Liza Laska, aktorja e roleve të mëdha, shpirti i bukur që e shndërroi misionin e nënës në tempull arti

Albert Vataj_Liza Laska, aktorja që e shndërroi misionin e nënës në tempull arti
Albert Vataj_Liza Laska, aktorja që e shndërroi misionin e nënës në tempull arti

Nga Albert Vataj

Tradita e artit tonë skenik ruan në kujtesën e saj gurët e çmuar që kanë ngritur themelet e kësaj godine shpirtërore, aty ku zëri i gruas u bë jo vetëm pjesë, por frymë dhe dritë. Kontributi i tyre nuk ishte thjesht një prani, por një akt përkushtimi që i dha skenës dinjitet, besueshmëri dhe emocion. Ato gra, që sfiduan paragjykime dhe pengesa, bartën mbi vete misionin e vështirë të artit si përjetim i jetës dhe lirisë. Me fisnikëri dhe guxim, me shpirt të ndezur e zemër të përvëluar në emocion, ato ngjallën në skenë heroinën, motrën, nënën, gruan, duke e bërë artin pasqyrë të ndjenjës dhe të jetës.
Në këtë galeri të ndritur që historia jonë ruan si një amanet të çmuar, një nga figurat emblemë është padyshim Liza Laska.
E lindur në Vlorën e brigjeve, më 6 shkurt 1926, ajo do ta kishte artin si fat dhe si kryq. Qysh në rini shfaqej e brishtë e njëherësh e fortë: këndonte, kërcente, por mbi të gjitha e ndiente se skena ishte vendi ku zemra e saj prekte përjetësinë. Në vitin 1946 ajo hyn në trupën e Teatrit Popullor të Tiranës, e më pas bëhet një nga themelet e teatrit profesionist të Korçës. Atje, në qytetin e serenatave dhe të teatrit, ajo krijon një botë të re, duke dhënë role që mbetën gur themeli i asaj tradite. Pas vitit 1962, kthehet në Vlorë, ku bëhet aktore e parë e teatrit profesionist të qytetit të saj, duke mbajtur mbi supe peshën e më shumë se 60 roleve të plota dhe dhjetëra të tjerave episodike.
Por ajo që e bëri Liza Laskën të pavdekshme nuk është numri i roleve, por shpirti me të cilin ajo i mishëroi ato. Në teatër dhe kinematografi ajo nuk ishte thjesht aktore: ajo ishte nëna e të gjitha trevave shqiptare, gruaja që duron e vuan, që shpreson e sakrifikon, që mban mbi supe peshën e humbjes dhe fisnikërinë e dashurisë. Në rolet e saj u gdhend me realizëm epika e nënave që përcollën bijtë drejt lirisë, tragjedia e grave të dhunuara nga koha dhe zakoni, dhe finesa e një femre të emancipuar që di të mbetet e fortë.
Në filmat shqiptarë, ajo u bë figurë qendrore: nëna e dhembjes te “Shtigje lufte” (1974), Mara e paharruar te “Dimri i fundit” (1976), roli që i dha Medaljonin e Festivalit; gruaja e thjeshtë, e brishtë, e dashur te “Lulëkuqe mbi mur”, “Guna mbi tela”, “Në prag të lirisë”, “Vendimi”, “Gurët e shtëpisë sime”, duke e kthyer jetën e përditshme në poezi, dhe dramën e saj në art.
Loja e saj kishte atë vërtetësi të rrallë, që lind vetëm kur aktori nuk improvizon, por jeton personazhin. Në zërin e saj të ngrohtë e melodioz ndihej intonacioni i butë i së folurës labe; në sytë e saj, qetësia e dhimbjes; në trupin e saj, stoicizmi i grave shqiptare. Ishte një art i pasur me dramacitet, por i butësuar nga lirizmi, një art ku përshkënditeshin finesa, ndjeshmëria dhe dashuria.
Për këtë kontribut të gjerë, Liza Laska mori titullin “Artiste e Merituar”, por nderimi i saj më i madh mbetet dashuria e publikut, që e kujton si figurë të shenjtë të teatrit dhe kinemasë sonë. Ajo nuk u shua kurrë nga kujtesa, sepse u bë më shumë se aktore: u bë simbol i nënës shqiptare të sakrificës, i gruas që sfidon kohën, që përballon fatin, që ndan dhimbjen dhe dashurinë.
Kontributi i saj është një gur i çmuar në mozaikun e artit tonë kombëtar. Ai është kujtesë dhe udhëzim, sepse përmes figurave si Liza Laska, arti shqiptar jo vetëm që u ndërtua, por edhe u bë më njerëzor. Në çdo skenë ku ajo qëndroi, në çdo rol që ajo mishëroi, ndihet e pranishme një e vërtetë: arti i saj ishte jeta, dhe jeta e saj ishte art.
Ajo mishëron shembullin e grave që me pasion, këmbëngulje dhe sakrificë ngjitën artin shqiptar në shkallë të larta. Liza Laska mbetet një ikonë e teatrit dhe kinematografisë, një zë i shenjtë i nënës në artin tonë, dhe një kujtesë e gjallë e fisnikërisë së femrës shqiptare, që përmes artit përjetëson jetën dhe dhimbjen, dashurinë dhe shpresën.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?