Lufta e Dytë Botërore, një histori në shifra
(70-vjetori i fitores së njerëzimit mbi fashizmin)
Nga Nikolla Sudar*
Më 9 maj 2015, i tërë njerëzimi përparimtar do të kremtojë me madhështi 70-vjetorin e fitores mbi murtajën fashiste. Kudo po organizohen veprimtari të shumta përkujtimore për të mos harruar asnjëherë atë fitore famëmadhe, që e shpëtoi njerëzimin nga rreziku më i madh në historinë e tij.
Pak histori:
Partia famëkeqe naziste, “NSDAP”, u krijua në vitin 1919 dhe shpejt do të bëhej frymëzuesja, organizuesja dhe realizuesja e katastrofës më të madhe në historinë e njerëzimit. Simboli ideologjik i kësaj partie do të bëhej “kryqi i thyer”(svastika), i cili më pas u përfshi në emblemën e shtetit Gjerman të Rajhut III, zbërthimi kuptimor i të cilit flet vetë. Në qendër ndodhet kryqi, smbol i krishterimit (ndonëse nazistët i shkelën me këmbë të vërtetat e shenjta të fesë). Kryqi ka katër zgjatime dhe secili ka përmbajtjen e vet: zgjatimi i parë simbolizon “anisemitizmin” ose luftën kundër hebrejve; zgjatimi i dytë, simbolizon luftën kundër komunizmit; zgjatimi i tretë – luftën kundër sindikalizmit dhe kundër çdo lëvizjeje demokratike, ndërsa zgjatimi i katërt do të thotë luftë kundër popujve sllavë (kryesisht kundër atij rus). Demagogët e kësaj ideologjie e quanin popullin gjerman “racë e zgjedhur ariane, që duhet të sundojë botën”, por që i ishin bërë padrejtësi të mëdha nga Traktati i Versajës. Me një frymëzim të tillë paranojak vermahti hitlerian (ushtria pushtuese nazise), me repartet e vdekjes “SA”dhe “SS” në krye, në fillim në Gjermani e më pas në tërë Eropën, me zjarr e hekur u përpoq të vendoste “rendin e ri” në Evropë, ose triumfin e vdekjes mbi jetën.
“Të zinte llahtaria, – tregon një bashkëkohës, – kur shikoje ato fytyra nazistësh të deformuara nga histeria primitive dhe fanatizmi i çmendur për të zbatuar urdhrat antidemokratikë. Në të gjitha qytetet gjermane këta të lajthitur ngrinin pirgje me vepra të Gëtes, Hejnes, Shilerit etj, që i kishin sjellë lavdi kombit gjerman dhe u vinin flakën”. Euforia antihumane në fillim u derdh me të gjithë forcën e vet mbi vetë popullin gjerman: u godit çdo element komunist, socialist apo sindikalist; u godit i tërë minoriteti hebre (çifut), që jetonte në Gjermani (më pas edhe në të gjithë Europën); filloi asgjësimi fizik i të gjithë të sëmurëve psikikë dhe të tyreve me sëmundje të rëndë; u ndaluan martesat me ata që kishin të meta fizike si edhe me njerëzit me ngjyrë. Konkretizimi i tërë këtyre masave u bë ngritja kudo e kampeve të përqendrimit, ku u asgjësuan qindra mijëra të pafajshëm. Ekspansioni i hapur për “hapësirë jetike”, u bë deviza e regjimeve fashiste në Itali, në Gjermani e Japoni. Kapitullimi në Mynih, në vitin 1938, i diplomacisë angleze dhe franceze hapi rrugën për pushtimin e Evropës nga nazistët dhe fashistët.
Njëri nga vendet e para, që do të provonte agresionin fashist italian u bë Shqipëria. Mëngjesin kobzi të 7 prillit 1939, mbi 50 mijë trupa fashiste, të armatosura më së miri, të imbarkuara në dhjetëra anije lufte e të shoqëruara me mbi 400 avionë luftarakë, sulmuan dhe pushtuan Shqipërinë e vogël në jug të Ballkanit, me rreth 1 milionë banorë. Por populli shqiptar do t’u rezistonte me heroizëm hordhive pushtuese fashiste e naziste dhe do të bëhej i pari vend, që do të çlirohej me forcat e veta.
Pas pushtimit të pjesës më të madhe të Evropës, duke shkelur pabesisht “Traktatin e mossulmimit”, më 22 qershor të vitit 1941 nazistët gjermanë do të kryenin agresionin me të madh të të gjitha kohëve kundër Bashkimit Sovjetik. Mbi 190 divizione (që përfshinin miliona ushtarë dhe oficerë), të pajisur me teknikën më moderne të kohës nga e gjithë Evropa, u sulën për të pushtuar vendin e pamatë sovjetik dhe për të robëruar popujt e tij.
Hutimi i diktatorit Stalin ditët e para të agresionit qe i jashtëzakonshëm. Ai u mbyll në vilën e tij dhe (ndërsa vendi digjej e shkrumbohej) për ditë tëra nuk pranoi të komunikonte as me shokët e tij më të afërt. Vetëm pas afro dy javëve nga sulmi, Stalini iu drejtua popujve sovjetikë nëpërmjet radios. I çuditshëm dhe i pajustifikueshëm ishte besimi i tij naiv ndaj rrezikut real nazist, ndonëse informatat alarmante i vinin nga të gjitha drejtimet. Ky paradoks do të gjente pasqyrim edhe në gazetën prestigjioze “Izvestia”. Me një miopi të pafalshme, më 14 qershor të vitit 1941, vetëm një javë para agresionit, ajo deklaronte: “… jo vetëm BS, por edhe Gjermania respektojnë pa ndërprerje marrëveshjen sovjeto-gjermane të mossulmimit”.
Synimi i strategëve nazistë bëhet më se i qartë po t’u referohesh “planeve strategjike sekrete afatgjata”, të hartuara me porosi të Hitlerit, monstrës më gjakpirëse, që ka njohur njerëzimi. Kërkesës së tij, mbi synimin e “strategjisë” për të ardhmen e popujve sovjetikë, kasapi i Evropës, ministri i Brendshëm nazist Himmler, iu përgjigj: “Pushtimi i Rusisë (i BS) është çështje kohe. Nga 150 milionë banorë që ka ky vend, 100 duhen zhdukur, ndërsa 50 milionët e mbetur do të bëhen skllevërit tanë, të cilët do të punojnë për begatinë dhe lavdinë e Rajhut III”. Kjo është arsyeja që krimet më të llahtarshme gjatë luftës u kryen në territorin sovjetik. Mijëra vëllime do të mbusheshin, po të përshkruheshin mizoritë e fashistëve nëpër të gjithë Evropën. Të rrënqeth “pohimi i sinqertë” i një titullari të lartë nazist, i cili në initimitet, për popullin martir hebre (izraelit) është shprehur:
“Hebrejtë duhet të zhduken për katër arsye. E para, ata kanë tradhtuar Birin e Perëndisë, Jezusin; e dyta, për fat të keq, janë racë e zgjuar dhe nuk duhen lejuar të rivalizojnë me racën tonë “ariane; e treta, sapo u krijua partia jonë Nacional-socialiste (naziste), ne ishim në një gjendje shumë të vështirë financiare. Mirëpo vetëm disa industrialistë si Kruppi, Messershmiti e ndonjë tjetër na ndihmuan, ndërsa bankierët dhe biznesmenët e pasur hebrej nuk na dhanë asgjë; e katërta, fushata antisemite, në fillim në Gjermani e më pas nëpër të gjithë Europën, na krijoi mundësi për sekuestrimin e pasurive të mëdha, të cilat shkuan në favor të fuqizimit të ekonomisë sonë më të zhvilluar në kontinentin e vjetër”. Kudo ku shkeli këmba fashiste solli vetëm vdekje dhe shkatërrime. Për ta mbytur Republikën e brishtë Spanjolle, në ndihmë të diktatorit Franko mbërritën njësi të posaçme gjermane dhe italiane, të armatosura me fjalën e fundit të teknikës ushtarake. Përveç shkatërrimeve të qyteteve dhe fshatrave paqësorë spanjollë, përveç pushkatimeve masive të njerëzve të pafajshëm, këta sadistë eksperimentuan politikën e “tmerrit total”. Avionë të rëndë nazistë të tipit “Junkers” hidhnin nga ajri arka të mëdha të mbushura me sy të nxjerrë, me hundë, veshë e gjymtyrë të prera njerëzish të ekzekutuar. Mizori makabre u kryen në të gjitha vendet, ku u vendos “Rendi i ri”, por kulmin e perfeksionimit të zhdukjes masive të njerëzve kanibalët nazistë do ta arrinin në kampet e llahtarshme të përqendrimit. Kjo është arsyeja që emrat Bukenvald, Dakau, Osviencim, Mat-Hauzen e shumë të tjerë rrënqethin edhe sot popujt e tërë botës. Miliona njerëz u ekzekutuan, u mbytën me gaz dhe më pas u dogjën nëpër krematoriume.
Por urrejtja mbarëpopullore do t’u jepte përgjigjen e merituar “armatave të pathyeshme teutone (gjermane)”. Beteja famëmadhe pranë Moskës do të thyente mitin e “pathyeshmërisë së ushtrisë naziste”, ndërsa beteja legjendare e Stalingradit, më e madhja në historinë e njerëzimit, do të vuloste disfatën e turpshme të hordhive kanibale naziste dhe do të shënonte tatëpjetën e vrullshme të tyre: përveç qindra mijëra të vrarëve, mbi 300 mijë ushtarë gjermane, i tërë shtabi i Frontit, që përbëhej nga disa dhjetëra gjeneralë, më në krye komandantin e tyre, feldmarshallin Fon Paulus, u dorëzuan.
Bijtë dhe bijat e lavdishme të popujve sovjetikë shkruan faqet më të shkëlqyera në betejat titanike për jetë a vdekje. Trimat e pavdekshëm si Aleksandër Matrasovi, Olga Kosmodemjanskaja, Musa Xhalil e shumë të tjerë, me në krye strategët legjendarë si Zhukovi, Sokollovski, Konjevi, Vatutini etj., në shekuj të shekujve do të kujtohen me respektin më të thellë. Njerëzimi përparimtar në jetë të jetëve do t’u jetë mirënjohës popujve të lavdishëm sovjetikë (sidomos atij rus), që shpëtuan botën nga rreziku më i madh i të gjitha kohëve, nga fashizmi. Hapja e Frontit II, më 8 qershor të vitit 1944 në Normandi (ndonëse duhej të ishte hapur qysh në vitin 1942), qe një ndërmarrje e jashtëzakonshme e forcave aleate. Trupa të shumta amerikane, angleze, të mbështetura dhe nga luftëtarët francezë i ndoqën hordhitë naziste gjer në Berlin. Me mijëra prej tyre ranë heroikisht, duke fituar përjetësinë në zemrën e popujve liridashës. Gjeneralët e shquar aleatë si Ajzenhaueri, Montgomeri, De Goli, Patoni e shumë të tjerë kanë zënë vend nderi në historinë e Evropës e të botës.
Por pasojat e kasaphanës së luftës së Dytë Botërore qenë të paimagjinueshme. E tërë Evropa u shndërrua në një gërmadhe, ndërsa humbjet njerëzore qenë të llahtarshme: BS humbi rreth 27 milionë njerëz, Polonia – rreth 7 milionë, ish Jugosllavia rreth 2 milionë etj. Popullsia martire hebreje u godit në mënyrën më drastike: mbi 6 milionë viktima të pafajshme pësoi ky popull martir. Nga numri i popullsisë dhe humbjet materiale edhe Shqipëria renditet në vendet e para në kontinent.
Por çudirat e jetës së sotme nuk kanë të sosur. Ato të habisin dhe të trondisin me paradokset e tyre, të cilat shpesh herë arrijnë gjer në çmenduri. Fjala është për rigjallërimin në shumë vende të tendencave dhe të organizatave neonaziste, të cilat evokojnë ato tmerre, ato masakra të dhjetëra miliona njerëzve dhe ato shkatërrime monstruoze, që pësoi Evropa për shkak të zbatimit të ideologjisë çnjerëzore fashiste. Është fatalitet të tolerosh, diku fshehur e diku hapur, këto forca të së keqes, të cilat gjithmonë do të mbeten rrezik aktual për lirinë e vërtetë dhe demokracinë e fituar me aq mund e sakrifica. Këto forca janë mbështetja kryesore e të gjitha akteve të tmerrshme terroriste, që sot, më tepër se kurrë, janë bërë rreziku më i madh për njerëzimin dhe po tronditin në themel paqen e arritur me aq gjak e sakrifica.
Por kur në mbrojtje dhe propagandimin e tyre deklarohen edhe personalitete, siç ka vepruar hapur ish presidentja e republikës Priballtike të Letonisë, z. Vajra Vike-Frejberg, atëherë “nostalgjia për të kaluarën heroike naziste” merr përmasat e një çmendurie të frikshme dhe është një ogur shumë i keq. Në këtë shtet “demokratik”, me rastin e 55-vjetorit të krijimit të divizionit famëkeq nazist letonez, “Vaffen SS”, i cili ka kryer krime të përbindshme (në radhët e tij kanë kaluar rreth 150 mijë meshkuj letonezë, që iu betuan për besnikëri Hitlerit), autoritetet e “civilizuara” të Letonisë lejuan përsëri legjionarët për të demonstruar nëpër rrugët e kryeqytetit të vendit, Riga dhe për të mbajtur një miting pranë monumentit të Lirisë. Por antifashistët e vërtetë, të veshur me uniformën me vija të të burgosurve nga kampet e përqendrimit, u përpoqën të pengojnë mbajtjen e metingut pronazist. Mirëpo për ironi të të gjithëve, “mbrojtësit e rendit të këtij vendi”, që e quan veten “demokratik”, u sulën me zell të madh, duke goditur dhe arrestuar antifashistët, që “guxuan” t’u kundërvihen forcave më regresive që njeh historia e njerëzimit. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe në këtë vend, kur ish kreu i shtetit, në mënyrën më cinike, duke shkelur mbi gjakun e miliona martirëve të vërtetë, i quan nazistët “heronj”, ndërsa kampin famëkeq letonez të përqendrimit Sallaspils, ku u masakruan disa dhjetëra mijëra të pafajshëm e quan “kampi edukativ i punës”. Ja çfarë ka deklaruar ajo kur ishte në pushtet:
“9 Maji është dita kur rusët shtrojnë mbi gazetë peshq të tiganisur, pijnë votkë dhe kujtojnë sesi pushtuan me heroizëm Letoninë… Ne dëshirojmë që rusët t’i shndërrojmë në letonezë”. Për fat të keq një revanshiste e tillë, siç është z. Vike-Frejberg konsiderohet njëra nga gratë më të shquara. Për vite me radhë ajo është marrë me veprimtari shoqërore si anëtare e “Këshillit të Evropës për tolerancë dhe respekt reciprok”, organizatë kjo joqeveritare, e cila merret “me përpunimin e iniciativave dhe të propozimeve për përmirësimin e situatës në sferën e tolerancës në Evropë”. Çfarë paradoksi antihuman!
Mjafton të përmendim vetëm një fakt tronditës: me pjesëmarrjen aktive të legjionarëve nazistë letonezë në territorin e këtij vendi, gjatë viteve 1941-1945 u ngritën 46 burgje, 23 kampe përqendrimi dhe 18 geto për hebrejtë, ku gjetën vdekjen 313.798 njerëz të pafajshëm dhe 330.032 ushtarë sovjetikë të zënë robër. Ky është ai realitet i hidhur, por shumë kuptimplotë, që duhet të revoltojë cilindo njeri të ndershëm, pavarësisht nga bindjet e tij politike.
Fataliteti i dekadave të kaluara nën diktaturën komuniste nuk duhet marrë aspak si pretekst për të denigruar luftën heroike të popujve kundër bishës naziste, gjë që aty këtu nxjerr kokë. Nuk mund të ketë emancipim të plotë dhe progres pa gjykim objektiv. Shumë kuptimplotë janë dy fakte që kanë bërë jehonë në të gjithë botën.
Pas Kongresit XX të PK(b) të BS (me përjashtim të Shqipërisë), filloi një fushatë e ethshme kundër kultit të individit të Stalinit. Kërkesës këmbëngulëse të Moris Torezit, sekretarit të përgjithshëm të PK të Francës, për t’i hequr emrin “Stalingrad” njërit prej bulevardeve të Parisit, heroi i rezistencës franceze, antikomunisti i vendosur, por shumë objektiv, gjenerali famëmadh De Gol, iu përgjigj: “ … po të mos ishte arritur fitorja madhështore në Stalingrad, edhe sot e tërë Evropa do të lëngonte nën robërinë naziste”. Mjaft domethënës është akti madhor i presidentit të Gjermanisë gjatë vizitës së tij në Izrael, para disa vjetësh. Ky burrë i shquar shteti, që nga kneseti (parlamenti izraelit), në emër të popullit gjerman i kërkoi falje popullit martir hebre për fatkeqësitë e mëdha që i shkaktuan nazistët gjatë luftës së Dytë Botërore. Ky akt i lartë humanist u prit me entuziazëm nga e gjithë bota përparimtare. Sot kur më tepër se asnjëherë tjetër më shumë vende vihet re gjallërimi i terrorizmit, si pararendës i fashizmit, më tepër se kurrë tingëllojnë aktuale fjalët profetike të antifashistit internacionalist çek, Julius Fuçik, i cili, duke iu drejtuar njerëzimit me litar në grykë, tha: “Njerëz, ju kam dashur, jini vigjilentë!”.
*Historian dhe përkthyes.