Kushtetuesja del në mbrojtje të Nishanit për Forcat e Armatosura
Gjykata Kushtetuese, me anë të një vendimi të posaçëm të publikuar gjatë ditës së djeshme, ka dalë në mbrojtje të kërkesës së paraqitur pranë saj nga kreu i shtetit për pezullimin e zbatimit të ligjit “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura në Republikën e Shqipërisë”. Kështu, sipas tij, ajo e ka pranuar këtë kërkesë, duke pranuar në të njëjtën kohë që ky ligj i ri të mos gjejë zbatim në praktikë. “Pasi shqyrtoi dhe analizoi kërkesën paraprake për pezullimin e zbatimit të ligjit si objekt kërkese, mbledhja e gjyqtarëve, vendosi pranimin e kërkesës”, citon saktësisht vendimi në fjalë i Gjykatës Kushtetuese. Kujtojmë se kreu i shtetit doli kundër ligjit në fjalë, të miratuar nga Kuvendi gjatë vitit të kaluar, nën pretendimin se ai “ushtrimi i kompetencave të dhëna nga Kushtetuta në kohe paqeje Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, nuk duhet të anashkalonin funksionin e komandimit dhe drejtimit të Forcave të Armatosura nga Komandanti i Përgjithshëm”. “Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron të gjitha funksionet e kompetencat që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura, të cilat burojnë nga Kushtetuta dhe parashikohen shprehimisht nga ligjet që nuk vijnë në kundërshtim me të. Ai është zotërues i të drejtës së komandimit dhe drejtimit të të gjithë veprimtarisë të Forcave të Armatosura në kohë paqe dhe në kohë lufte. Në kohë paqeje, Presidenti i Republikës e ushtron komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura nëpërmjet Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes, të cilët janë përgjegjës për ushtrimin e veprimtarisë së tyre të drejtimit përpara Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.
Në këtë këndvështrim kushtetues, çdo iniciativë ligjore që ka të bëjë me komandimin dhe drejtimin e Forcave të Armatosura, karrierën ushtarake, statusin e ushtarakut etj, duhet detyrimisht të konsultohen paraprakisht me Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe të marrin dakortësinë e tij. Në të kundërt, këto veprime do të rrezikonin zinxhirin e komandim/kontrollit, kaq vendimtar për drejtimin në fushën e mbrojtjes së vendit”, argumentoi atëherë në dekretin e kthimit të ligjit, kreu i shtetit. Duke nënvizuar kësisoj se ai minimizonte kompetencat e tij ekzistuese lidhur me Forcat e Armatosura.
ARGUMENTAT
“Në ndryshim nga ligjet e mëparshme, ku për vetë rëndësinë që zënë në hierarkinë ushtarake të Forcave të Armatosura oficerët me gradë madhore, dalja në rezervë apo lirim e kësaj kategorie bëhej me dekret të Presidentit, ndërsa me ligjin 59/2014 (përkatësisht me nenet 25, 26) ato bëhen me urdhër të Kryeministrit, dhe me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, duke tejkaluar dhe uzurpuar funksionin kushtetues të Komandantit të Përgjithshëm të FA. Çdo kompetencë e rregulluar me ligj, dhe e konsoliduar me një eksperiencë 10-vjeçare, mund t’i hiqet Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm, vetëm atëherë kur ato vijnë në kundërshtim me Kushtetutën. Në asnjë rast të vetëm, nuk gjendet në relacionin shoqërues të projektligjit një arsye e tillë, e kundërshtisë së tij me Kushtetutën, gjë e cila do ti bënte këto ndryshime të padiskutueshme”, citoi atëherë kreu i shtetit, teksa e ktheu ligjin mbrapsht.