Lejet e ndërtimit rriten me 607 % nga zgjedhjet lokale, kryesojnë Tirana e Durrësi

 

 

Lejet e ndërtimit pësuan një rritje të vrullshme në prag të fushatës së zgjedhjeve lokale, sidomos në Tiranë. Sipas Buletinit Statistikor të INSTAT në tremujorin e dytë 2015 janë miratuar gjithsej 99 leje ndërtimi, me një sipërfaqe rreth 214.225 metër katror, nga vetëm 14 leje të miratuara në tremujorin e parë të këtij viti.

Nga 99 lejet e ndërtimit që janë lëshuar në të gjithë vendin në tremujorin e dytë vetëm në Tiranë janë dhënë rreth 70 për qind e tyre ose 64 leje. Pjesa tjetër, 23 leje janë në qytetin e Durrësit. Në Berat është dhënë vetëm një leje në Vlorë tre leje, në Fier 4 leje dhe në Shkodër katër leje.

Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa rezidente (ku përfshihen ndërtesat për banim) zë 21,2 % të numrit gjithsej të lejeve, ndërkaq numri i lejeve miratuar për ndërtesa jo rezidente (ku përfshihen ndërtesat për hotele, tregtare, industriale dhe të tjera) zë 78,8 %.

Lejet e miratuara për ndërtesa zënë 55 % të vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit miratuar në tremujorin e dytë 2015, ndërkaq lejet e miratuara për punime inxhinierike zënë 45 % të vlerës së përafërt të lejeve gjatë së njëjtës periudhë.

Gjatë këtij tremujori, numri i lejeve të ndërtimit të miratuara për ndërtesa të reja është përqendruar në qarkun e Tiranës me 64,6 % dhe Durrësit me 23,2 %./Monitor/

SHKARKO APP