e vështirë ta fajësosh sot, për faktin që mbajti stërlinën dhe refuzoi Euron. Përkundër asaj që thuhet rëndom në kontinent, sot do të ishte mirë të pranohej se bilanci i rolit që ka luajtur Britania e Madhe dhe Zonja e Hekurt, është për BE-në, më shumë se pozitiv.
Propozime reformash
Të thuash, si po bëjnë shumë politikanë në Europë, se dalja e Britanisë së Madhe nga BE do të ishte gjë e mirë, sepse me kalimin e viteve, Londra ka qenë më shumë një frenues, se sa një përshpejtues i politikave europiane, do të thotë të mos pranosh tre dekada histori. Kjo mund të shtyjë disa qeveri që të mos mbështesin asnjë prej propozimeve për reforma, që Kryeministri britanik, David Cameron, do i parashtrojë, me objektivin për të bindur britanikët që të qëndrojnë në Europë. Por, duke vepruar kështu, Europa nuk do të ndëshkonte vetëm Britaninë e Madhe: BE do i hynte një rruge mbylljeje; do të shkëputej nga promotori më i madh i politikave në favor të rritjes ekonomike dhe konkurueshmërisë. Do të zgjidhte të kthehej në një ekonomi tregu më të mbyllur dhe më stataliste. Jo, Margaret Thatcher ishte europiane. Dhe nuk duhet “vrarë”.
“Sette” – Danilo Taino