Lëndët kimike si armë dhe Shqipëria
Nga Qemal Poçi
Historia
Fillimi i vrojtimeve empirike rastësore me helme me origjinë bimore e shtazore i përket antikitetit të lashtë. Disa helme, si arseniku, oksidi i karbonit (CO), belladonna, kurare etj. njiheshin prej kohëve të vjetra në Greqi, Egjipt, Romë, Indi etj. Më vonë këto helme dhe të tjerë u përdorën kundër kundërshtarëve: Pa zhurmë, pa gjak, pa dhimbje dhe papritur e pakuptuar, nga përdorimi kriminal i tyre kanë gjetur vdekjen perandorë e papë, kurtizane edhe persona publikë etj.
Mendimi mbi mundësinë e përdorimit të lëndëve kimike për qëllime luftarake ka ekzistuar qysh në kohërat më të lashta. 2.300 vjet me parë, spartanët dogjën squfur të përzier me dyll në muret e qyteteve Athinë, Pllatega, Ambrocia dhe Bellium për të detyruar armikun të dorëzohej. 1.500 vjet më parë, bizantinët përdorën “zjarrin grek” – një përzierje squfuri, tutkalli, dylli dhe vaji, gjatë djegies së të cilëve formohet gaz mbytës, për t’u mbrojtur nga arabët. Në vitin 1850 gjenerali francez Pelisje, mbyti në Afrikën e Veriut me anën e tymit një fis të tërë kabilësh që ishin strehuar nëpër shpella.
Historitë e kësaj natyre janë të shumta.
Por, 22 prilli i vitit 1915, hapi një epokë të re, që qe edhe fillimi i lindjes së armës kimike, si armë e dëmtimit në masë. 22 prillit 1915, i paraprinë edhe disa kushte objektive për kohën. Në fund të shekullit XIX u krijua mundësia reale e luftës kimike. Zhvillimi i kapitalizmit, i forcave prodhuese, shkencës dhe teknikës, zhvillimi i industrisë ushtarake, përcaktuan edhe një drejtim të ri të toksikologjisë në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX. Ato ndikuan në veçimin e një dege të re të toksikologjisë – krijimit të toksikologjisë ushtarake.
E shikuar në këtë prizëm, toksikologjia ushtarake dhe bashkë me të, edhe përdorimi i armës kimike, përfshin disa periudha:
Periudha e parë përfshin vitet e Luftës së Parë Botërore (1914-1918), fillimi i së cilës nis me 22 prillin e vitit 1915, kur nga goditja e papritur me klor u dëmtuan 15.000 veta dhe gjetën vdekjen 5.000 prej tyre. Më 31 maj 1915, ushtria gjermane përdori në mësymjen kundër rusëve në frontin perëndimor të Varshavës klor në formë gazi, nga i cili gjetën vdekjen 9.000 vetë. Të gjetur në befasi nga këto goditje, filloi studimi për gjetjen e mjeteve të mbrojtjes së organeve të frymëmarrjes nga gazet lotuese. Për këtë, filluan të përdoren përzierje të lëndëve kimike.
Në dhjetor 1915 u përdor përzierja e fosgjenit dhe difosgjenit. Në maj 1916 gjermanët përdorën klorpikrinën e përzier me disfogjen. Klorpikrina qe LHL e parë që e përshkoi kundërgazin e lagur. Kjo, dhe futja e LHL të tjera me efekt ngacmues si kloraceton, bromaceton, difeniklor-klororsin etj kushtëzuan prodhimin e kundërgazit të thatë, që përmbante karbon të aktivizuar dhe mbronte organet e frymëmarrjes dhe sytë nga çdo LHL e kohës.
Nga ana e vet, gjermanët studiuan LHL të reja, të cilat mund të futeshin në trup edhe nëpërmjet lëkurës së pambrojtur dhe të padëmtuar. Më 13 korrik 1917 gjermanët përdorën një LHL të re në luginën e lumit Ipër në Belgjikë, e cila qe një lëndë helmuese luftarake, e qëndrueshme, që veç organeve të frymëmarrjes dhe syve, futej në organizëm nëpërmjet lëkurës së shëndoshë dhe shkaktonte dëmtime si lokale mbi lëkurë, ashtu edhe helmimin e të gjithë organizmit. Lënda u quajt iprit, në kujtim të lumit që u përdor. Ajo u quajt edhe “gazi mustard” pasi mban erën e hudhrës. Emërtimi kimik i ipritit është diklordietilsulfit.
Nga përdorimi i ipritit humbjet e kundërshtarëve ishin 8 herë më të mëdha se të gjitha humbjet e shkaktuara para datës 13 korrik 1917 nga të gjitha lëndët helmuese që kishin përdorur gjermanët deri para 13 korrikut 1917.
Vlen të theksohet, se edhe pse për LHL janë bërë me mijëra studime dhe lista e LHL-ve në arsenalin kimik të vendeve të ndryshme me kalimin e kohës ndryshoi, ipriti mbeti në armatimin kimik të të gjitha vendeve deri në fund të Luftës së Ftohtë (dhe vazhdon edhe sot), kur në armatimin kimik të shteteve të ndryshme ka vetëm 7 lëndë helmuese luftarake.
Nga përdorimi i armës kimike në Luftën e Parë Botërore u dëmtuan 1.3 milion njerëz, prej të cilëve vdiqën rreth 100.000 vetë. Gjatë Luftës së Parë Botërore u harxhuan 140.000 ton LHL të ndryshme.
Periudha e dytë
Fillon pas Luftës së Parë Botërore (1920-1939). Kjo periudhë përfshin disa drejtime: Së pari u kryen punime intensive në lëmin e kimisë toksikologjike të LHL që u përdorën gjatë Luftës së Parë Botërore:
Për studimin e mekanizmit të veprimit të tyre në organizmin e njerëzve dhe të kafshëve (me iprit, fosgjen, e difosgjen, arsina ngacmuese, acid cianhidrik etj. U studiua profilaksia ndaj tyre, mbrojtja kundërkimike individuale, mundësia e mjekimit antidot specifik etj. Këto studime u mbështetën në një material shumë të pasur klinik faktik, në vrojtimet dhe mjekimet e viktimave të luftës së kaluar.
Në vitin 1918 u sintetizua lënda helmuese luftarake me veprim mbi lëkurë, nga shkencëtari amerikan Ljuis, që u quajt luizit, emërtimi kimik i të cilës është klorvinil diklorarsin, pasi elementi toksik i tij është arseniku. Luiziti, krahas veprimit lokal mbi lëkurë, në saje të arsenikut, i cili në vetvete është helm kapilar, helm nervor dhe helm me veprim qendror, shkakton edhe helmimin e përgjithshëm të rëndë të organizmit. Luiziti nuk u përdor në Luftën e Parë Botërore.
Në vitin 1935 u sintetizua edhe përfaqësuesi i tretë i LHL me veprim mbi lëkurë- ipriti azotik, që ka emërtimin kimik të triklortrietilaminës.
Por në këtë periudhë, arma kimike u përdor edhe në disa luftëra lokale. Në vitin 1936 Italia përdori ipritin kundër Abisinisë në brigjet e liqenit Ashongi. Nga ky sulm kimik gjetën vdekjen 30.000 vetë dhe kjo iu solli fitoren italianëve. Gjatë viteve 1937-1943, japonezët i përdorën LHL disa herë kundër kinezëve.
Periudha e tretë
Kjo periudhë e zhvillimit të armës kimike përfshin vitet 1939-1945, Lufta e Dytë Botërore. Në këtë periudhë merr një zhvillim të madh, sidomos nga gjermanët, studimi i grupit të quajtur LHL fosfororganike, të quajtura ndryshe eteret organike të acidit fosforik, ose LHL neuroparalitike, gaze nervore, apo LHL antikolinesteroze.
Nga ky grup nga gjermanët u sintetizuan: Në vitin 1936 gazi tabun (GA), në vitin 1938- gazi zarin (GB) dhe në vitin 1944- përfaqësuesi i tretë –zoman (GD). Edhe pse gjatë luftës gjermanët nuk i përdorën LHL neuroparalitike kundër forcave të koalicionit nazifashist, ata e përdorën këtë grup tek robërit në kampin e Aushvicit, ku gjetën vdekjen 4.5 milion vetë. Për këtë qëllim gjermanët përdorën gazin zarinë (GB) si dhe acidin cianhidrik, të quajtur ndryshe “Ciklon B”.
Në prill të vitit 1945, Gjermania ishte në gjendje të prodhonte 12.000 ton tabun. Me mbarimin e luftës, amerikanët zunë në Gjermani, një depo me 250.000 ton lëndë helmuese luftarake.
Krahas grupit neuroparalitik, gjatë kësaj periudhe, filloi studimi i LHL halucinogjene ose psikomimetike ose ndryshe psiqikokimike, siç qenë: dietilamina, acidi lizergjinik (LSD-25), meckalina, psilocibina, pejot etj.
Pas Luftës së Dytë Botërore, u kryen studime të shumta për armën kimike: për gjetjen e LHL të reja për përsosjen e mjeteve të vrojtim – sinjalizimit, për gjetjen dhe perfeksionimin e mjeteve të zbulimit kimik, për gjetjen dhe perfeksionimin e mjeteve të hedhjes dhe përdorimit të LHL etj. Në këtë periudhë u bënë studime të shumta për mjekimin antidot (kundërhelmues) për degazimin e LHL në trupin e njerëzve dhe kafshëve, të territorit dhe teknikës luftarake, për mbrojtjen individuale dhe kolektive nga arma kimike.
Kësaj periudhe i përket prodhimi i LHL më të fuqishëm të grupit neuroparalitik Vx, krijimi i sistemit automatik i zbulimit dhe lajmërimit të LHL neuroparalitike etj. Një vend të rëndësishëm në këtë drejtim kanë luajtur suedezët.
U shtua bashkëpunimi midis shteteve për krijimin e korporatave për studimin dhe prodhimin e armës kimike dhe biologjike, u bë skalionimi i arsenaleve të këtyre armëve etj. Kësaj periudhe i përket edhe studimi dhe prodhimi i një grupi të ri- të herbicideve dhe defolianteve – lëndë helmuese për dëmtimin e bimësisë.
Megjithëse prej Luftës së Dytë Botërore, shërbimi kimik ka përpunuar me qindra lëndë helmuese, vetëm shtatë prej tyre ndodhen në kohën e sotme në armatimin kimik. Midis tyre hyjnë dy neuroparalitikë vdekjeprurës (zarinë dhe Vx), një LHL dermoabsceduese (iprit), një LHL psikokimike (BZ) dhe tre LHL policore: CS, kloracetofenon dhe adamsit.
Gjatë periudhës së pas Luftës së Dytë Botërore, arma kimike është përdorur në disa konflikte lokale si psh. Izraeli kundër Palestinës, Iraku kundër Iranit, Bashkimi Sovjetik në Afganistan, ShBA në Indokinë etj.
Në kohën e sotme ka mjete të tilla të hedhjes që mund ta çojnë LHL në çdo skaj të globit me saktësinë më të madhe.
Përfundimi i Luftës së Ftohtë i gjeti shtetet kryesore, jo vetëm të aleancave ushtarake (Traktati i Varshavës dhe NATO) me rezerva të mëdha të armëve kimike. Për uljen e rrezikut të tjetërsimit dhe përdorimit të tyre, në nëntor të vitit 1991, senatori Lugar dhe ish senatori Nuun (të ShBA), u bënë autorë të ligjit Nuun- Lugar, që krijoi programin e Reduktimit të Kërcënimit. Ky program ka siguruar fonde dhe ekspertizë për të ndihmuar ish Bashkimin Sovjetik, për ruajtjen dhe çmontimin e mbetjeve të panumërta nukleare, të armëve kimike dhe biologjike, si dhe materialeve që lidhen me to e shpërndarjen e tyre. Midis të tjerave, ky program për armën kimike, parashikonte marrjen në ruajtje të përmirësuar 12 vendruajtje armësh kimike si dhe monitorimin e tyre nëpërmjet sistemeve përkatës të ndërtuar. Midis të tjerave, program Nuun-Lugar siguron dhe shkatërron armët kimike, biologjike dhe bërthamore.
Mbi bazën e programit Nuun-Lugar, në vitin 2007 u shkatërruan në Shqipëri 16 ton mbeturina të ipritit mësimor dhe LHL të tjera.
Një histori më vete është përdorimi i armës kimike në Siri nga Assadi kundër popullit të pambrojtur më 21 gusht 2013. Por, për pasqyrimin e tij dhe rrjedhojat që solli ai në Shqipëri, ndofta do të duhet një shkrim i veçantë, sidomos edhe për dy arsye madhore: për sharlatanizmin “profesional” që u përdor për “sqarimin” e këtij krimi dhe pasojat agresive dhe politike që mund të çonte realizimi i “skenarit” në Shqipëri.
Armët kimike në Shqipëri
Por, a ka pasur Shqipëria armë kimike dhe, a ka qenë ajo e aftë ta përdorë armën kimike, kundër të tjerëve?
Për të sqaruar këtë, duhet të sqarojmë: ç’janë LHL, ç’është arma kimike dhe ç’është arsenali kimik. Lëndë helmuese luftarake (LHL) quhen ato përbërje kimike, djegëse, tymformuese etj, të cilat plotësojnë disa kushte dhe kanë disa cilësi, që bëjnë të mundur përdorimin e tyre luftarak për dëmtimin e njerëzve, kafshëve dhe bimëve; për ndotjen e terrenit ku kryhen veprimet luftarake, të teknikës luftarake, pellgjeve ujore, godinave etj.
Nga sa shtjelluam në këtë shkrim, del se pavarësisht studimit të qindra e mijëra LHL, në fund të luftës së ftohtë, në armatimin kimik të shteteve të ndryshme kanë qenë vetëm katër grupe me LHL, me një total prej vetëm shtatë LHL:
Grupi i parë: neuroparalitik- zarin dhe Vx, të destinuara për të shkaktuar vdekje të shpejtë të kundërshtarit (brenda disa minutave). Vendi ynë në regjimin që lamë pas nuk ka patur as zarin, as Vx.
Grupi i dytë i LHL përbëhej vetëm nga një përfaqësues – ipriti ( i cili qe i destiluar, ose viskoz me qëndrueshmëri të lartë). Ipriti destinohet si LHL e qëndrueshme që ndot territorin etj. për një kohë të gjatë dhe e nxjerr fushën e betejës ose objektet për një kohë të gjatë, jashtë luftimit. Po ashtu, personi i dëmtuar nga ipriti, edhe sikur të jetë dëmtuar me doza vdekjeprurëse, shenjat e helmimit të përgjithshëm i shfaq pas një kohe relativisht të gjatë. Kështu që, i dëmtuari, qoftë edhe rëndë ose mund të mbrohet me mjetet individuale kundërkimike, ose ai nxirret nga zona e dëmtuar dhe t’u nënshtrohet degazimit ose mjekimit specifik. Helmimi, edhe sikur të jetë vdekjeprurës, zgjat mjaft kohë dhe mundësitë e shpëtimit të tij nga vdekja janë të mëdha. Por, edhe iprit të mirë luftarak, (të pastër, të distiluar, apo viskoz), ne nuk kemi patur. Por, ne kemi patur sasi të vogla të ipritit mësimor, që përmbante vetëm 5% lëndë aktive dhe 95% tretës organikë jo toksik. Ai tek ne është përdorur për stërvitje të trupës në teren, për të imituar një vatër të dëmtimit kimik. Atje forcat tona kimike do të degazonin terrenin, do ta çdëmtonin zonën, duke qenë të pajisur me mjete speciale individuale të mbrojtjes kundërkimike. Edhe sikur ndonjë person i veçantë i pakujdesshëm të helmohej aksidentalisht, shkalla e helmimit do të qe 20 herë më e vogël, se sa helmimi me iprit luftarak 100% të pastër. Pra, iprit luftarak ne nuk kemi patur.
Grupi i tretë i LHL- psikogjenet ka vetëm një LHL-BZ. Ai tek ne nuk ka ekzistuar asnjëherë.
Grupi i katërt përfshin të ashtuquajturin grup të LHL ngacmuese- lotues ose teshtitës që përfaqësohet nga tre LHL : koracetofenon, adamsit dhe CS. Ne nuk kemi patur as CS, as adamsit, por sasi të vogla të kloracetofenonit-ky grup quhet ndryshe edhe LHL policore dhe mund të përdoret për stabilizimin e situatave brenda çdo vendi në raste revoltash.
Përfundimisht, Shqipëria nuk ka patur LHL të mirëfillta luftarake nga ato që kanë qenë në armatimin kimik të vendeve të tjera. Kemi patur vetëm 16 ton iprit mësimor, sasi të vogla të klorpikrinës –LHL ngacmuese –asfiktike, që është përdorur vetëm në luftën e parë botërore për qëllime luftarake. Po ashtu, kemi patur sasi të vogla (jo me ton dhe kuintal, por me kg- iprit luftarak dhe luizit që ne i kemi përdorur për studime shkencore. Vonë kemi sjellë sasi të vogla kloracetofeni.
Por, edhe sikur 16 ton LHL që kishim ne, të ishin LHL të pastra, sasia e tyre nuk mjaftonte të përdorej qoftë edhe vetëm për një goditje kimike kundër kundërshtarit. Mjafton të themi, se për të kryer një goditje kimike kundër një qyteti të madh, metropol, duhen 250 ton Vx, ose 2.500 ton zarin, ose mbi 10.000 ton iprit luftarak. Sqaroj, se ne nuk kemi patur industri kimike për prodhimin e LHL të mirëfillta, të kohës.
LHL nuk është armë (ashtu sikurse edhe baruti apo eksplozivi në depo). Që LHL të bëhet armë kimike, ajo duhet të mbushet ne municione, kurse këto të fundit të vendosen në mjetet e hedhjes. Sqarojmë se ne nuk kemi patur asnjë raketë tokë- tokë për të goditur kundërshtarin jashtë vendit.
Shqipëria nuk dispononte armë kimike, nuk ishte përgatitur për të kryer goditje kimike, por vetëm përgatitej për t’u mbrojtur nga një sulm i mundshëm kimik. Për t’u mbrojtur nga arma kimike e kundërshtarit të mundshëm, ushtria jonë ka patur një shërbim kimik të mirëorganizuar nga qendra në baze. Në MMP ka qenë drejtoria kimike, nëpër njësi (korpuse apo divizione) kemi patur shefin e shërbimit kimik, kemi patur inxhinierë të mirëpërgatitur jashtë shtetit apo pranë fakultetit të kimisë ushtarake në akademinë ushtarake në Tiranë.
Si institucion kërkimor shkencor, por edhe në ndihmë të shërbimit kimik në bazë, në Tiranë kemi patur Qendrën Kërkimore Kimiko-Ushtarake, (e quajtur ndryshe Laboratori Qendror i kimisë i MMP). Ushtria qe kompletuar me mjete të mbrojtjes individuale kundërkimike –kundërgaze, pelerinë mbrojtëse, kostume special etj. si edhe të gjithë bazën e nevojshme materiale për kryerjen e detyrave. Laboratori Qendror i Kimisë ka kryer një seri studimesh, eksperimentesh dhe detyrash.
Në vitin 1968, me ndihmën e kinezëve u ngrit Laboratori Special i Shëndetësisë së MMP me sektorët toksikologji (A Kimike), baktereologji –arma baktereologjike dhe radiobiologjike – për studimin e faktorëve dëmtues te armës atomike.
Meqenëse unë pas mbarimit të akademisë në Moskë, kisha kryer një kurs specializimi për mbrojtjen nga arma kimike, kam punuar pranë këtij laboratori si toksikolog prej vitit 1968 deri në vitin 1972, kohë kur mbas një specializimi të dytë në Kinë për armën kimike, shërbimi veterinar ushtarak, krijoi Laboratorin Special Veterinar me sektorët toksikologji, radiobiologji, bakterologji dhe kirurgji luftarake. Këtë laborator e drejtoja unë deri në vitin 1977, kur ne u bashkuam me Institutin e Kërkimeve Veterinare (IKV)..
Pranë IKV sektori i toksikologjisë ushtarake të ish Laboratorit Special Veterinar, krijoi Laboratorin e toksikologjisë ushtarake pranë sektorit të toksikologjisë të Institutit, të cilën jo vetëm që e ngrita dhe e organizova, por edhe e drejtova deri sa dola në pension.
Laboratori Special Veterinar (në ushtri apo pushtet) ka kryer mjaft studime për armën kimike. Është studiuar hollësisht klinika e helmimit të kafshëve të ndryshme laboratorike dhe bujqësore më zarin, në shkallë të ndryshme helmimi (të lehtë, të mesme, të rëndë dhe 3-4 doza vdekjeprurëse). Klinika është studiuar duke i helmuar kafshët me rrugë të ndryshme ( nga ajri kafshët e vogla), mbi lëkurë, mbi plagë, nga goja (të gjitha llojet e kafshëve). Kemi studiuar diagnozën specifike të zarinës, duke nxjerrë normat në kafshë të ndryshme të fermentit kolinesteraze qe bllokohet nga grupi neuroparalitik, si dhe sasinë e bllokimit të saj në shkallë të ndryshme të helmimit. Kemi studiuar medikamente profilaktike si dhe antidotët specifikë për mjekimin e helmimeve nga LHL neuroparalitike dhe kemi studiuar mundësinë e mjekimit te kafshive te helmuara me 3-4 doza vdekjeprurese zarin vetëm me një injeksion dhe kemi propozuar për këtë, modelin e shiringës automatike fushore për kuaj në fushën e betejës. Kemi studjuar vetitë degazuese të degazatorëve kimikë të njohur apo rrethanorë për degazimin me ta 3-4 doza vdekjeprurëse të gazit zarin, ipritit dhe luizitit mbi trupin e kalit të helmuar . Kemi studiuar mundësitë e mbrojtjes individuale të kalit nga LHL të ndryshme dhe kemi paraqitur modelin e kundërgazit të kalit. Kemi studiuar mundësinë e mbrojtjes kolektive të kafshëve nga ADM në lokale të hermetizuara. Po ashtu, kemi studiuar ekspertizën e zarinës në produktet blegtorale, ujin e pijshëm dhe ushqimet e kafshëve.
Po ashtu, kemi studiuar efektin e ipritit dhe luizitit në kafshë të rritura të helmuara mbi lëkurë, si dhe mikstet kimiko-kirurgjikale – helmimin e kafshëve me LHL të ndryshme mbi plagët e zbuluara. Kemi kryer helmimin e kafshëve laboratorik, me acid cianhidrik, oksid karboni dhe CS. Në stërvitje kemi eksperimentuar klorpikrinën.
Studime të natyrave të ndryshme ka kryer edhe laboratori special i shëndetësisë së MMP, me të cilin ne, kur unë punoja atje, me kinezet në vitin 1969 kemi prodhuar në mënyrë laboratorike LHL neuroparalitike zarin (në sasi shumë të vogla).
Po ashtu, laboratori qendror i kimisë së MMP ka kryer një seri studimesh dhe detyrash, në funksion të detyrave që i ngarkoheshin nga MMP.
Me bashkimin e laboratorit veterinar toksikologjik të ushtrisë, në Institutin e Kërkimeve Veterinare, ne u përfshimë në grupin teknik me sektorin ushtarak të Ministrisë së Bujqësisë; për forcimin e sistemit të MCR në sektorin e bujqësisë (kafshë e bimë), duke ngritur në bazë, rrjetin teknik të vëzhgimit dhe diktimit të ndotjeve kimike, baktereologjike dhe radioaktive, kurse në ekonomitë e mëdha bujqësore, kemi ngritur, organizuar, kompletuar me bazë materiale dhe duke i stërvitur realisht- formacionet e mbrojtjes së kafshëve dhe bimëve nga ADM. Për këtë, në terren kemi kryer 4 stërvitje kombëtare dhe 14 në bazë rrethesh, duke prezantuar edhe arritjet tona në studimet e kryera.
Që prej vitit 1969 deri në vitin 1984 (në ushtri apo pushtet), për njohjen e Bazës me efektin dëmtues te LHL dhe mbrojtjen e kafshëve, laboratori toksikologjik ushtarak veterinar ka kryer 105 mësime treguese në baze, ku kanë marrë pjesë 10.566 pjesëmarrës (përveç personave që janë përfshirë direkt në stërvitjet). Për punë kërkimore, mësime dhe stërvitje në bazë, kemi kryer eksperimente me LHL ne 1,740 kafshë.
Duke punuar pranë Institutit të Kërkimeve Veterinare si laborator i toksikologjisë ushtarake, u institucionalizua edhe detyra ime, e nisur qysh në vitin 1968, si toksikologu klinicist i vendit (apo ekspert toksikolog), si në ushtri, ashtu edhe në sistemin e Ministrisë së Bujqësisë.
Në këtë detyrë, është dhënë ndihma në 103 helmime masive në ekonomitë bujqësore të vendit, ku janë prekur tufa me një total prej 35.960 kafshë të ndryshme, nga të cilat kanë ngordhur 4.366 krerë dhe janë therur sforcimisht 1.059 krerë.
*Toksilog
Gazeta Dita