Kushedi sa bukë mund të blesh me 110 mln dollarë…
Nga Besjan Pesha
Doli prape te Ushtari i Panjohur me shpresën se do vinte dikush. Kishte 10 ditë rresht që dilte, por kërkush nuk afrohej të kërkonte punëtorë. "Babaxhani" i fundit aty pari ishte shfaqur dhjetë ditë më parë. Kishte ngarkuar disa plaçka në kat të tetë dhe kishte marre 10 mijë lekë të vjetra.
Me ato kishte nxituar si budalla të blinte veç bukës edhe dy çokollata për fëmijët e një shishe vaj e ca speca. Do ti skuqte e ti shijonte me gruan. "Budalla" i thoshte vetes. "Ja, mos kishe marrë çokollatat, vajin e specat do kishe akoma bukë në shtëpi. Sikur nuk e di që në behar nuk vjen kush të kërkojë punëtorë.
“Dy ditë pa ngrenë" mendonte ndërsa i shkoi mendja menjëherë tek marketi i lagjes. "Ata janë njerëz të mirë. Do shkoj dhe do e marrë një bukë. Çapin tim do e ha aty brenda, ndërsa për fëmijët dhe gruan do e vjedh një. Herën e fundit ma falën. Janë njerëz të mirë ata" dhe papritur gjeti fuqi e vrapoi për në lagje.
U fut brenda dhe ekzekutoi planin, por gjërat nuk shkuan siç i kishte menduar. Kësaj radhe nuk e toleruan. Kësaj radhe e arrestuan. Edhe pse u lut e përgjerua, kësaj here nuk ja falen. Teksa ikte me duart e lidhura i shoqëruar nga sytë qortues të spektatoreve që tundnin kokën, sytë i ngecen tek ekrani i televizorit. "110 milionë dollarë dëme i janë shkaktuar buxhetit të shtetit gjatë vitit 2015" ndriçonin gërmat. "110 milionë dollarë" mendoi…"kushedi sa bukë mund të blesh me to"…