Le të pinë nga sisët e saj: kjo Kombëtare themeloi Romën

 

Nga Alfred Lela

Edi Rama nuk e ka lënë të bjerret traditën e përdorimit prej politikës të ngjarjeve të tjera që kanë implikim kombëtar. Me një këmbëngulje djaloshare, shefi i qeverisë iu qep kombëtares së futbollit duke përpunuar një dekor, një zej ku është mjeshtër, me anë të të cilit po hijeshon njëqind të zezat e një partneriteti të vështirë me aleatin Meta; një qeverisje me krisje e prej së cilës dëgjohen krisma.

Swiss Digital Desktop Reklama

Meqë po ia rëndojmë kritikën, le t’i blatojmë edhe hakun zotit Rama.

Swiss Digital Mobile Reklama

Të themi se, për shembull, ai e ka bërë diçka për këtë Kombëtare. Stadiumin e Elbasanit, duke e nxjerrë përkohësisht nga mizerja e “Qemal Stafës” dhe “Loro Boriçit”, ku i luante më parë ndeshjet përfaqësuesja shqiptare.

Dje, gjatë takimit me ekipin e kualifikuar ai ka premtuar edhe Arenën kombëtare të futbollit, një dhuratë e merituar për skuadrën që i priu ëndrrës shqiptare për në Europianin Francë 2016.

Bashkë me nevojën e një stadiumi serioz, z. Rama artikuloi dje edhe njëfarë përçmimi për ata që iu turrën kombëtares pas humbjes me Serbinë. Sot ata kanë kaluar me brof në vagonin e madh të atyre që i quajnë luanë djemtë e kombëtares, por pas disfatës me Serbinë në minutat shtesë të ndeshjes, qenë në grupin e shigjetarëve. Kryeministri, megjithatë, harron ose shmang atë se, bash vetë ai qe në krye të kudhrës vluese ku u farkëtua ai shqyt i dobët që u shqye në duelin me serbët. Përvëlimi për të prodhuar një ndeshje dhe komb ‘politikisht korrekt’ prodhoi një frustrim që ndikoi edhe te leqet e lojtareve tanë.

Sigurisht, ndeshja me Serbinë nuk qe fundi i botës dhe djemtë e De Biazit ua dëshmuan këtë të gjithë atyre pamja e të cilëve nuk sheh larg një ndeshjeje.

Jo se gjithë të zezat errësojnë vetëm siluetën qeveritare.

Një sekt, kryesisht përbërë nga të margjinalizuarit e paepur, gjeti mjaftueshëm hutim publik për të artikuluar ‘tezën’ e një ndeshjeje të shitur e një të blerë. Jargët e këtij mëtimi kërkonin të linin tragën e një konspiracioni, sipas të cilit, ishte bërë një pakt disapalësh; që të qetësohej Serbia nëpërmjet një ‘shpagimi’ në Elbasan’ dhe tri pikët që duheshin për në Francë të ‘rregulloheshin’ në Erevan.

Atentat më të madh kundër skeptrit që sollën në Shqipëri djemtë e Kombëtares nuk mund të thurej.

Pandehmën në fjalë e daroviti edhe një ish-ministër socialist, tashmë deputet demokrat, në frëngjinë e tij të facebook-ut. Të gjithë në mënyrën e tyre kërkonin të milnin, të pinin ose të derdhnin nga qumështi që prodhonin sisët plot lajme, kundërthënie e entuziazëm të Kombëtares shqiptare.

Nuk i rezistoi, por iu dorëzua frenezisë edhe shefi i opozitës, Lulzim Basha, zakonisht i kthjellët në mjegullnaja të tilla, kur kërkoi lirimin e Ballist Morinës. Sikur ky arrestim të shkonte në kah të kundërt me kualifikimin e Kombëtares. Sikur Morina të ishte arrestuar për flamurin kombëtar e jo për dy “Zastava”, një gëzhojë plumbi e tri duzina biletash në makinë.

Arsyetimi i lirimit të Morinës se ai ka ‘dronin ma t’mir prej krejtve’ është si të lirosh Tunën  e kapur me drogë ngaqë ajo mund të ketë zogun të tillë.

Heronjtë e hamendësuar që u dashkan lejuar të jetojnë përtej ligjit janë një predispozitë primitive.

Për të mos folur për Spartakun e Pamposhtur të të gjitha prapaskenave, që u dha në burgun e Vaqarrit për t’u takuar me ‘ballistin më të famshëm në Shqipëri’. Nuk dihet, me porosi apo jo. Me apo pa çantën e zezë.

Me ç’shihet, të gjithë, nga pak por me ngulm, janë munduar të pinë nga sisët e mëdha të triumfit të përfaqësueses së futbollit.

Le ta bëjnë. Në fund të fundit, ajo nuk është një lopë e thjeshtë. Kjo kombëtare është ulkonja që themeloi Romën tonë të futbollit*.

*Legjenda e ka se një ulkonjë i shpëtoi dhe mëkoi me qumësht Romulin dhe Remin, dy foshnja që më vonë u bënë themeluesit e Romës. Një statujë që quhet Ulkonja Kapitoline gjendet edhe sot në Kampidolio.

MAPO

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?