Kush përfiton pas dyqaneve që favorizojnë kontrabandën?

Rihapen “Duty free shops”, deputetët e PS kundër. Rihapja e “Duty free shops” ose e dyqaneve produktet e të cilave nuk janë përfshirë në taksa në pikat doganore tokësore dhe detare, pas mbylljes që ju është bërë me vendim në vitin 2003 është kundërshtuar nga deputetët në Komisionin e Ligjeve. Drejtoresha e komanduar e Doganave, Irena Beqiraj prezantoi dje ndryshimet në Kodin Doganor, i cili sapo është miratuar nga Parlamenti. Në vitin 2003 këto pika u mbyllën pasi favorizonin evazionin fiskal dhe kontrabandën e mallrave. Rikthimi i një ligji të tillë ka sjellë habi dhe brenda vetë radhëve të mazhorancës. Deputeti socialist Bashkim Fino e ka parë me dyshim këtë ndryshim pasi ai nënvizoi se ministri në mënyrë selektive mund të hapë në një pikë edhe s’mund ta hap në një tjetër. Ndërsa deputeti Fatmir Mediu tha se “nuk e di sa i sigurt mund të jetë kur në 2003 janë mbyllur për evazion fiskal”. Komisioni ka miratuar gjithashtu edhe heqjen nga fondi pyjor të disa tokave që preken nga ndërtimi i HEC-eve. Deputeti socialist  Dashamir Peza ka votuar kundër duke e cilësuar të rrezikshme për mjedisin. Deputetët e PD-së hodhën dyshime se ky ligj u shërben përfaqësuesve të mazhorancës për të favorizuar klientë të veçantë. Në vitin 2003 Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkoi qeverisë shqiptare mbylljen e këtyre dyqaneve në pikat doganore, të cilat shiheshin si burim kryesor për kontrabandën. Produktet që ato tregtonin më shpesh janë pijet alkoolike dhe cigaret, të cilat kanë dhe marzhin më të madh të fitimit.

 

 

Debatet

Irena Beqiraj:Ministria e financave e ka bazuar këtë propozim mbi kërkesat e vazhdueshme dhe propozimin paraprak të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët në mënyrë të vazhdueshme kanë sjell pranë nesh kërkesat e biznesit për të hapur dyqane e lira nga taksat, jo vetëm në aeroport siç e kemi tani më por edhe në pikat kufitare detare dhe tokësore. Ky propozim për liberalizimin e këtyre dyqaneve vjen për shkak të vlerësimit të një sërë avantazhesh që na vijojnë si propozime nga Ministria e ekonomisë, kryesisht për biznesin shqiptar.

Bashkim Fino:Të autorizojë dhe mund të mos e autorizojë, d.m.th po të dojë mund të hapi një “Duty free shops”  në një pikë kufitare, mund të mos hapi në një pikë tjetër. Nuk ka mundësi që të rritet turizmi nga “Duty free shops”.

Irena Beqiraj:Ndoshta u keqkuptova, doja të thoja që ministria do autorizojë ato subjekte që plotësojnë kushtet. Nuk thashë që do mbetet në diskrecionin e MF.

Bashkim Fino:Kështu është shkruar.

Irena Beqiraj:Mbase është shkruat gabim, po shpjegoj si do funksionon.

Fatmir Mediu:Ka analizë financiare? Vetë thatë se ka pasur probleme me evazionon, ky projektligj mund të hapë të njëjtën dritare? Se interesi pastaj do dalë që do jetë për disa individë?

Irena Beqiraj:E vërtetë që kemi pasur 12 pika në 2003 dhe janë mbyllur, por sot administrata doganore ka avancuar. Nuk ka studim për efektin në buxhet se ka qenë kërkesa e biznesit. Studimet Ministrisë së Ekonomisë. Do rritet konkurrenca se sot kemi 1.

Eduard Halimi:Pse po nxitoni të na sillni amendament kur nuk keni asnjë studim…

I keni diskrecion ministrit ku të hapë dhe ku jo? Ka një mekanizëm që ministri mos tregohet klientelist dhe të evitohet klientelizmi.

Pandeli Majko: Keni sjellë një ligj vetëm për hapjen e “Duty free shops”  dhe jo për mbylljen, sepse normalisht..

Eduard Halimi:I ka shkuar në vëmendje dikujt që të hapim ca pika diku, dhe hajde të bëjmë ndryshime të ligjit. Qeveria duhet të jetë serioze. Gjithçka që na sillet sot është e pamenduar, e pastudiuar, pa asnjë argument.

 

 

Marrëveshja 9 milionë euro

Investime për furnizimin me ujë të zonave rurale

 

Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin miratoi dy marrëveshje për financimin e projekteve për furnizimin me ujë të zonave rurale. I pari ka të bëjë me furnizimin me ujë të zonave rurale III, ndërsa i dyti për masat shoqëruese për furnizimin me ujë të zonave rurale III. Relatori i këtyre dy projektligjeve deputeti socialist Namik Kopliku u shpreh se kjo marrëveshje ka për qëllim akordimin e një granti në shumën 9 803 922 euro që do të përdoret për rehabilitimin, rindërtimin ose ndërtimin e sistemeve të ujësjellësve ruralë dhe, nëse është e zbatueshme, për masa plotësuese për ujërat e zeza në raste emergjente. Sipas Kopliku, ky projekt, i cili vjen në fazën e tij të tretë, ka si objektiv rehabilitimin, rindërtimin ose ndërtimin e sistemit të furnizimit me ujë në zonat rurale dhe, nëse paraqitet nevoja, marrjen e masave urgjente plotësuese ndaj ndotjes së ujit. Qëllimi i projektit është përdorimi i skemave të ujësjellësve të rehabilituar ose ndërtuar, për të kontribuar në përmirësimin e furnizimit të popullsisë me ujë të pijshëm dhe me tarifa të pranueshme e që mbulojnë kostot e furnizimit në zonat e projektit, i cili do të shtrihet në të gjithë vendin dhe do të fokusohet kryesisht në sistemet e ujësjellësve me rënie të lirë, në fshatrat ruralë me numër të lartë popullsie të qëndrueshme. Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci u shpreh se programi i ujësjellësve ruralë është një fazë e avancuar e një programi të filluar më parë në formën pilot i lokalizuar në disa të specifikuara në Shqipëri.

 

SHKARKO APP