Lamallari: Buxheti 2026 për Ministrinë e Drejtësisë adreson plotësisht nevojat tona
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, prezantoi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike projektbuxhetin për vitin 2026, duke theksuar se fondet e parashikuara për Ministrinë e Drejtësisë adresojnë në mënyrë të plotë nevojat institucionale dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Buxheti total i parashikuar për Ministrinë e Drejtësisë është 14.96 miliardë lekë, i ndarë: 8.38 miliardë lekë për paga dhe sigurime shoqërore, 2.6 miliardë lekë për mallra dhe shërbime, 2.7 miliardë lekë për transferta dhe 1.28 miliardë lekë për investime dhe shpenzime kapitale.
Ministri Lamallari theksoi se prioritetet kryesore për vitin 2026 përfshijnë: Sistemin e burgjeve, rikonstruksione dhe ndërtim i godinave të reja sipas standardeve ndërkombëtare, përmbarimi gjyqësor dhe ndihma juridike falas: rreth 5,000 qytetarë pritet të përfitojnë nga ky mekanizëm dhe Mjekësia ligjore: zgjerim i aksesit dhe përmirësim i shërbimeve për qytetarët.
Lamallari njoftoi ndërtimin për herë të parë të një instituti model për të miturit në konflikt me ligjin, duke e cilësuar si një risi jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin.
“Ky institut do të ofrojë trajtim të posaçëm dhe të diferencuar për të miturit, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare,” tha ministri.
KOHA JONË SONDAZH

