Legalizimet, kush përfiton falje të pagesës së truallit
Zyrtarizohen ndryshimet e realizuara nga qeveria në vendimin ekzistues “Për çmimin favorizues të shitjes së parcelës ndërtimore për ndërtimet pa leje me funksion banimi dhe të përzier, të subjekteve që përfitojnë falje të pagesës, si dhe të mënyrës e afateve të pagesës”. Kështu, sipas tyre, shtohet pika me këtë përmbajtje: “Për poseduesit e ndërtimeve pa leje, që kanë statusin e invalidit të punës ose që kanë bashkëshortë me këtë status, me paraqitjen e dëshmisë zyrtare përkatëse, pranë drejtorisë së ALUIZNI-t, detyrimi financiar për parcelën ndërtimore zbritet në masën -50%, nga vlera e përllogaritur. Sikundër shtohet edhe pika tjetër: “Subjektet e parashikuara përfitojnë vetëm një herë faljen apo zbritjen nga detyrimi për parcelën ndërtimore, cilido qoftë funksioni i ndërtimit. Lehtësitë, sipas pikave të mësipërme, përfitohen për ato ndërtime për të cilat nuk është shlyer ende detyrimi financiar për parcelën ndërtimore. Këto lehtësi aplikohen pavarësisht nëse subjektet kanë përfituar legalizim të ndërtimeve të tjera, përpara datës 4 gusht 2014”.
“Përfitojnë faljen apo zbritjen e detyrimit për parcelën ndërtimore subjektet që janë aplikues për legalizim ose që u janë njohur të drejta mbi ndërtimin pa leje, me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nuk përfitojnë lehtësitë, për shkak të statusit të veçantë, të këtij vendimi, subjektet, të cilëve u është transferuar e drejta e legalizimit të ndërtimit pa leje përmes një veprimi juridiko-civil”, pohon më tej vendimi i ri, i ndryshuar i qeverisë.
Për të përfunduar me faktin se “bashkësitë fetare, që kanë lidhur marrëveshje me Këshillin e Ministrave, për objektet e kultit, institucionet e arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar, objektet me destinacion për shërbime sociale a shëndetësore, përjashtohen nga pagesa për parcelën ndërtimore”.
Teksa ky përjashtim thuhet se vlen edhe për objektet e tjera të tyre.
BASHKËSITË FETARE
Ato që kanë lidhur marrëveshje me Këshillin e Ministrave, për objektet e kultit, institucionet e arsimit parashkollor, para-universitar dhe universitar, objektet me destinacion për shërbime sociale a shëndetësore, përjashtohen nga pagesa për parcelën ndërtimore”. Teksa ky përjashtim thuhet se vlen edhe për objektet e tjera të tyre.
PROCEDURAT
– Kur kalimi i së drejtës së pronësisë është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, përpara datës 31.12.2015, dhe nuk është lëshuar ende leja e legalizimit, ALUIZNI njofton subjektin për detyrimin financiar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë vendim.
– Subjekti ka 60 ditë afat për shlyerjen e detyrimit financiar.
– Për subjektet posedues të ndërtimeve pa leje, që janë njoftuar nga ALUIZNI për detyrimin financiar deri në datën 31.12.2015, për të cilët nuk është lëshuar ende leja e legalizimit, do të respektohet afati 6-mujor për shlyerjen e detyrimit, duke filluar nga data e njoftimit.
– Në rast mospagese të detyrimit financiar, sipas afateve të përcaktuara në këtë pikë, ALUIZNI miraton lejen e legalizimit dhe e dërgon për regjistrim me hipotekë ligjore.
– Të drejtat, detyrimet dhe procedurat e parashikuara në krerët II e III, të këtij vendimi, zbatohen si për objektet pa leje edhe për shtesat në ndërtime me leje, që i nënshtrohen kalimit të pronësisë mbi parcelën ndërtimore.