Lamallari: Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve do të hapet brenda vitit 2026
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, vizitoi sot kantierin e Institutit për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve në Mëzez, Tiranë, ku punimet kanë avancuar ndjeshëm dhe pritet që brenda vitit 2026 instituti të vihet në funksionim.
Ministri Lamallari e cilësoi këtë projekt si një investim madhor, që synon t’u japë të miturve në konflikt me ligjin një shans të dytë për t’u integruar në shoqëri. “Ky institut do të ofrojë shërbime multidisiplinare në 7 objekte, duke u bërë një pikë orientuese dhe mbështetëse për gjithë zinxhirin ndërinstitucional të drejtësisë për të mitur,” theksoi ai.
Lamallari shtoi se instituti do të ofrojë programe të specializuara për çdo tipologji vepre penale dhe për çdo rast specifik të të miturve që shkelin ligjin. Ai vuri në dukje rëndësinë e riintegrimit social përmes investimeve në arsimim, mbështetje psikologjike dhe formim profesional, duke u dhënë këtyre të rinjve mundësinë për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt.
“Qëllimi ynë është që këta të rinj të jenë vetëm në shërbim të shoqërisë dhe përparimit të vendit, duke i dhënë mundësinë të kontribuojnë pozitivisht në komunitet,” nënvizoi Lamallari.
Instituti i Edukimit dhe Rehabilitimit të të Miturve në Mëzez synon të përmirësojë sistemin e trajtimit të të miturve në konflikt me ligjin dhe të krijojë një model të integruar dhe të qëndrueshëm për trajtimin, edukimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri.
KOHA JONË SONDAZH

