Lambert Jorganxhi: Një këngë bëhet për t’u dëgjuar, jo për t’u parë
Intervista, kompozitori Lambert Jorganxhi për bashkëpunimin me këngëtaren Savjana Vjerdha
Një këngë bëhet për t’u dëgjuar, jo për vetëm për t’i parë videoklipin. Ky është kriteri mbi të cilin krijon punimet artistike kompozitori Lambert Jorganxhi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Jorganxhi flet për projektin më të fundit të realizuar në bashkëpunim me këngëtaren Savjana Vjerdha. Kënga “Edhe një herë” është prodhimi më i fundit i kompozitorit Jorganxhi.
Keni publikuar së fundi klipin “Edhe një herë” me këngëtaren Savjana Vjerdha. Cili është mesazhi kryesor i këngës?
Kënga “Edhe një herë”, e këngëtares Savjana Vjerdha ka pak ditë që është hedhur në treg. Mesazhi i këngës flet për njerëzit që duan të kthejnë gjënë tyre më të çmuar që i është larguar kohës, besoj se është një këngë që ka fabul dhe subjekt
Si është pritur kënga dhe si do e vlerësonit bashkëpunimin me Savjanën?
Kënga është pritur goxha mirë përveç faktit sepse është një këngë melodioze dhe jam mundur të bëj motivin sa më melodioz, që të godas që në momentin e parë dhe orkestracioni të kishte sa më frymë dhe stil alternativ rock. Bashkëpunimi me Savjanën ishte diçka shumë interesante, ku ajo i dha stilin dhe frymën e saj në këngë i dha një emocion të ri. Një këngëtare që premton në të ardhmen.
Si kompozitor, cilat janë kriteret mbi të cilat përzgjidhni këngëtarët për projektet artistike?
Me çdo këngëtar që bashkëpunoj për çdo material shikoj stilin e këngëtarit frymën shtrirjet vokale. Mendoj se për çdo këngëtare këngët duhen t’i bashkëngjiten aq mirë sikur t’i kenë krijuar vetë atëherë është një punë e bërë mirë.
Moda e fundit e klipeve shqiptare ka shumë eksperimente moderne, por edhe tallava dhe turbofolk amator. Ndërkohë, në krijimet tuaja ka një linjë komplet tjetër. Pse nuk zgjidhni të bëni muzikë komerciale?
Mendoj se në çdo klip dhe çdo zhanër ka vendin e vetë, duhet të mësohemi të bëjmë kompozime të reja, moderne unike dhe origjinale. Besoj se të gjithë jemi në një rrugë komerciale, por besoj se një këngë e mirë është ajo që është punuar mirë që ka vlera. Dhe duhet të bëjmë këngë që dëgjohen jo vetëm që shikohen.
Pas kaq vitesh në tregun e muzikës, sa e vështirë është të jesh artist në Shqipëri?
Për të qenë një artist në kohën e sotme ka bukurinë dhe vështirësinë e vet. Por mbasi një punë të madhe me pak fjalë me një guxim të fortë me një këmbëngulje të madhe arrin atë që do të bësh t’i nesër. Rëndësi ka që duhet të jesh në prodhimtari në çdo kohë.
Cili është problemi më i madh i kompozitorëve në Shqipëri?
Problematikat janë të ndryshme rëndësi ka që muzika duhet të kompozohet unike pa huazime. Duhet të ketë stilin dhe karakterin e vet. Sot interneti është i pafund dhe ka shumë mënyra huazimi në muzikë. Gjithsesi, mendoj se kemi shumë kompozitorë të mirë, ku kanë lënë perla në muzikën e lehtë shqiptare.
Cili do të jetë projekti artistik i radhës?
Pas këngës “Edhe një herë”, do jenë disa produksione të reja dhe këngë për Festivale. Mendoj këto kohë kam për të realizuar dhe një album me këngët dhe produksionet e fundit në një koncert Stage Live me një bande live dhe shpresoj ta përfundoj për pak kohë.
Më poshtë mund të ndiqni këngën “Edhe një herë”.
[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=R_t1d8t5UG8″ width=”560″ height=”315″]