Ligji i call center, Muçostepa: Në kundërshtim me marrëveshjet bilaterale

Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë Ines Muçostepa e ka cilësuar vendimin e Italisë për Call Centerat një contrast me marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve. E ftuar në intervistën e mbrëmjes në Ora News Muçostepa i kujtoi vendit fqinj traktatin e miqësisë, por edhe shumë projekte e financime të tjera me qëllim zhvillimin ekonomik.

Muçostepa: Ky ligj ka një kontrast të vogël le të themi dhe me marrëveshjet e ndryshme bilaterale të lidhura me gjithë këto vite me Italinë. Italia na ka mbështetur më fort dhe në këtë moment unë do të doja të kujtoja traktatin e miqësisë psh të bashkëpunimit mes dy vendeve tona që ka hyrë në fuqi në vitin 2000. Do të doja të kujtoja protokollin bilateral të bashkëpunimit për zhvillim me të cilin Shqipëria ka marrë një fond prej 81 mln euro për zhvillimin ekonomik.

Në kërkesat e dokumentuara që do tu dërgohen autoriteteve italiane, një pikë e fortë argumentuese është edhe fakti që Shqipëria është në prag të hapjes së negociatave me BE.

Muçostepa: Kërkesa jonë do të jetë pikërisht ajo, që vendet që janë në prag të negociatave le të konsiderohen si të barabarta me vendet e BE në këtë rast, sepse duke u parë si vende jashtë BE ato penalitete ne na ngelin. Dhe mënyra jonë e argumentimit do jetë ajo, na trajtoni ndryshe dhe vendosni një klauzolë kaq e vogël mund të sjelli dhe një ndikim të madh.

Kryetarja e Unionit të Dhomave të Tregtisë tha se ky ligj ka frenuar hapjen e bizneseve të tjera.

SHKARKO APP