Kush po bën thirrje për “Bojkot Gjermanisë”?
Produktet dhe markat gjermane janë shënjestra e fundit e aktivistëve politikë, të mërzitur me paketën e shpëtimit të Greqisë
BBC
#BoycottGermany u përmend për herë të parë në Twitter në lidhje me krizën greke gjatë fundjavës, por nisi të rishpërndahej sërish të hënën. Kjo thurje është përdorur më shumë se 30 mijë herë, duke u përhapur nëpër Europë nga zëra të majtë dhe anarkistë.
Disa po bëjnë thirrje pë të shmanguar produktet me barkodin që nis me numrat që tregojnë origjinë gjermane.
Megjithatë, kodet i referohen vetëm vendndodhjes së kompanisë nënë, jo vendit të prodhimit.
Një produkt me barkodin 401 mund të jetë bërë edhe në Francë, Britani ose edhe në Greqi.
Një nga mesazhet më të shpërndara vjen nga David Graeber, një aktivist anarkist amerikan dhe profesor antropologjie në London School of Economics.
Ai i referohet fshirjes së borxhit të Luftës së Dytë Botërore.
“Propozimi im: Gjermania tani është e detyruar të ripaguajë borxhin nazist, të fshirë në vitin 1953. Me interesa. Duhet të bojkotojmë Gjermaninë derisa ta bëjë këtë”.
Të tjerë bëjnë thirrje për të shënjestruar mallra të veçanta luksi të Gjermanisë.
“Mos blini Volkswagen apo Miele,” shkruan njëri.
Ndërkohë po qarkullojnë masivisht edhe postera me propagandë anti-naziste.
Megjithatë kjo thurje po përdoret masivisht edhe në Gjermani, ku shumë njerëz po u përgjigjen thirrjeve për bojkot.
Gazetari gjerman, Thomas Walde, thotë me sarkazëm: “Kjo thirrja për bojkot gjerman a mos përfshin edhe paratë e ndihmës nga Gjermania. Jo? Epo në rregull pra”.
Në fillim të javës nisi të përdorej masivisht një thurje #KyËshtëGrushtShteti, si reagim ndaj marrëveshjes së shpëtimit. Pas kësaj thurje ishte një aktivist spanjoll dhe mesazhi u përdor masivisht nga e majta spanjolle. Ai ishte po ashtu ndër të parët që mbështeti thirrjen për bojkot.
Sa u përket atyre, bizneset gjermane nuk duken të shqetësuara nga këto thirrje.
“Po i marrim seriozisht, por nuk ka vend për panik,” tha Volker Treier nga Dhoma Gjermane e Tregtisë me Jashtë.
“Ka pasur thirrje të tilla vazhdimisht që prej nisjes së krizës greke. Ato janë shuar pa asnjë efekt”.
Disa e kanë marrë këtë thirrje me humor.