Letër për Çeçon
Nga Thoma Goga –
Në stanin e Çeços qyfyret nuk kanë të sosur. Le atë, po nuk ka hequr dorë as nga ato metodat e dikurshme të kooperativës. Fjala vjen, një herë në javë bën “informacion politik”. Në pushimin e drekës mbledh hyzmeqarët dhe u “përrallis” lajme që i ka dëgjuar në klubin e fshatit. Po një ditë hyzmeqarët ishin nxehur keq. Kishin marrë zjarr, të thom. Dhe “informacioni…” i Çeços u dogj. Hyzmeqarët na kishin bërë një letër drejtuar kryeplakut të fshatit. Qerratenj të mëdhenj. Poshtë fjalës “krieplak” kishin shkruar: Për dijeni – “krietarit të qitetit”. Në letër ankoheshin se “shefi” i tyre, Çeço Çobani, “na shkel më këmbë të drejtat, na ka hequr të drejtën e fjalës, nuk na lë të mbajmë celularë në stan…” e ca të tjera si këto. Çeçua, pa e prishur terezinë, mbledh “stafin”, siç ka qejf t’u thotë ndonjë herë hyzmeqarëve dhe fillon qetë-qetë, siç fillojnë furtunat…
– Nashti do merremi me një letër që ju paski bërë për mua lart në “qeverinë” e fshatit dhe për dijeni asaj të qytetit, – foli Çeçua urtë e butë.- Kjo letër më nxori mallin e kohës time kur jesha sa ju. Atëherë u mblodhëm te ura e xha Beqos dhe i bëmë letër kumandant Enverit. Kishim dëgjuar që zyrtarët e tij nuk donin ta shqetësonin kumandantin me lloj-lloj letrash. Që ta merrte vesh dhe ai “më i madhi”fare, më poshtë shkruam: “Për dijeni shokut Stalin në Moskë…”. Kuptonet, me nder jush, nuk pordhi njeri për atë kartën tonë…Nejse. Nashti jemi në kohë tjatër, në kohë moderne, merr vesh ti. I thonë demokarci. Po a e dini ju se më këtë letër ja keni futur vetes, mo?! Duroni se në fund do ua rrëfej. Megjithatë edhe ju keni të “ndrejtat”tuaja. Nga shkrimi e mora vesh se e paske bërë ti, nipi i Pinxho Kapellës. Dhe kjo nuk do shumë mend, se të tjerët s’dinë të shkruajnë fare. Po nejse. Nuk të mbaj inat. Jemi në demokraci, merr vesh ti. Pa më thuaj, çfarë të “ndrejte”të kam shkelur me këmbë, o të shkelça të tëmë? Ore kulaku i derrit, në të kam hequr ndonjë pëllëmbë, për të mirën tënde e kam bërë. Se ai që të rreh, të do.
– Jo more,- ia kthen nipi i Pinxhos, – domethënë ai që të vret fare, të do më shumë… Kështu thua ti ?!
– Ta marrim shtruar, – hidhet një hyzmeqar që vazhdon t’i lyejë flokët bjond me gjalp dhije. – Pse nuk na lë të mbajmë celularë në stan?
Dëgjo këtu ti, ore kokëhirrë. Më duket se yt at’ të ka zënë me farë djathi…Edhe këtë për të mirën tuaj e kam. Po ju nuk e keni marrë vesh se edhe Mbretëresha e Ingliterit ua hoqi celularët hyzmeqarëve në “stanin”e saj. Nashti në atë “stan”dëgjonet vetëm “cërrja”e asaj “të madhes”, që ma ka atë veglën sa një sardele…
Ne jemi stan tjetër, s’ka lidhje me atë “sardelen”e saj. Kurse në stanet e Tërbaçit vetëm qentë nuk kanë celularë? – ia priti një zdap që rrinte në këmbë.- Ku është e keqja këtu?
E para, s’më hyn fare në refene ç’bënet andej nga Tërbaçi. Edhe këtë nuk e kuptoni, mo? Doni të harboheni, duke parë theatrina me shalë jashtë e të më lini bagëtitë në gojë të ujkut. Edepsëzë, i keni bërë edhe zagarët si veten tuaj. Mos pafshin një femër se ja, noçkën përpjetë e ngrenë…
Ne duam të na rritet rroga?- u dëgjua një zë i mbytur.
U kam shtuar edhe një vakt buke më shumë, mos e bëni harrëm. Keni hak, s’keni faj. Nuk thotë kot populli: “Shkurtoji bukën, të harrojnë gjellën…”,- au kthente Çeçua, ashtu hidh e prit pa prishur terezinë.
Qentë hanë dy vakte më shumë,- ngriti zërin një qeros i vogël.
Po kur të shkurtoj ca vende pune, do bëni ju punën e zagarëve. Do hap një si biçim konkursi e do t’i kërkoj hyzmeqarët me gjuhë të huaj. Ku do mbyteni pastaj? Kur t’u shkoj në vërë të gjilpërës, do kërkoni të vini në vërë të sëmës. Po ju o derdimena, as ëmbrat tuaj nuk dini të shkruani. Vetëm në stanin tim keni gjetur parajsën. S’keni faj ju që s’e dini. Ua thom unë. I biri i botës ishte ministër dhe ka marrë krrabën në dorë e kërkon punë andej nga stanet e Tepelenës. Pse, keq ishte ai për një vakt buke?! Jo, ore jo. I digjet zemra që edhe stanet tona të bëhen si ata të Europës. Ishallah na vjen këtej nga stani ynë. Do ta ndjell një herë për ndonjë “informacion politik”…
Ligjërata e fundit e Çeços sikur i tulati gjakrat dhe ra një si heshtje fallso. Hyzmeqarët shikonin njëri – tjetrin në sy. Domosdo, kur bëhet fjalë për kafshatën e gojës, i vihet gishti kokës.
Ore, se harrova fare,- prishi qetësinë Çeçua.- Ju letrën ja keni drejtuar “krieplakut”të fshatit. Nashti dëgjoni pse me këtë letër ja keni futur vetes. Keni hak, s’keni faj. Ju nuk e dini që “krieplak”në fshat jam unë ?! Me një fjalë, ju ankoheni tek Çeçua për Çeçon… Një vërë në ujë keni bërë. Kurse “krietari”i qytetit është baxhanaku im. Bëni letra sa të doni, jeni të lirë t’i kërkoni “të ndrejtat”tuaja. Jemi në demokraci, merr vesh ti. Dhe nashti informacioni mbaroi. Në vend të gjuhës së huaj, mësoni gjuhën e zagarëve “hum-hum”, se një ditë ju do ta bëni këtë punë…