Lojërat e fatit, si do t’u “shtrëngohen” kushtet

Zbardhen detajet e rregullave të reja për licencimin dhe funksionimin e sallave të basteve, kazionve dhe lojërave të fatit në tërësi. Një nismë kjo e ndërmarrë së fundmi nga qeveria, pikërisht duke marrë në konsideratë situatën aktuale në Shqipëri lidhur me industrinë e lojërave të fatit, përmasat dhe pasojat që ajo sjell. Dhe që sipas ekspertëve të saj, konsiderohet si domosdoshmëri për këto shkaqe: Informalitetit të lartë të evidentuar në këtë industri; Evazionit fiskal; Pasojave sociale negative te kategoritë e prekura dhe qytetarët; Moszbatimi i kuadrit ligjor nga subjektet dhe organet shtetërore, si edhe përafrimi i legjislacionit të lojërave të fatit me praktikat më të mira në këtë fushë. Në këtë kuadër, sipas qeverisë, ky projektligj synon të reformojë gjithë tregun e lojërave të fatit, duke e shndërruar atë në një aktivitet që do lidhet ngushtë me promovimin dhe zhvillimin e turizmit. “Me reformimet e propozuara synohet që nëpërmjet zhvendosjes së kazinove nga qytetet në zonat turistike, të shndërrohet në një atraksion plus për turistët. Projektligji parashikon kushte dhe kritere të forta për subjektet që do të aplikojnë për marrjen e licencës për çdo kategori lojërash fati, si dhe për aksionerët e administratorët. Këto kritere, duke u shoqëruar dhe me tarifa për dhënie licence e numër të kufizuar pikash, do të bëjnë të mundur zvogëlimin e tregut të lojërave të fatit në vendin tonë, si dhe rritjen e cilësisë dhe të përgjegjshmërisë në zhvillimin e lojërave të fatit nga subjektet e licencuara”, sqarojnë gjithashtu ekspertët e qeverisë, në relacionin e projektligjit përkatës. Duke shtuar mes të tjerash edhe se një pikë e rëndësishme e këtij projektligji, është kufizimi në shtrirje territoriale i kazinove vetëm në zonat e përcaktuara për zhvillimin e turizmit. Konkretisht, sipas tyre, përsa u takon basteve sportive, është vendosur numër maksimal prej 500 sallash, me një distancë 200 metra larg njëra pikë nga tjetra, duke mos u lejuar subjekteve të zgjerohen pafundësisht. Kurse sa i përket çështjes së mbrojtjes së qytetarëve nga lojërat e fatit dhe mbrojtja e lojtarëve sipas parimit “Lojë me përgjegjshmëri”, ky projektligj, në të gjitha dispozitat e tij, bazohet mbi frymën dhe parimin e përgjegjshmërisë në zhvillimin e lojërave të fatit. Konkretisht, ai parashikon mjete ligjore për mbrojtjen e lojtarit/qytetarëve nga ushtrimi i këtij aktiviteti, duke parashikuar: Moshën minimale 18 vjeç, për lojtarët dhe të punësuarit në këto subjekte; Detyrimin e subjekteve për të mbajtur regjistrin e lojtarëve nëpërmjet identifikimit të tyre me dokument dhe regjistrimi i tyre; Moslejimin e ushtrimit të këtyre aktiviteteve pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe institucioneve të arsimit të lartë, duke respektuar distancat e parashikuara në ligj; Kufizimet mbi reklamimin e lojërave të fatit; Ndalimin e lojërave të fatit on-line dhe bllokimin e faqeve në internet; Kufizimin e së drejtës për të luajtur lojëra fati nëpërmjet kërkesës së vetë lojtarit apo të një familjari të tij.

 

 

 

SHKARKO APP