Llalla: Po hetojmë ministra dhe ish-ministra

Le të flasim për ngjarjen e ditës së martë, ku humbën jetën 4 vetë dhe i dyshuari kryesor është Kostandin Xhuvani, djali i ish-deputetes Xhuvani, si dhe i përshirë djali i një kolegut tuaj. Çfarë mund të na thoni për dinamikën e ngjarjes?

Ishte një ngjarje e rëndë, ku humbën jetën katër persona. Që në momentet e para të ngjarjes janë shoqëruar tre të dyshuar. Në aspektin personal ndaj dhimbjen më të thellë me familjarët e viktimave, ndërsa në atë profesional siguroj familjarët dhe gjithë shtetasit se Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Shtetit po kryen të gjitha veprimet hetimore, me intensitet, për të vënë para drejtësisë përgjegjësit.

Në aktpadinë që do të dorëzoni nesër në gjykatë, masa që do të kërkoni do të jetë ‘burg pa afat’?

Pa diskutim.

Prokuroria dukej se nuk kishte asnjë dyshim se kush ishte autori i ngjarjes…

Lidhur me këtë ngjarje ka pasur hetime intensive në vendin e ngjarjes që vërtetojnë përgjegjësinë e shtetasit Kostandin Xhuvani. Kjo tregohet nga të gjitha veprimet hetimore që janë kryer pas arrestimit.

Zoti Llalla, thoni se nuk keni asnjë dyshim për dinamikën e ngjarjes. Është provuar se i dyshuari ka qëlluar për të vrarë të 4 personat?

Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se shtetasi Kostandin Xhuvani është kthyer në lokal për të qëlluar dy personat, ndërsa nga të dhënat e hetimit ka dyshime se dy të tjerët kanë vdekur në mënyrë aksidentale.

Thuhet se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një armë tjetër… Arma ka qenë e një prej viktimave?

Dyshimet janë të tilla që ka qenë e njërit prej viktimave.

 

Po lajtmotivi i ngjarjes?

Debatet mes palëve kanë lindur pasi i akuzuari i ka kërkuar drogë palës tjetër, që ishte duke konsumuar lëndë narkotike. Kjo ka shërbyer në fillimin e konfliktit, që më pas është përshkallëzuar.

Ndalemi tek terrorizmi ndërkombëtar, më saktë ISIS. Realisht, sa e përfshirë është Shqipëria në furnizimin e terroristëve dhe në luftën kundër tij?

Së pari, Shqipëria si anëtare e NATO-s ka përgjegjësitë e saj dhe ka detyrimet e saj për të mbështetur Aleancën në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Njëherazi, edhe legjislacioni shqiptar parashikon ndëshkimin e personave që ndihmojnë terrorizmin ose e ushtrojnë vetë atë. Kemi arrestuar një sërë personash.

Arrestuat edhe dy imamë, ku janë hetimet për këtë rast?

Hetimet ndaj këtyre personave janë drejt përfundimit dhe do të çohen në gjykatë. Pak raste janë sërish në hetim. Fakt është që në Shqipëri konstatohet një tkurrje e këtij fenomeni dhe një stepje për të mos iu bashkuar.

Të ndalemi tek personat e përfshirë në rekrutimin dhe financuesit. Të çfarë kategorie janë financuesit?

Biznesmenë.

Opozita ka patur akuza konkrete ndaj disa prej përfaqësuesve të PS si të inkriminuar dhe të përfshirë në trafik droge dhe prositutcioni. A ka indice për këto akuza?

Prokuroria vepron mbi bazën e provave dhe fakteve. Nëse një shtetas apo një institucion ka dyshime për përfshirjen e një individi në veprimtari kriminale, atëherë ka detyrimin ta referojë në Prokurori.

Në bazë të ligjit bëhet fjalë për një shtetas që është dënuar dhe është “pastruar”. A ka raste të tilla?

Ka raste të tilla.

Ku janë hetimet e vrasjes së bankierit Santo, një ngjarje e rëndë e ndodhur në qendër të Tiranë?

Hetimet e prokurorisë vazhdojnë me intensitet të lartë duke kërkuar mirëkuptimin tënd nuk mund të jap më tepër detaje për këtë ngjarje. Po ka mjaft pista ku dyshohet dhe që priten rezultate konkrete.

A keni në dosje tuaja hetimet për zyrtarë të lartë të qeverisë së sotme?

Kemi dosje të zyrtarëve të lartë. Në nivel ministrash dhe ish-ministrash. Po hetojmë edhe ministra të qeverisë aktuale.

Po më thoni që keni një procedim penal ndaj një ministri aktual të qeverisë?

Hetimet kanë  lidhje me detyrën dhe një aktivitet aktual për çështje që nuk mund të japim detaje të mëtejshme.

 

SHKARKO APP