Ky parlament është turpi dhe poshtërimi ynë
Nga Mentor Kikia
Seancat e parlamentit, te enjten dhe te premten, nuk zhgënjyen. Debatet, sharjet dhe akuzat shkuan deri në konfrontime, duke prishur edhe elementë të fonisë madje. Nejse, edhe në parlamente të vendeve të tjera ka konfrontime, edhe më të rënda biles. Por ka një ndryshim ky parlamenti ynë:
Këto përplasje, me në krye duetin Taulant Balla-Sali Berisha, janë rregullisht pjesë e çdo seance. Dhe mbi të gjitha, këto përplaje, në shumicën dërrmuese të rasteve nuk lidhen me misionin e deputeteve, pra ata nuk debatojnë, qoftë edhe me tone të larta, qoftë edhe duke u konfrontuar, pra ata nuk zihen për ndonjë projektligj, as për punën e mirë apo të keqe të qeverisë.
Ata zihen duke u sharë, pa i lënë gjë mangut njerëzve të rrugës, për çështje personale. Deputete, apo grupe deputetësh, të të dyja palëve, përplasen mes tyre se kush ka vjedhur më shumë, kush e ka marrë atë apo këtë koncension, kush ka marrë këtë apo atë tender, kush ka futur me shume njerez ne pune nga tarafi i tij, grinden se sa kanë vjedhur fëmijët e njërit apo tjetrit, sa janë të lidhur me krimin kunetërit, baxhanakët, shokët dhe familjarët e njërit apo tjetrit. Ata shantazhojne njeri-tjetrin me dosje kriminale, me dosje spiunesh e dosje koprrupsioni.
I keni degjuar kur thone: E di ti cfare ke bere, ne X vit, ne X vend apo ne X kohe, por spo ta them sot.
Shumë syresh nuk i dëgjon ndonjëherë të diskutojnë për ndonjë projektligj, por ngrihen dhe kërcënojnë vetëm kur u përmenden emrat e kompanive të tyre dhe tenderat publikë që kanë marrë, sepse ata janë biznesmenë, nuk janë politikanë.
Me pak fjalë, në këtë parlamentin tonë, shumë pak kohë i kushtohet diskutimit apo korigjimit të projektligjeve, gjë për të cilën edhe paguhen. Duket se qëllimi kryesor i tyre është të mbrojnë sipërmarjet e veta dhe të sulmojnë të kundrshtarëve. Për të zezën e medias, këto sherre banale përbëjnë edhe lajmin kryesor në disa raste.
Përjashtuar disa kokrra, në të dyja palët, pjesa dërrmuese e kuvendit është pa më të voglin dyshim përfaqësimi më skandaloz i shoqërisë sonë, më ordineri dhe më i pacipi. Janë turpi i shoqërisë dhe vendit. Ata jo vetëm janë të inkriminuar dhe i janë ngjtur, personalisht apo përmes biznesve kliente, si ushunjëza ekonomisë kombëtare në kurriz, por edhe tallen me popullin.
Ata na poshtërojnë teksa zihen se kush ka vjedhur më shumë e kush është i lidhur më shumë me krimin.
Por, për një gjë duhet të jemi kryelartë.
Ata nuk janë të zgjedhurit tanë, janë të emëruarit e kryetarëve. Por kjo nuk është demokracia që ne duam.
Duhet të lëvizim që ta bëjmë demokratik këtë vend dhe që të mos na përfaqësojnë më tregtarët, maskarenjtë dhe kriminelët, por njerëzit që ne ti zgjedhim vetë, me votë.