Llatja dhe Mazniku në Gjinar: Angazhim maksimal për rrugët, shërbimet dhe turizmin dimëror

Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit, Arbjan Mazniku, dhe kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, kanë qenë në Gjinar për të ndjekur nga afër situatën e krijuar nga temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës, si dhe për të monitoruar nga terreni masat e marra për përballimin e kushteve të vështira të motit.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat paraprake për pastrimin dhe kriposjen e akseve malore në territorin e bashkisë, të cilat janë mbuluar nga bora. “Kemi marrë të gjitha masat paraprake për ta bërë të mundur kriposjen e të gjitha akseve malore që janë mbuluar nga bora në Bashkinë e Elbasanit, ku edhe këtu në Gjinar vijon hedhja e skories. Edhe në këto ditë në vijim kemi marrë të gjitha masat paraprake, si për mjetet ashtu edhe për këmbësorët, që të mos kemi probleme”, tha Llatja.

Sipas tij, punonjësit e ndërmarrjes publike kanë qenë në terren gjatë gjithë natës së kaluar dhe vijojnë të jenë të angazhuar për përballimin e situatës. “Gjatë gjithë natës së djeshme, por edhe në vijim, punonjësit e ndërmarrjes publike kanë qenë në terren për t’i bërë ballë situatës, por edhe emergjencave shëndetësore, të cilat i kemi pasur prioritet absolut,” deklaroi kryebashkiaku.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ndërsa, drejtuesi politik Arbjan Mazniku theksoi rëndësinë e angazhimit maksimal të të gjitha strukturave në këto kushte atmosferike. “Në këto momente është e rëndësishme që të gjitha forcat të jenë të angazhuara në krye të detyrës, të jemi gati me fadroma dhe me skorie, me qëllim që të mos kemi probleme në qarkullim. Sot në Gjinar nuk ka asnjë dhomë bosh, të gjitha bujtinat dhe dhomat janë të zëna”, u shpreh Mazniku, duke shtuar se kjo e bën edhe më të rëndësishme garantimin e shërbimeve bazë.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Ne kemi punën tonë që akset të jenë të kalueshme, të ketë furnizim me ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Turistët që vijnë këtu duhet të jenë të pajisur me zinxhirë, pasi edhe në ditët në vijim pritet të ketë ndryshime të temperaturave, por e rëndësishme është që njerëzit ta shijojnë dëborën”, theksoi Mazniku.

Bashkia Elbasan bën me dije se të gjitha strukturat përkatëse janë në gatishmëri për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, sigurimin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike, si dhe garantimin e shërbimit shëndetësor për banorët e zonës. Banorët dhe vizitorët këshillohen të njoftojnë autoritetet për çdo problematikë që mund të hasin gjatë këtyre ditëve me kushte të vështira moti.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?