Ligji për Barazinë Gjinore, Iris Luarasi: Nuk krijon gjini të reja, por synon të garantojë barazi reale midis burrë e grua
Deputetja e PS-së, Iris Luarasi në një deklaratë për shtyp, tha se ligji për barazinë gjinore synon të zbatojë në praktikë parimin kushtetues të barazisë mes grave dhe burrave dhe nuk krijon “gjini të reja”, siç pretendojnë kundërshtarët e tij. Për të akuzat se ligji kërcënon familjen tradicionale apo “legalizon 70 gjini” janë gënjeshtra të përhapura qëllimisht.
“Në realitet, ky ligj nuk shton asnjë realitet të ri ligjor. Ai nuk krijon kurrsesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua”, theksoi ajo, duke shtuar se nëse do të dikush do të donte që të prezantonte gjini të reja do të duheshin reforma të thella ligjore, ndërhyrje në ligjin për gjendjen civile si dhe një kuadër specifik ligjor për njohjen e identiteteve të reja gjinore.
Deputetja sqaroi se koncepti i “përkatësisë së shumëfishtë” në ligj lidhet me rastet e diskriminimit të kombinuar, si p.sh. një grua rome apo një grua me aftësi të kufizuara, dhe jo me nocione të reja gjinore. Po ashtu, ajo mohoi pretendimet se ligji zëvendëson termat “nënë” e “baba” me “prind 1” dhe “prind 2”.
Luarasi theksoi se termi “gjuhë me ndjeshmëri gjinore” në ligj ka të bëjë vetëm me përdorimin e saktë të gjinisë në komunikimin institucional, si “ministre” apo “drejtore” kur drejtuesja është grua. Duke përmendur shembujt e disa vendeve evropiane të përmendura nga opozita që kanë kufizuar konceptin e gjinisë, Luarasi kujtoi se këto shtete janë nën hetim nga Komisioni Evropian për shkelje të parimeve të BE-së dhe nuk janë “shembuj për t’u ndjekur”.
Ajo theksoi se ligji adreson probleme reale të shoqërisë shqiptare, si dhuna ndaj grave, pabarazia në paga dhe mungesa e grave në tregun e punës. Në përfundim, ajo u shpreh se “historia nuk do t’i mbajë mend si mbrojtës të familjes, por si pengues të progresit” ata që përhapin dezinformim, ndërsa theksoi se Shqipëria që aspiron Bashkimin Evropian duhet të ndërtohet mbi drejtësi dhe dinjitet për të gjithë.
KOHA JONË SONDAZH

