Letra e një ekonomisti për Kryeministrin

 

Nga Geri Selenica

Zoti Kryeministër,

Ju kam çuar personalisht dhjetra emaile e letra dhe dhjetëra mesazhe për çështje e propozime ekonomike, të transportit, të energjitikës, të qeverisjes elektronike dhe të korrupsionit, por nuk kam marrë asnjëherë përgjigje.

Në vitin 2009, ju kam paraqitur nje program ekonomik “korporatist”, bazuar mbi modelin më të avancuar ekonomik në botë, modelin e Singaporit, që i përshtatet Shqipërisë, të cilin e keni arshivuar.

Sistemi ekonomik për një vend është si një kostum, që duhet qepur tek rrobaqepësi dhe nuk mund të jetë as “laissez-faire” (ose rrumpallë) siç ka qenë për 25 vite e as “i centralizuar”, siç ka qenë në 45 vitet pararendëse. Politikanët shqiptarë kanë qenë naivë në ekonomi dhe në drejtimin e shtetit për 71 vite me rradhë. Prej padijes ata kanë lundruar nga një sistem ekonomik ekstrem në tjetrin, duke mos gjetur dot balancën ekonomike, që maksimizon përfitimet e burimeve njerëzore e natyrore të vendit dhe duke e varfëruar dhe bërë të pajetueshme Shqipërinë.

Ju sugjeroj të mos i bazoni politikat ekonomike në opinione deputetësh e ministrash, që kanë mbaruar për anglisht, që po t’i heqësh anglishten për të cilën kanë bërë shkollën e mesme e të lartën, i bie të jenë me tetëvjeçare. Faktet flasin më shumë se shkolla e tyre. Merrni këshilla nga kompani këshillimi të huaja si McKinsey (që e keni takuar) e jo njerëz skolastikë të tipit Ricardo Hausmann (pasi pasojat e 18 orë konsultime në javë të tij po duken). Ekonomia është më shumë praktikë se sa teori, që të mund të kontrollohet në distancë nga “Bostoni”.

Siç jeni më së miri në dijeni, ju kam prezantuar, direkt ose indirekt, propozime investimesh të rëndësishme, kryesisht kineze, për hidorcentralin e Skavicës, hidrocentralet e Vjosës, ristrukturimin e OSHEE-së, infrastrukturën rrugore e hekurudhore, pyllëzim dhe akuakulturë.

Ndërsa, ju jeni takuar 4 herë me kryeministrin kinez dhe i keni bërë “kërkesa për investime në emër të miqësisë së vjetër”. Por asgjë nuk ka ndodhur jo vetëm për propozimet tona, por edhe për propozime të tjera serioze, për 2 arsye:

  1. Mungesës së projekteve serioze, siç është rasti i “Rrugës së Arbërit” apo “Zonës së Lirë Ekonomike të Spitallës”, të cilat kanë ulur në ekstrem kredibilitetin e të bërit biznes në Shqipëri. Siç jua ka shpjeguar edhe “McKinsey ” është shumë e lehtë për të gjetur financime nga Amerika deri në Japoni, në se keni një projekt të çertifikuar dhe të bëshëm nga pikëpamja finaciare;
  2. Bashkëbiseduesve të paaftë nga pala shqiptare, pasi negociatat udhëhiqen nga ministra që i sugjerojnë Kinës “të fokusohet tek Shqipëria, si ura më e mirë drejt Europës (!)” ose nga deputetë që nuk dinë asnje gjuhë të huaj dhe kanë zero eksperiencë në tregtinë ndërkombëtare. Për të tilla punë duhet të ngrini institucione të specializuara, me ekspertë të nivelit të lartë dhe jo me partizanë. Partizanët nuk i merr askush seriozisht në botë. Minimalisht mund të merrni shembull nga Maqedonia për politikat e investimeve dhe mënyrën e thithjes së tyre ose nga Serbia për cilësinë e projekteve (siç duket qartazi nga Plani 5 vjeçar i SEETOs).

Nuk më shqetëson mospërfillja ndaj propozimeve tona, por me dhimbje vërej se nuk ka përparim në investime, për të cilin edhe ju jeni më se i vetëdijshëm, siç ja shprehet çuditërisht me shumë realizëm muajin e kaluar një investitori të rëndësishëm kinez.

Ndjej përgjegjësi qytetare dhe profesionale që t’ju them se vendi po shkon drejt një kolapsi ekonomik, që mbase ju nuk e kuptoni në oborrin e zbukuruar nga oborrtarët tuaj.

Për të shmangur këtë ju lutem rishikoni POLITIKAT ekonomike sa nuk është vonë, sipas studimeve nga këshilltarë të çertifikuar ndërkombëtarisht.

Shpenzoni fonde për PROJEKTE serioze dhe investime kapitale e jo për kozmetikë.

Mjaft më me KONÇESIONE  të turpshme kolonialiste që dorëzojnë sovranitetin tonë shtetëror dhe kombëtar.

Erdhët në pushtet me premtimin për të bërë shtet dhe jo për ta shitur atë pjesë-pjesë.

 

Përshendetje

Geri Selenica

SHKARKO APP