Lojërat e fatit, qeveria ua “shtrëngon” kushtet
Duke marrë në konsideratë situatën aktuale në Shqipëri lidhur me industrinë e lojërave të fatit, përmasat dhe pasojat që ajo sjell, qeveria ka hartuar së fundmi një projektligj të ri rreth tyre. Një nismë kjo, që sipas ekspertëve të saj, u konsiderua si domosdoshmëri për këto shkaqe: Informalitetit të lartë të evidentuar në këtë industri; Evazionit fiskal; Pasojave sociale negative te kategoritë e prekura dhe qytetarët; Moszbatimi i kuadrit ligjor nga subjektet dhe organet shtetërore, si edhe përafrimi i legjislacionit të lojërave të fatit me praktikat më të mira në këtë fushë. Në këtë kuadër, sipas tyre,ky projektligj synon të reformojë gjithë tregun e lojërave të fatit, duke e shndërruar atë në një aktivitet që do lidhet ngushtë me promovimin dhe zhvillimin e turizmit. “Me reformimet e propozuara synohet që, nëpërmjet zhvendosjes së kazinove nga qytetet në zonat turistike, të shndërrohet në një atraksion plus për turistët. Projektligji parashikon kushte dhe kritere të forta për subjektet që do të aplikojnë për marrjen e licencës për çdo kategori lojërash fati, si dhe për aksionerët e administratorët. Këto kritere, duke u shoqëruar dhe me tarifa për dhënie licence e numër të kufizuar pikash, do të bëjnë të mundur zvogëlimin e tregut të lojërave të fatit në vendin tonë, si dhe rritjen e cilësisë dhe të përgjegjshmërisë në zhvillimin e lojërave të fatit nga subjektet e licencuara”, sqarojnë gjithashtu ekspertët e qeverisë, në relacionin e projektligjit përkatës. Duke shtuar mes të tjerash edhe se një pikë e rëndësishme e këtij projektligji, është kufizimi në shtrirje territoriale i kazinove vetëm në zonat e përcaktuara për zhvillimin e turizmit. Konkretisht, sipas tyre, përsa u takon basteve sportive, është vendosur numër maksimal prej 500 sallash, me një distancë 200 metra larg njëra pikë nga tjetra, duke mos u lejuar subjekteve të zgjerohen pafundësisht. Kurse sa i përket çështjes së mbrojtjes së qytetarëve nga lojërat e fatit dhe mbrojtja e lojtarëve sipas parimit “Lojë me përgjegjshmëri”, ky projektligj, në të gjitha dispozitat e tij, bazohet mbi frymën dhe parimin e përgjegjshmërisë në zhvillimin e lojërave të fatit. Konkretisht, ai parashikon mjete ligjore për mbrojtjen e lojtarit/qytetarëve nga ushtrimi i këtij aktiviteti, duke parashikuar: Moshën minimale 18 vjeç, për lojtarët dhe të punësuarit në këto subjekte; Detyrimin e subjekteve për të mbajtur regjistrin e lojtarëve nëpërmjet identifikimit të tyre me dokument dhe regjistrimi i tyre; Moslejimin e ushtrimit të këtyre aktiviteteve pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë, duke respektuar distancat e parashikuara në ligj; Kufizimet mbi reklamimin e lojërave të fatit; Ndalimin e lojërave të fatit on-line dhe bllokimin e faqeve në internet; Kufizimin e së drejtës për të luajtur lojëra fati nëpërmjet kërkesës së vetë lojtarit apo të një familjari të tij.
LISTA
Kërkesat shtesë që duhen për
licencimin e lojërave të fatit:
Në mënyrë që shoqëritë e lojërave të fatit të kenë një historik aktiviteti të pastër për licencimin e shoqërive të lojërave të fatit, në projektligj janë parashikuar kërkesa shtesë, si:
• Përcaktimi i kritereve të aftësisë dhe përshtatshmërisë sipas parimit “Fit&Proper”;
• Licencë me afate kohore të përcaktuara;
• Tarifë fillestare dhe fikse licencimi;
• Zona dhe distanca të përcaktuara ku do ushtrohet ky aktivitet;
• Numër maksimalisht të kufizuar pikash sekondare për të ushtruar aktivitet /për çdo licencë;
• Kontroll në kohë reale nëpërmjet Sistemit Qendror të Monitorimit on-line (SQMO);
• Verifikim i pronarit të fundit përfitues të subjektit që aplikon për licencë;
• Verifikim me dokumentacion i historikut të marrëdhënies që ka aksioneri/ përfaqësuesi ligjor i shoqërisë me institucionet shtetërore.
KLAUZOLA
Kundërvajtjet administrative
Projektligji i ri për lojërat e fatit ka parashikuar masa administrative në varësi të kategorisë së shkeljes (kundërvajtjes) administrative. Ku gjobat e parashikuara janë 500 000 apo 1 000 000 lekë, në ndryshim nga ligji aktual që parashikon një masë gjobe në nivel prej 500 000 lekësh.
Garanci për shlyerje detyrimesh
Garantimi i shlyerjes së detyrimeve ndaj institucioneve shtetërore nëpërmjet një garancie bankare, nëpërmjet një garancie bankare. Sipas këtij projektligji, organizatori është i detyruar të ngurtësojë një fond prej 5.000.000 lekësh, për mbrojtjen e lojtarit, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit të Financave.Në përmbajtjen e projektligjit parashikohet detyrimi i organizatorit të ngurtësojë një fond prej 10.000.000 lekësh për pagesën e detyrimeve ndaj AMLF-së dhe organeve të tjera shtetërore në një llogari të veçantë bankare. Mosngurtësimi i fondeve të garancisë përbën shkak ligjor për moslicencimin nga AMLF-ja.
TË ARDHURAT
Për arsye se gjatë vitit 2015 do të kemi të hyra nga tarifat e licencimit sipas ligjit të ri, niveli i të ardhurave nga lojërat e fatit, në total, vlerësohet të jetë 4.1miliardë lekë. Ky vlerësim është bërë bazuar në të ardhurat e vitit 2013. Ndërsa për vitin 2016, sistemi i tatimit parashikohet të jetë plotësisht si përqindje ndaj së ardhurës bruto.