Ligji për lobimin kalon në Komisionin e Ekonomisë, Braçe ngre dyshime. Pirdeni: Garantojmë standardet ligjore!
Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi projektligjin ”Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, një nismë që synon rregulla ligjore për ndikimin në vendimmarrjet publike, një fushë që deri më tani ka funksionuar pa kuadër të posaçëm. Deputeti i PS-së, Erion Braçe vuri në pikëpyetje thelbin e projektligjit, duke ngritur shqetësimin nëse ai rrezikon të kthehet në një mekanizëm që legalizon ndikimin e paligjshëm, thjesht përmes regjistrimit formal si lobim.
”Mos vallë po shkojmë drejt legalizimit të ndikimit të paligjshëm si lobim? Se mjafton të regjistrohesh të deklarosh dhe ta ushtrosh veprimtarinë që sot është e paligjshme, nesër si lobim. A kemi ne sot lobim? Ku e keni hasur ju lobimin që vini tek nevoja për këtë projektligjin. E kemi pranë Kryeministrisë, Ministrisë, pra ku e keni hasur? Ndalimin më të egër në ligj e keni ndaj deputetëve, si mendoni ju ka ndonjë gjë në dorë deputetët sot, që pasi u mbaron mandati të mos ushtrojnë këtë veprimtari për 2 vite? Mos do të ishte më mirë që t’i ndalohej lobimi 5 vite një anëtari Këshilli Mbikëqyrës së ndonjë institucioni financiar dhe jo vetëm 1 vit siç parashikohet? Nuk mendoni që veprimtaria ekonomike është kyçe për organizatat ekonomike që mund të përfshihen në lobim?”, u shpreh Braçe.
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni theksoi se edhe pse lobimi nuk është i zhvilluar gjerësisht në Shqipëri, qeveria e ka parë të nevojshme vendosjen e standardeve ligjore për të shmangur abuzimet dhe mungesën e transparencës. ”Lobimi nuk është gjerësisht i zhvilluar në vend, por është parë e nevojshme se duhen garantuar standardet ligjore për këtë proces”,-tha Pirdeni. Braçe solli më pas edhe raste konkrete për të ilustruar se si është shfaqur lobimi në praktikë, duke dalluar mes rasteve të dështuara dhe atyre që kanë prodhuar ligje me interes publik.
”Ka pasur dy raste lobimi në Shqipëri në ekzekutiv. Na erdhi një propozim ligjor për të hequr tarifën prej 10% për importin e frigoriferëve me 1 derë. Dhe kur pyeta se kush i sillte këto frigoriferë me vetëm një derë ishte vetëm një kompani, Kuvendi e ktheu mbrapsht, lobimi ishte bërë tjetërkund. Rasti tjetër është lobimi për të hartuar ligjin për regjistrin e pedofilëve dhe është rasti pozitiv i lobimit dhe Kuvendi e miratoi. Deputeti portretizohet si hajdut por nuk është i tillë. Ju marr rastin e buxhetit dhe paketës fiskale”, tha ai.
KOHA JONË SONDAZH

