Kush po përfiton në Partinë Çame?

 

 

Nga Gëzim Zilja

Fushata elektorale për zgjedhjet lokale duket ka marrë rrugë e çdo ditë e më shumë spikasin deklarata të çuditshme dhe gënjeshtra si nga kandidatët ashtu dhe nga lidershipët e partive. Vende pune me bollëk, ujë të pijshëm njëzetekatër orë, energji elektrike falas me ndihmën e bashkisë, rrugë të asfaltuara, taksa të ulta, madje aspak taksa, autobuza  për të varfrit, menca publike me një tas supë e një kokërr mollë falas, kanalizime, plazhe të pastra, mirëqënie,  etj etj. Rreshti i zotimeve është i pafundëm deri në budallallëk. Asnjë prej kandidatëve për kryetar bashkie, të paktën nga ata që unë kam ndjekur me përjashtin ndoshta të Gjergj Bojaxhiut, nuk është në gjendje të shpjegojë sesa para subvencionohen nga shteti, për pagat dhe investimet, sa fiton bashkia nga taksat locale, sa grante mund të sigurohen, në bazë të projekteve që janë gati apo do të realizohen në të ardhmen dhe sa para ka gjendje në bashki deri në fund të vitit në vazhdim. Edhe sikur kandidatët të ishin më të shkëlqyerit e më të diturit e partive ata janë shpallur si të tillë vetëm një muaj më parë. E ku i gjetën apo i bënë projektet, kur i studiuan buxhetet e të ardhurat e bashkive, kur kuptuan sesi funksionojnë këto struktura të reja tashmë shumë herë më të mëdha se bashkitë e mëparëshme? Si është e mundur që qoftë dhe një i vetëm nuk del në fushatë e të deklarojë: Nëse do të fitojë ky do të jetë stafi im i ardhshëm me të cilin do të realizojmë zotimet dhe projektet. Nuk kemi parë asnjë inxhinier, ekonomist, mjek apo jurist, thënë ndryshe teknicien, të paraqesë një projekt duke sqaruar gjithçka sidomos nga do të sigurohen financimet. Një kryetar bashkie nuk mund të bëj vetë çdo project se dihet që ato i kryejnë stafet përkatëse. Atëherë pse nuk i deklarojnë dhe nuk i marrin me vete në fushatë?

Shumica e kandidatëve as që ia kanë haberin qeverisjes dhe nuk kanë qeverisur kurrë qoftë dhe një drejtori të thjeshtë në administratën shtetërore apo të kenë drejtuar një biznes. Por kjo nuk i pengon të flasin, e të premtojnë a thua njerëzit nuk kuptojnë se ç‘përfaqësojnë e ç’po ndodh.

Kohë më parë lidershipi i PDIU-së me një kapërxim ylberian u gdhi nënkryetar i Kuvendit. Nga ana e Ramës kjo ishte një lëvizje e zgjuar, spektakolare. Jo për të shtuar numrin e aleatëve në koalicionin parazgjedhor por  për të pasur shumicë të thjeshtë votash rezervë, në rast të një përplasje të mundëshme  me LSI-së, në të ardhmen. Idrizi tashmë me emrin e PDIU-së por jo me deputetët e vet në krah, ka filluar fushatën duke përshkuar të gjithë qytetet e Shqipërisë, duke deklaruar vend e pa vend: Ne tashmë jemi një parti e madhe dhe kërkojmë vendin që na takon. Ashtu si dhe të tjerët në stilin e vjetër ‘’Korr e mos lidh’’ ai do të deklaronte në qytetin e Vlorës, në pallatin “’Petro Marko’’ në një sallë plot flamuj por me shumë karrige bosh, ku binte në sy mungesa e deputetit Dashamir Tahiri: ‘’Çështjen e legalizimit të pronave dhe shtëpive tuaja unë do të marr si një sfidë personale dhe do ta çoj deri në fund. Për këtë ju betohem”. E thënë ndryshe sa të më keni mua gjithçka që ju kërkoni do të realizohet. Por nga ana tjetër dihet që qeveritë veprojnë në bazë ligjesh e dekretesh edhe në rastin  e legalizimeve. Zbatimi i ligjit, sipas lidershipt çam, tashmë nën kostumin e zëvendëskryeparlmentarit  nuk ka rëndësi se ai tashmë atë problem e ka personal dhe do të punojë me metoda personale ta realizojë?!

Dy ditë më vonë në Sarandë kreu i PDIU-së do të shkonte edhe më tej duke theksuar se Bashkisë së Sarandës ne do t’i kthejmë dinjitetin prandaj sarandiotët të votojnë për dinjitetin e tyre, të votojnë për gjakun e tyre, të votojnë për prosperitetin e tyre. Kjo puna e gjakut e ngatërron pak problemin se vendi i shqiponjave nuk ndodhet në luftë por në zgjedhjet lokale e po zgjidhen  qeveritarët e vegjël të qyteteve. Është trishtim i madh kur shumë nga lidershipët por edhe kandidatët sidomos kur flasin pa letër kanë një vetëkarikim që jo rrallë i çon deri në delir. Fjalimin në Sarandë Idrizi do ta përfundonte me fjalët: Unë u bëj thirrje të hapur: Ja ku e keni shtëpinë, (Sarandën) një shtëpi e hapur për çdo shqiptar.

Nëse ishte fjala për çamët e pranishëm, ata aty e kanë shtëpinë se edhe aty Shqipëri është e të rrojnë e të gëzojnë bashkë me vëllezërit e tyre sarandiotë. Po sa për shtëpitë e baballarëve, të gjyshërve e të stërgjyshërve e varreve të të parëve, ato janë ca më tutje në Çamëri. Po Idrizi nuk e zuri fare në gojë fjalën Çamëri dhe aq më shumë fjalët e ndaluara “Problemi çam”. Nëse PDIU-ja kërkon zgjerim në të gjithë Shqipërinë duke imituar nën dhe mbi zë, LSI-në, vështirë se do të arrijë gjë. LSI-ja deri tani ja ka dalë të punësojë anëtarët e saj dhe të shtojë rradhët. Dy LSI janë shumë për Shqipërinë e vogël. Partia për Drejtësi, Inegrim dhe Unitet mund t’ia dalë të marrë një apo dy bashki, ndoshta dhe dy deputetë më vonë, të punësojë edhe ca përkrahës të tjerë çam dhe jo çamë. Por nuk mund të ketë të ardhme duke braktisur Problemin e Madh Çam nga i cili ajo lindi dhe e kishte si qëllim madhor në programin e saj.             

 

 

SHKARKO APP