
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë një letër urimi nga Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e marrjes së detyrës si kreu i shtetit. Lajmin e bëri të ditur Zyra e Presidentes. Sipas saj, kreu gjerman i përcolli urimet më të mira në emër të tij dhe të qytetarëve gjermanë.
Ai theksoi rëndësinë e funksionalizimit të plotë të institucioneve të Kosovës. Letra e Steinmeier për Shiroka Pulën vlerëson gjithashtu rolin e institucioneve funksionale për stabilitetin e vendit. Steinmeier vlerësoi se fakti që të gjitha institucionet kushtetuese janë sërish plotësisht funksionale dhe të afta për të vepruar përbën një lehtësim të madh edhe për Gjermaninë, si shtet mik dhe mbështetës i kahershëm i Kosovës.
Ai theksoi se muajt e bllokadës politike treguan sa të çmuara janë institucionet funksionale. Sipas tij, shumë varet nga gatishmëria e forcave politike për të marrë përgjegjësi përtej kufijve partiakë. Në letër, Presidenti gjerman nënvizoi se e ardhmja e Kosovës është në Evropë.
Sipas tij, tani është koha për të drejtuar vështrimin përpara. Duhet të avancojnë reformat e nevojshme me një dinamikë të re dhe të shtyhet përpara integrimi euro-atlantik i vendit. Steinmeier vuri në dukje se në këtë proces rëndësi të madhe kanë respektimi i detyrimeve ndërkombëtare, ruajtja e pavarësisë së gjyqësorit, si dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Në përfundim të letrës, kreu i shtetit gjerman rikonfirmoi se Gjermania do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Kosovës si partnere e besueshme dhe ta mbështesë me vendosmëri në rrugën e saj evropiane. Ai shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e ardhshëm me Presidenten Shiroka Pula, duke i uruar asaj sukses dhe urtësi në ushtrimin e detyrës.
