Lefter Maliqi: Berati si Kavaja…
Flet për “Koha Jonë”, ish-deputeti demokrat që shpreson në kandidimin e tij për kryebashkiak të Beratit
Nëse do të përzgjidhet nga Partia Demokratike për të kandiduar për kreun e bashkisë së Beratit në zgjedhjet lokale në 21 qershorit, ai me siguri që ka për të realizuar një rokadë të vërtetë, duke e kthyer këtë bastion të njohur të së majtës në një fitore për të djathtën. Njësoj siç ndodhi në Kavajë, ku e majta përmbysi në zgjedhjet e fundit të djathtën. Kjo është pritshmëria e ish-deputetit demokrat, Lefter Maliqi, pohuar gjatë një interviste të tij për “Koha Jonë”. Duke listuar më tej edhe argumentat që sipas tij, me siguri do ta çojnë drejt një fitoreje të sigurt, edhe pse qarku i Beratit me ndarjen e re territoriale i nënshtrohet një situate jo dhe aq të favorshme për të djathtën …
Intervistoi: Fernada Cenko
Z. Maliqi, është përfolur edhe nga komuniteti që ju vini se do të kandidoni për kreun e Bashkisë Berat. E vërtetë?
Partia Demokratike ka deklaruar se nuk ka zgjedhje me këtë ndarje territoriale. Por nëse PD-ja do të hynte në zgjedhje me këtë ndarje territoriale, unë do t’u përgjigjesha pozitivisht strukturave të PD-së dhe për herë të parë do korrej një sukses, do të ndodhte ndryshimi dhe rotacioni ashtu siç ndodhi në Kavajë në vitin 2011 kur fitoi koalicioni i majtë.
Ku e gjeni këtë guxim, pasi nga përllogaritjet me këtë ndarje Bashkia e Beratit hyn në zgjedhje me një minus prej afro 5 mijë votash si bastion më i majtë në vend?
Analiza e juaj është e vërtetë, pasi Bashkia Berat dhe katër komunat që bashkohen drejtohen nga të majtët me fitore të thellë, edhe pse ne kemi qene në pushtet edhe në koalicion me LSI-në. Kështu që çdo kandidat nga e djathta me këtë ndarje duhej të mendohej mirë. Dhe unë jam menduar mirë.
a. Kam testuar grupe me prejardhje të ndryshme politike të popullatës dhe jam i vendosur më tepër se kurrë. Gjithmonë nëse do të ma besojnë strukturat e partisë, të cilat do t’i siguroj që nuk do t’i zhgënjej.
b.Përvoja ime si ish-kryetar i njërjës prej komunave më të mëdha të rrethit (që me këtë ndarje i bashkohet Beratit), si ish-drejtues i rendit dhe eksperienca ime si deputet ka treguar që unë kam qene në shërbim të banorjëve pa nuanca politike.
c.Gjurmët e lëna nga ana ime në rrethin e Beratit me punë në disa lagje, si edhe ndihmesa e përvitshme ndaj familjeve në nevojë, fëmijëve jetimëve, të verbërve dhe invalidëve.
d.Të gjitha argumentet e mësipërme kanë çuar në atë që unë në çdo konkurrim kam marrë vota nga të gjithë grupet shoqërore dhe politike (sidomos), kur votohet direkt për kandidatin.
Z. Berisha është larguar nga PD-ja, ju i keni bërë një këngë. Si i keni marrëdhëniet me të? Po me zotin Basha?
Këngën z. Berisha ia ka bërë populli dhe populli vazhdon ta dojë. Jam i sigurt se me këtë qeverisje do t’i këndojnë jo vetëm nga Vlora, por edhe nga krahina të tjera. Mosmirënjohja është e neveritshme. Z. Basha është kryetari im, i cili do ta çojë PD-në në fitore për të ndalur këtë pasiguri, varfëri që ka pllakosur vendin nga kjo keqqeverisje.
Çfarë u premtoni ju qytetarëve të Beratit, pasi prej premtimeve vijnë edhe votat?
Jam mësuar duke lënë gjurmë. Ndryshova për tre vjet infrastrukturën, ujësjellës-kanalizime, qendra shëndetësore dhe kulturore, shkolla e të tjera. Do të rritet numri i të punësuarve duke ndërtuar ndërmarrje të madhe ndërtimi dhe mirëmbajtje me të gjitha kapacitet njerëzore dhe mjetet e punës, duke shmangur abuzimet më tenderat. Për herë të parë, do të kthehet besimi i premtimeve të kthyera në vepra me rrugë të shtruara kudo, gjelbërim, kanalizime, ujësjellësa, qendra shëndetësore dhe arsimore, pallatit të kulturës, stadiumit dhe ekipit ‘Tomori’. Kam një projekt edhe për zhvillimin e lagjeve muzeale.
Po në drejtim të shëndetësisë a keni ndonjë projekt?
Projekti “Një qytet i shëndetshëm” ofron një platformë të shkëlqyer për të mundësuar përpjekjet e bashkërenduara për të gjithë sektorët e komunitetit, për të punuar së bashku në partneritet për të përmirësuar shëndetin e qytetit ku jetojmë. Qyteti i Shëndetshëm do të synojë përmirësimin e shëndetit të banorëve të qytetit nëpërmjet përmirësimit të kushteve të jetesës dhe shërbimeve më të mira shëndetësore, në bashkërendim me aktivitete të ndryshme të zhvillimit urban. Një qëllim themelor i qytetit të shëndetshëm është të sjellë së bashku partnerë të sektorit publik, privat dhe vullnetare për t'u fokusuar në shëndetin urban dhe për të trajtuar çështjet e shëndetit në një mënyrë të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Berati është i shëndetshëm kur ai siguron zhvillimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve fizike dhe sociale, promovon shëndetin e mirë dhe një cilësi jetese të lartë për banorët.
Dmth ju mendoni se do të sillni një rokadë si ajo që ndodhi në Kavajë, ku bastioni i djathtë u kthye në i majtë?
Po. Kjo do të ndodhë, sepse zhgënjimi i banorëve të Beratit nga keqqeverisja lokale dhe ajo qendrore do t’i ndëshkojë me votë masive dhe unë besoj te imazhi dhe mbështetja që unë gëzoj tek të gjithë qytetarët pa dallim bindje politike, pavarësisht xhelozive politike. Jam shumë i përkushtuar për të ndryshuar rrënjësisht situatën e menaxhimit në atë qytet, duke krijuar dhe instaluar bashkëpunimet për të udhëhequr procesin. Përpara janë sfida të mëdha dhe jo të pakta. Nga unë kërkohet zgjidhje dhe çdo zgjidhje do të na çojë në sfida të reja, por edhe në arritje të reja. Jam i motivuar për të lëvizur përpara. Reformimi dhe ndryshimi është i pashmangshëm në këtë qytet. Puna “në grup” dhe bashkëpunimi me qytetarët do të jetë çelësi i suksesit.
Jeni i sigurt se do të sfidoni edhe kandidatët që do të përzgjedhë LSI-PS?
Mos harroni Kavajën! Nuk do të pranoja të hyja në garë pa siguri në fitore.