Liria Ekonomike, Shqipëria rënie në klasifikimin global

Liria Ekonomike është koncepti për të cilin Shqipëria ka humbur disa vende në klasifikimin global. Teksa problemet me pronat dhe investimet duket se kanë qenë shkaqet kryesore për të arritur në një përfundim të tillë. Kjo konfirmohet nga raporti vjetor për Indeksin e Lirisë Ekonomike në botë, botuar nga Fondacioni Heritage në bashkëpunim me gazetën “Uall Street Journal”, ku thuhet se rënia për Shqipërinë i atribuohet pikërisht dobësimit të lirisë në biznes, asaj fiskale dhe në investime. Konkretisht, në faqet e tij, Shqipëria klasifikohet si një vend me liri të moderuar ekonomike. Ndërsa në botë renditet relativisht lart, e 63-ta mes 186 vendeve të përfshira në studim, e krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria rendiet e 29-ta, mes 43 vendeve të Evropës. Ky klasifikim shënon një ulje nga një vit më parë, kur vendi ynë renditej respektivisht i 54-ti në botë dhe 25 në Evropë. Dhe kjo rënie, thuhet se është e para e shënuar në 5 vitet e fundit. Respektivisht, rënia e përgjithshme për Shqipërinë është me 1.2 pikë,  me rënien më të ndjeshme të shënuar në kategoritë e biznesit, asaj fiskale dhe të investimeve. Nga ana e saj, Natasha Srdoc, themeluese dhe kryetare e Institutit të Adriatikut për Politika Publike, analizon të përfundimet e raportit për vendet e Evropës. Ajo thotë se në Shqipëri, rënia e lirisë fiskale, i atribuohet pikërisht rritjes së taksave. Ato personale u rritën nga një taksë e sheshtë 10% në 23% dhe ato të korporatave shkuan në 15%. Pra, ky ndryshim, e uli nivelin e lirisë fiskale për Shqipërinë”, sqaron ajo. Ulja në këtë drejtim është 5.5 pikë në krahasim me vitin 2014, duke arritur një vlerësim prej 87.2 nga maksimumi prej 100 pikësh, që Srdoc thotë se është gjithsesi një shifër e lartë po ta krahasosh me rezultatet për liritë e tjera ekonomike dhe me vendet e tjera, ku në shkallë botërore Shqipëria radhitet e 36-ta. Thuhet mes të tjerash, se një rënie e ndjeshme prej 7.5 pikësh vihet re tek liria e biznesit. Në raport thuhet se pavarësisht nga reformat e kohëve të fundit, mjedisi jo efiçent i biznesit ende pengon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Ku konkretisht, për të hapur një biznes duhet të kalosh mesatarisht përmes 5 procedurave por marrja e liçencave të nevojshme mund të dojë 200 ditë dhe kjo thotë Srdoc e ul ndjeshëm lirinë e biznesit”. E në fund, ajo thotë se rënia ka ndodhur për shkak të rezultateve të raportit të Bankës Botërore ‘mbi lehtësinë e të bërit biznes’.Në këtë kategori duhet të jemi të shqetësuar sepse kjo tregon se sa biznese të reja do të hapen dhe sa vende të reja do të hapen”, sqaron ekspertja Srdoc. Dhe sipas saj, fusha ku duhet të përqendrohet më shumë Shqipëria është ajo e shtetit ligjor, që përfshin të drejtën e pronës dhe  korrupsionin.Që do të thotë shtimi i masave mbrojtëse për të drejtat e pronës dhe çrrënjosja e korrupsionit politik në qeveri dhe ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë”, saron gjithashtu ky studim. Ku për të dyja këto fusha, pronat dhe korrupsioni, vlerësimi është ndër më të ulëtit mes 10 kategorive të lirive ekonomike, megjithëse përsa i takon gjendjes së korrupsionit është shënuar një përparim i lehtë. Nga 100 pikë të mundshme, Shqipëria vlerësohet me 30 për të drejtat e pronës, në vend të 94rt nga 186 vende dhe 31 për gjendjen e korrupsionit, në vend të 118. Me këtë vlerësim, Shqipëria llogaritet mes vendeve pa liri për këto kategori.

SHKARKO APP