Ligji për call center. Ministri Klosi: Do negociojmë me qeverinë italiane

Qeveria shqiptare do të kërkojë zyrtarisht nga shteti italian që ligji i ri për telemarketingun, ose siç njihet ndryshe shërbimin call center, të mos ndikojnë në bizneset italiane që operojnë në vendin tonë.

Deklarata është bërë sot nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, në një takim me drejtuesit e kompanive kryesore call center që operojnë në Shqipëri.

Ministri Klosi deklaroi se qeveria shqiptare do të negociojë me Italinë në mënyrë që ligji i ri, që pritet të miratohet në Senat brenda muajit dhjetor, të ketë sa më pak ndikim në aktivitetin e kompanive në Shqipëri. “Keni mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare. Vlerësojmë punën e 804 kompanive tuaja, ku punojnë 25 mijë shqiptarë. Do të negociojmë me qeverinë italiane që ligji italian të ndikojë sa më pak aktivitetin e kompanive“,- deklaroi Blendi Klosi.

E pranishme në takim ishte dhe Ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi. Ministrja tha se pas takimit të sotëm do t’i dërgohet urgjentisht qeverisë italiane qëndrimi dhe kërkesa për negocim. “Do të veprojmë përpara se ligji të shkojë në Senat. I kemi kërkuar ambasadës që të kontaktojë me Ministrinë e Punës në Itali. Takimi i sotëm është për të bërë të mundur një qëndrim të përbashkët me qeverinë italiane.  Qëndrimi do t’i dërgohet urgjentisht qeverisë italiane“,- deklaroi ministrja Ekonomi.

Drejtuesit e tregut shqiptar të call center llogarisin se investimi dhe aktiviteti i tyre shkon deri në 100 milionë euro. Ata kërkuan nga dy ministrat që të lobohet në rrugë zyrtare që Shqipëria të përfshihet në marrëveshjet ndërkombëtare që rregullojnë këtë treg. Kryetari i shoqatës së Call Center në Shqipëri, Gentiam Drenova deklaroi masat e autoriteteve duhet të jenë sa më të shpejta.

Mes Ministrave Ekonomi e Klosi, dhe përfaqësuesve të kompanive Call Center, u ra dakort përpilimi I një qëndrimi të përbashkët për të qenë në një linjë në komunikimin intensiv me shtetin Italian.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që rregullat që vazhdojnë të vendosen nga shteti Italian për sa I përket këtyre kompanive të jenë sa më pak ndikuese në aktivitetin tuaj dhe biznesin tuaj” – deklaroi ministri Klosi.

“Shprehnim gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare për të qënë në krahun tuaj dhe për të vazhduar negociatat me partnerët Italia”– u shpreh ministri Klosi

“Ju konsiderojmë aleat dhe jo vetëm në këtë takim, por cdo ditë do jemi të gatshëm të dëgjojmë zërin tuaj”– shtoi ministri i MMSR.

klosi2

Fjala e ministrit Klosi

Si Ministër i Mirëqenies Sociale, si merret me problematikat e punës, do doja që në hapje të këtij takimi të theksoja të gjithë mbështetjen që qeveria shqiptare ka për aktivitetin tuaj. Si ministër që I ka të dy aspektet mbështetjen e punësimit, por dhe mbështetjen e fuqizimit të rinisë shqiptare ne njohim, vlersojmë dhe mbështesim të gjithë sipërmarrjen e 804 kompanive që ushtrojnë aktivitet Call Center në Shqipëri dhe po ashtu ne vlersojmë shumë punësimin e 25 000 të rinjve shqiptar në këtë aktivitet.

Natyrisht edhe raportet tona janë për tu përmirësuar, raportet dhe rregullat e shtetit shqiptar në këtë aspekt lënë për tu dëshiruar. Ne së bashku kemi kontaktuar disa herë për të parë mundësinë e mbështetjes më të madhe që mund të vijë nga shteti apo dhe vendosjes së rregullave të qarta në raport ndërmjet institucioneve tona, por dhe në këtë moment të ri të raportit të shtetit Italian ne do donim të shprehnim gjithë mbështetjen e qeverisë shqiptare për të qënë në krahun tuaj dhe për të vazhduar negociatat me partnerët Italian.

Ajo që ne do donim të bënim qartë me partnerët Italian është që Shqipëria tashmë është një vend që ka ndryshuar statusin dhe në raport me Bashkimin Europian. Hapja e negociatave që pritet aë

shpejti apo dhe pasjes së statusit të vendit kandidat mund të jetë një moment shumë I favorshëm edhe në raport me problematikën tuaj.

Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që rregullat që vazhdojnë të vendosen nga shteti Italian për sa I përket këtyre kompanive të jenë sa më pak ndikuese në aktivitetin tuaj dhe biznesin tuaj. Realisht ne kemi shumë për të bërë me njëri-tjetrin por në përballje me këto ndryshime ligjore që vinë nga shteti Italian do donim që t’ju konsideronim aleat dhe jo vetëm në këtë takim por cdo ditë do jemi të gatshëm të dëgjojmë zërin tuaj. Nëpërmjet edhe aktivitetit tonë diplomatik të shtetit shqiptar, ambasadores sonë në Romë dhe gjithë përfaqësuesve tanë në shtetin Italian do të kemi mundësinë të kontaktojmë me autoritetet italiane.

Ambasada Italiane në Tiranë është e angazhuar qartazi që kjo punë të marri zgjidhje në favor të biznesit tuaj dhe në favor të 25 000 shqiptarëve, të cilët punojnë pranë këtyre bizneseve. Ne do donim shumë që ta dëgjonim opinionin tuaj dhe të kishim mundësinë që reagimi jonë të ishte një reagim I përbashket pasi mendoj që në këtë moment jemi aleat me njëri-tjetrin.

SHKARKO APP