Lufta e ftohtë nis në Beograd

A do të ketë Luftë të Dytë të Ftohtë?…

Pyetja e rëndë është varur dhe peshon gjithë diplomacitë e përparuara të botës.

 

Luftë të Dytë të zjarrtë nuk do të ketë më. Lufta e Dytë mbaroi atëherë kur nisi Lufta e Parë e Ftohtë. Në Shqipëri, komunistët e përkujtojnë si fitore të tyre. Natyrisht, sepse ishte lufta që ngriu akullin mes dy botëve dhe solli diktaturën komuniste në njërën botë.

 

A ka Luftë të Tretë?

Papa Françesku ka thënë se “Lufta e Tretë gia po zhvillohet”. Të tjerë, përveç filozofëve që nuk po dëgjohen tashmë, nuk kanë folur me këtë gjuhë.

 

Por Luftë të Dytë të Ftohtë, mesa thonë protagonistë politikë, do të ketë. Ata thonë se do të jetë e shpejtë. Kur thonë politikanë, kjo besohet më shumë se kur e thonë filozofë. Sepse politikanët e kanë në dorë, sidomos Luftën e Ftohtë e kanë plotësisht në dorë. Aq shumë e kanë në dorë, saqë politikanët mund të ngrijnë akull mes dy fshatrave e jo më mes dy anëve të globit.

Edhe dy politikanë periferikë, madje politikanë diletantë, si Rama i Tiranës e Vuçiç i Beogradit, mund të shkaktojnë një thërrime të Luftës së Ftohtë. Ashtu sikurse edhe ndodhi para pak ditësh, kur një kacafytje gjelash në Beograd tronditi të paktën dy vendet fqinj. I tronditi siç trondit marrëzia.

 

Megjithatë, në periferi të kësaj vogëlsie, disa burra të tjerë, politikanë të vërtetë, kanë parë se po afrohet “kometa” e një Lufte të Dytë të Ftohtë.

 

Mesa duket, numri i Luftërave do të barazohet në dy: Dy Luftëra të Zjarrta dhe Dy Luftëra të Ftohta.

Vetë njëri nga protagonistët e mbarimit të Luftës së Parë të Ftohtë, para pak ditësh tha se po shikonte Luftën e Dytë tek po afrohej si hije e rëndë. Mihail Gorbaçov, presidenti i Bashkimit Sovjetik, që uli përdhe Luftën e Ftohtë dy dekada më parë, një javë të shkuar tha se po shikonte përsëri Luftë të Ftohtë. Pas pak ditësh, të njëjtën gjë deklaroi kryeministri i Australisë, Tony Abbott. Edhe ai tha se po shikon Luftë të Ftohtë….

 

Çudia ishte pse dy burra shteti, dy politikanë të mëdhenj e të vërtetë (jo si këta dy gjelat e Tiranë-Beogradit), u bashkuan në të njëjtën pamje. Madje këta dy burra ndodhen në dy cepa të globit, jo njëri në cep të kopshtit e tjetri prapa shtëpisë, siç ndodhi në Ballkan. Por reagimi i kryeministrit Abbott paska pasur edhe një arsye tjetër: Sot, e shtunë 15 nëntor, në Australi mblidhet Samiti i G20. Domethënë sot, në G20 do të ndodhet edhe Rusia e përfaqësuar nga presidenti Putin. Para ardhjes së tij, bash në Australi u deklarua frika e një Lufte të Ftohtë. Rusia është ajo pjesë kulmore botërore që do të përfaqësojë njërën anë të Luftës së Ftohtë. Bota tjetër është pjesa tjetër.

 

Mbrëmë Putin u prit me një ftohtësi shumë të madhe në Samit. Të shikojmë çfarë do të ndodhë sot në Samit. Do të ketë akull, apo jo?…

 

Megjithëse bëhen shumë e shumë pyetje të tjera rreth akullit në mes dy pjesëve të botës, përsëri fillimi i akullnajës do të mbetet Beogradi.

 

Ja çfarë pyetjesh bëhen, konkretisht:

 

E para, çfarë do të ndodhë me vizitën e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë në Moskë? Frank Walter Steinmeier do të udhëtojë të martën drejt Moskës. Kjo është vizita e parë e një rangu të tillë gjerman pas krizës së Ukrainës. A do të shuhet apo të vazhdojë Lufta e Ftohtë, e cila nisi pikërisht me Ukrainën? Pyetja nuk ka marrë përgjigje as gjatë Luftës së Dytë të Zjarrtë kur u takuan ministrat rus e gjerman. Pakti mes Ribbentrop dhe Molotov në kulmin e Luftës së Dytë, nuk e ndaloi aspak përgjakjen e Botës. Përkundrazi.

 

Pyetja tjetër:

Po akulli që u shkri në Samitin e Milanos para njëzet ditësh, çfarë solli? Solli përsëri akull. Edhe nga uji i akullit të shkrirë krijohet përsëri akull, madje shpesh një akull më i keq. Në Samit, kancelares Merkel iu desh të deklaronte se “me Putin nuk kemi grindje”. Atë ditë mes Putin dhe Poroshenkos së Ukrainës u nënshkrua marrëveshja për furnizimin me gaz. Putin, me këtë akt solli pak flakë për të ngrohur  udhëheqësen gjermane, por vetëm një flakë. Ai i tha Europës se do t’i jepte gaz sa për këtë dimër. Thuajse si në fshatra ku dikush i jep dikujt pak miell sa për të kaluar një natë me bukë për fëmijët. Merkel mbeti e dëshpëruar, por u detyrua të shfaqej “e gëzuar”.

 

Tani edhe ajo flakë e vogël gazi thuajse është shuar. Akulli mes Putin dhe pjesës tjetër të botës, Perëndimit, është krijuar nga uji i akullit të shkrirë.

 

Pyetja e tretë:

Vallë si do të zgjidhet konflikti në Ukrainë?

Rusët kanë hyrë me trupa ushtarake në Ukrainë. Është shkelur e bërë copë-copë marrëveshja e paqes. Madje avionë luftarakë rusë shkelën hapësirat ajrore të Europës. Dy ditë pasi u grindën dy politikanë fals në Ballkan, bash dy ditë më vonë, trupa ushtarake ruse u afruan deri në kufi me Kosovën e pavarur… Çfarë po bëjnë, vallë duan të frikësojnë precedentin e krijimit të shteteve të pavarur në këtë epokë?…

 

Askush nuk di deri tani. Veçse një gjë dihet mirë: Politikanë të lartë po flasin për Luftë të Dytë të Ftohtë.

 

… Puna e këtyre shënimeve të mia sot është jo realisht Lufta e Ftohtë. Sepse ajo merr rrugë për shkaqet e veta. Por vallë si do të vendoset shenja në hartë se “këtu filloi Lufta e Dytë e Ftohtë”? Për këtë punë janë këto shënime….

Druaj se kjo pikë do të jetë Beogradi. Jo druaj, por do të jetë Beogradi; nëqoftëse Lufta e Ftohtë do të ketë fillim, ky do të shënohet në Beograd.

A nuk shikoni se kudo tjetër bëhet një shenjë dhe fshihet të nesërmen. U fshi në Milano, po fshihet në Kiev, po fshihet në Australi…. Vetëm grindja e dy kryeministrave në Beograd (Shqipëri-Serbi), ka mbetur e shënuar. Të gjithë flasin për këtë.

 

Jo vetëm pse thjesht flasin. Por se asnjëri nga “dy çunat e Ballkanit” nuk kuptoi pse i kishte angazhuar kancelarja Merkel në planin e Ballkanit. Ajo i kishte mbledhur kokë më kokë me qëllim që t’i tregonte Putinit se “në Ballkan nuk shkel ti, por ne evropianët”. Në fakt, përmes grindjes, si ky shqiptari kryeministër ashtu edhe serbi kryeministër, dëshmuan se janë prishës në këtë punë. Në grindje nuk mund të jenë me pjesën e Evropës. Njëri përmendi fjalën “prerje në besë”; por që të dy prenë në besë Perëndimin, duke i hapur rrugë Putinit…

 

Arsyeja e dytë pse Lufta e Ftohtë do të mbetet e shënuar se filloi në Beograd, është arsyeja e kotësisë. Luftërat e ngarkojnë atmosferën derisa sa atmosfera pëlcet në një kotësi. Bota është ngarkuar kaq shumë, por në Beograd ishte një kotësi. Fraza e kryeministrit shqiptar se “Kosova është realitet” është një frazë që nuk e përsërit më asnjë nxënës i fillores në botë. Mësuesi do t’i thoshte: “Mos na përsërit të njëjtën gjë, e dimë këtë”. Një frazë tashmë e mbetur bosh, qëkurse bota e Perëndimit e kishte bërë realitet.

Bash në këtë rast, kur ka kotësi, shënohet edhe piketa se kur dhe ku filloi Lufta. Si me Sarajevën në Luftën e Dytë, si me kokën e Hoxhës në kufirin Greko-Shqiptar.

 

Shikoni, nesër bota mund të shënojë se në Beograd nisi Lufta e Ftohtë…

A do të mburremi, apo do të mbajmë peshë të kotë?… Kjo është çështja.  

SHKARKO APP