Lidhjet e gjata ndikojnë pozitivisht në shëndet

Një çift që ka marrëdhënie të qëndrueshme jeton më mirë, ka më pak stres dhe është i prirur të provojë sfida të reja. Një lidhje e gjatë na bën të ndihemi mirë nga shumë këndvështrime. Edhe fakti që sapo kemi rënë në dashuri, apo që jetojmë bashkë prej 20 vjetësh nuk përbën ndonjë ndryshim të madh.

Shëndeti ka përfitimet e veta nga lidhja e gjatë

Në përgjithësi, personat që qëndrojnë gjatë me të njëjtin partner kanë disa avantazhe: jetojnë më gjatë, sëmuren më pak, nuk vuajnë nga çrregullimet psikiatrike dhe kryesorja, e kanë më të lartë nivelin e kënaqësisë. Të gjitha këto janë vërtetuar nga shumë kërkime shkencore.

Fazat e dashurisë

Si shpjegohen të mirat e të qëndruarit bashkë? Duke krijuar një raport me një person të veçantë, e duke mos e zëvendësuar atë me të tjerë, fillimisht kënaqet nevoja jonë e sigurisë. “Kjo është një nevojë parësore”, shpjegon një psikiatër dhe psikoterapeut. “Kontakti dhe kujdesi emocional mund të kushtëzojnë ekzistencën e vetë individit”. Në fund të fundit dashuria e çiftit ka karakteristika të ngjashme me marrëdhënien mes një nëne dhe fëmijës së saj, i cili varet nga ajo. Kujdesi në marrëdhënien e çiftit përshkon disa faza të ndryshme: nga rënia në dashuri (faza e emocioneve të forta, eksitimit, e kontakteve të shpeshta fizike), te dashuria (kalimi në kufirin emocional dhe intimitet, ku afërsia fizike veç të tjerash të jep qetësi), e deri te periudha “postromantike”, që është ajo e afërsisë emocionale dhe intimitetit psikologjik, ku partneri tashmë bëhet “një bazë e sigurt”. Pastaj vijon një objektiv i ri pune, kultivimi i interesave, krijimi i miqësive: gjithçka është më e thjeshtë nëse beson te mbështetja e një partneri.

Menaxhimi i konflikteve

Marrëdhënie e gjatë nuk do të thotë që përherë të shkosh mirë: inati dhe zënkat janë të pashmangshme. Para se të konsolidohet lidhja, të gjitha çiftet kalojnë një periudhë “zhgënjimi”, një krizë që përcakton kufijtë e tjetrit. Ky problem fillon të shfaqet rreth vitit të katërt të lidhjes. Nga një studim u zbulua se fundi i një marrëdhënieje mund të parashikohet kur sheh për disa minuta dy partnerët duke u zënë: ndryshimin e bën aftësia e tyre për t’i rregulluar gjërat pas zënkës.

Sfida

Në një kohë kur dy partnerët nuk janë më bashkë, sepse “ashtu duhet”, kërkimi i një partneri të ri kur sapo nisin vështirësitë e para, mund të duket si e vetmja rrugëzgjidhje. Por nëse nuk sqarohen arsyet që sollën krizën, ato rrezikojnë të shfaqen edhe në lidhjen e re.

SHKARKO APP