Lezha fiton sheshin e ri, por humbet parkingun
Lisusit të lashtë. Është një ndërhyrje e madhe, e premtuar nga Kryeministri Rama, që tashmë ka nisur të marrë jetë. Qendra e Lezhës, si ato të shumë qyteteve të tjera të vendit do të rilindë, do të bëhen atraktive për banorët dhe për turistët e shumtë, do i shtojë shumë vlerat kulturore e jetësore qyteteve tona. Unë nuk e kam ndërmend të merrem më gjatë me të mirat e kësaj pune që kanë nisur me pasion Kryeminisri Rama dhe Kryetari i Bashisë Tusha, pasi siç i thonë një fjale: “fshati që duket, nuk do kallauz”. Kësaj radhe do të merrem me atë që duhej të merrej Opozita jonë, kur Qeveria apo bashkia e palës tjetër planifikojnë apo nisin një punë. Opozita duhet të shohë të metat, në mënyrë që puna të përmirësohet, pasi është për të mirën e të gjithëve. Me që Opozita jonë e ka ndarë mendjen të shkojë pas gjurmëve dhe mësimeve të Saliut, duke besuar se do ta marrë pushtetin me dhunë në këtë vend, tashmë europian e anëtar të NATOS, unë po merrem pak me punën e saj. Pra cilat mund të ishin disa nga të metat e projektit dhe rikonstruksionit të shesheve në qendër të qytetit. Aty para bashkisë së Lezhës ishte një shesh ekzistues. Ishte sheshi i mitingjeve dhe i koncerteve, i konceptuar dhe realizuar në vitet e komunizmit për ato qwllime. Sot koha kërkon që sheshi i ri të bëhet pjesë organike e Lisit të vjetër, që i ka themelet këtu ngjitur, së bashku me kishën ku u varros heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastiot Skëndërbeu. Me ndërrimin e sistemeve, sheshi i qytetit krahas mitingjeve nga partitë e ndryshme dhe koncerteve artistike, shërbente edhe si parking i madh për qytetarët, që sillte të ardhura për bashkinë, edhe pse as sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar pse biletat dhe lekët e këtij parkingu liheshin në dorë të rojës dhe nuk vihej një makinetë e thjeshtë, që sigurisht është më e ndershme se çdo roje. Kushdo kishte punë në Bashki, në Prefekturë apo në Qark parkonte në sheshin para Bashkisë. Mirpo, me sheshin e ri kjo nuk do të jetë më e mundur. Projekti ka fshirë nga harta parkingun dhe më e keqja, as pallatet përreth nuk kanë asnjë parking. Nuk ka as hapësira të tjera të mundshme për to. Do të jetë dramatike, sidomos në muajt e verës për të parkuar në Lezhë. Nuk e di se çfarë kanë menduar autorët e projektit, por ky problem është emergjencë e sotme në Lezhë. Më shumë akoma do rëndohet puna, pasi dihet se qëndra e Lezhës nuk do të jetë më vetëm qendër e qytetit, por e gjithë rrethit me organizimin e ri të territorit. Ma do mendja se po t’ia kishin thënë lezhianët Kryeministrit Rama punën e parkingut, ndoshta do t’i gjente e shtonte edhe pak lek për të bërë poshtë sheshit një parking dy katësh, pasi është vështirë që ky rast të vijë më. Gërmimi do të kishte edhe një rëndësi tjetër të madhe krahas parkingut, pasi do na siguronte që nuk po varrosim poshtë pllakave të sheshin të ri ndonjë pjesë tjetër të qytetit të lashtë ilir. Kur bëhen të tilla ndërhyrje, aftësia e projektuesve është jo vetëm të bëjnë një gjë të mirë për sot, por duhet parë shumë më larg. Parkingu jo vetëm është domosdoshmëri e sotme dhe emergjencë e nesërme, por është edhe biznes rentabil dhe do ta nxirrte veten shpejt. Po të mos i kishte paratë Qeveria, besoj se do të ishin të gatshëm edhe shumë biznese private të merrnin pjesë në këtë investim. Që investimi i nisur me sheshet këmbësore të marrë vlerën reale, Lezhës i duhet edhe një bypas për shmangien e trafikut nga qëndra. Pra i duhet një urë e dytë mbi Drin atje ku ka qënë ura e vjetër, ose atje ku mendohet te lidhet Parku i ri industrial, në mënyrë që të krijohet unaza mbrojtëse e qendrës së qytetit. Normalisht nuk bëhën dot të gjitha njëherazi, por zinxhiri kur nis, nuk mund të parashikohet i këputur.
Ndërhyrja që është bërë për rrugën e Kalasë para pak vitesh, qe një domosdoshmëri dhe vërtetë sot i jep kënaqësi kujtdo që e ngjet ate më këmbë apo me makinë. Por edhe këtu mendoj se mund e duhej parë pak më larg. Rruga nuk duhej projektuar vetëm për vetura e këmbësorë. Në çdo vend turistik të Europës që kam parë, në këto pika shumë të rëndësishme për turizmin, arrijnë lehtësisht autobusët, pasi mosha e mesme dhe e thyer janë vizitorët më të shumtë dhe më të pasur të tyre. Në kalanë e Lezhës nuk del dot autobuzi dhe të them të vërtetën rrasat e reja të rrugës nuk më dukën se kanë lidhje me muret e vjetra dhe as sens praktik për t’u hipur sipër me makina. Trotuaret mbase po, por jo rruga e makinave me rrasa.
Bregut të Drinit i kishte ardhur gjithashtu koha prej vitesh të ndërhyhej. U bënë ca pastrime e dy bankina kanali në kohën e PD-së, por nuk e zgjidhën problemin. Edhe baret patën nisur të vërshojnë drejtë ujit të lumit. Por zgjerimi e thellimi i shtratit, bankinat e rregullta të mbrojtjes nga ujërat, gjelbërimi dhe ndërtimi i shëtitores mbi të, kanë një vlerë të jashtëzakonshme për ta zbukuruar qytetin. Shpresojmë që të gjendën fondet që ky pastrim, thellim e zgjerim i lumit të vijojë deri në det, pasi do bëhej një lidhje organike aq e mrekullueshme e qytetit me detin përmes lumit, i cili deri dje përmbyste lagjet e qytetit dhe fshatrat.