Leja e lindjes, sa përfitojnë gratë duke nisur nga janari?

Duke nisur nga 1 janari i vitit të ri në të cilin kemi hyrë, gratë shqiptare të cilat lindin një fëmijë, do të marrin një pagesë të re të lejes që përfitojnë prej saj. Dhe kjo, falë hyrjes në fuqi të një ligji të posaçëm të miratuar nga qeveria shqiptare që në muajin korrik të vitit të kaluar, por që efektet e të cilit nisin zbatimin e tyre pikërisht nga 1 janari 2015. Konkretisht, siç edhe ka analizuar “Open Data Albania” rreth zbatueshmërisë në realitet të këtij ligji, nuk ka ndryshuar afati i zgjatjes së një leje lindjeje. Ai përcakton se kohëzgjatja maksimale e lejes së lindjes në Republikën e Shqipërisë mbetet 365 ditë dhe gjatë kësaj periudhe gruaja me leje lindje merr përfitimet në varësi të statusit të saj të punësimit. Madje nuk kanë ndryshuar as kriteret e përfitimit të lejelindjes duke parashikuar si kusht përfitimi, detyrimin për të patur 12 muaj periudhë sigurimi për çdo rast leje lindje, që siç e thamë më lart  nuk ka ndryshuar. Porse ajo që ndryshon është pikërisht baza mbi të cilën përllogaritet përfitimi financiar i një gruaje që merr lejen e lindjes. Konkretisht, në llogaritjen e masës së përfitimit ndryshimet ligjore kanë futur konceptin Pagë Neto si një koncept kontabël, kundrejt konceptit dhe termit që njeh e Drejta e Punës e që është Paga. Paga apo në terminologjinë kontabël Paga Bruto, është shpërblim i të punësuarit (punëmarrësit) për punën e kontraktuar. Nga paga bruto zbritet 9.5% e pagës si pehsa e sigurimit shoqëror që i përket punëmarrësit apo të punësuarit; zbritet 1.7% e pagës si pjesa e sigurimeve shëndetësore të paguara nga punëmarrësi i punësuari; gjithashtu zbritet tatimi mbi të ardhurat nga paga i cili ndryshon sipas vlerës së pagës. Ajo çka mbetet përbën atë që në kontabilitet njihet si Paga Neto dhe është pjesa e pagës që i punësuari merr neto. Paga Neto është gjithnjë më e ulët se Paga Bruto. Dhe diferenca mes tyre, në varësi të pagës është nga -11.2% për pagat e patatueshme, deri në -34.2% për pagat që tatohen në masën 23%. Për ekspertët, ndryshimet ligjore shënojnë edhe disa risi në favor të përfituesve, si  për shembull: përjashtimi nga ky rregulli i detyrimit për të pasur 12 muaj sigurim për çdo barrë lindje  rasti kur barrë lindjen e radhës ndodh brenda 24 muajve nga data e lindjes së fëmijës së mëparshëm. Gjithashtu, pas periudhës 63 ditë pas lindjes të drejtën për leje kujdesi nga fëmijës e ka edhe babai ose birësuesi i siguruar nëse këtë të drejtë nuk e ushtron apo nuk ka kushte për ta përfituar nëna. Përfitimet që vijnë nga leja i lindjes në vendin tonë paguhen tërësisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

 

PËRLLOGARITJA

Pagat bruto nga 30

deri 150 mijë lekë

 

Duke filluar nga 1 Janar 2015 e ardhura për gruan e

 punësuar do jetë për gjashtë muajt e parë të leje lindjes:

a) 80%

E mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes të së drejtës për pagesë për periudhën e paralindjes dhe për 150 ditë kalendarike pas lindjes. Koncepti Bazë Neto i shtuar në Ligj, ka sjellë efekte pakësuese në përfitimin e leje lindjeve pas datës 1 janar 2015 kundrejt leje lindjeve të për fituara deri në 31 dhjetor 2014. Konkretisht, një grua që ka pagën e deklaruar tridhjetë mijë lekë, nëse do të merrte leje lindje para datës 31 dhjetor 2014 do të përfitonte në gjashtë muajt e parë pagesën për leje lindje mujore prej 24.000 lekë; nëse ajo merr leje lindje pas datës 1 janar 2015 përfitimi mujor në gjashtë muajt e parë të leje lindjes do të jetë vetëm 21.312 lekë.

Ndërsa në gjashtëmujorin e dytë përfitimi përllogaritet si:

b) 50%

E mesatares ditore të bazës së vlerësuar neto të dymbëdhjetë muajve të fundit nga data e lindjes së të drejtës për pagesë për periudhën tjetër në vazhdim. Për një grua që ka bazë të vlerësueshme pagën e saj të 12 muajve të fundit, ndryshimi mes përfitimit nëse do të marrë leje lindje deri në datën 31 dhjetor 2014 me rastin kur leje lindja merret në 1 janar 2015 do të jetë gjithashtu i pakësuar.

 

 

 

 

 

SHKARKO APP