Macet në “shkuma – party”
Nga Mimoza Dajçi
Moli ka dy kotele, e madhja quhet Maja, ndërsa tjetra më e vogla Pisika. Janë mace të lezetshme e shumë lozonjare, por të dyja në moshën e adoleshencës. Me të gjithë luajnë e lodrojnë, saqë nganjëherë Moli bëhet xheloze e ankohet tek prindërit e saj se, ato duan më shumë njerëzit e botës, se sa vetë atë e pjesëtarët e tjerë të familjes. Prindërit i adoptuan macet kur ato ishin pesë dhe shtatë muajshe. Vogëlushja Moli i do shumë ato, i konsideron si lodrat apo motrat e saj, nganjëherë i urdhëron, i lan, i ushqen, por njëherë e ëma e kishte parë edhe duke i bërtitur.
– Jo Moli – i tha – nuk bën kështu. Ato nuk janë njerëz, që ti duhet ti urdhërosh e të sillesh me to si të duash. Sa më shumë përkëdhelje ti japësh aq më të dashura do të bëhen me ty, e do të dëgjojnë më shumë. Një ditë Moli, se ku kishte gjetur një litar në parkingun e makinës së babait dhe i kishte lidhur macet për fyti. Donte ti nxirrte shëtitje në parkun më të afërt të lagjes. Maja dhe Pisika mjaullisnin me të madhe "Mjau, mjau, mjau", por askush nuk po i shpëtonte dot. Të mjerat mace, me zor mernin frymë, po mos të kishte kaluar aty pranë polici i zonës, macet do të kishin ikur me kohë nga kjo botë.
– Çfarë bën kështu moj Moli – i tha ai – nuk e shikon që macet s'po marrin dot frymë e janë duke të ngordhur?
– Po, ja – tha Moli – unë dua që të dalin shëtitje me mua, por këto nuk më dëgjojnë. Një herë tjetër që i mora, ikën aq larg saqë me vështirësi i ktheva në shtëpi, prandaj sot i lidha me këtë litar. Polici ia hoqi maceve lakun nga fyti, i mori në krahë e vajti së bashku me Molin në shtëpinë e saj. I tregoi prindërve se çfarë kishte ndodhur dhe i këshilloi që të ushtrojnë kujdes në sjelljen e vajzës me macet. Moli e pranoi fajin dhe i kërkoi të falur prindërve dhe xhaxhi policit.
Duke parë këtë situatë Maja e Pisika vendosën "të arratisen" nga shtëpia. Përfituan nga rasti që Moli e prindërit e saj po flinin, vunë në qafë bizhuteritë e hershme të gjyshes së Molit që ishte duke gërhitur, këpucët me taka të mamasë së saj, u lyen me makeup-in e Molit, morën kuletën me para të familjes e nxitimthi dolën në rrugë. Më në fund ishin të lira.
– Mjau, mjau, mjau!!! Hidheshin përpjetë nga gëzimi.
Ndiheshin të pavarura e të lumtura që Moli nuk do ti gjente më. Nuk do ti urdhëronte e ti trajtonte keq. Pale kur i lidhi për gryke me litar, sikur të ishin qen. Ato nuk do t'ja falnin kurrë asaj atë veprim kriminal… Të dyja për dore Maja e Pisika u nisën, por për ku, as vetë nuk e dinin. Sapo dita filloj të zbardhej panë një kamion ndalur buzë një trotuari që shkonte për në qytetin bregdetar, në fshehtësi ngjiten prapa rimorkios së tij. U mbuluan me mushama, poshtë saj ç'të shikonin, mrekulli. Arka e paketa me salçiçe, kremviçe, konserva peshku, vitamina, fustane të bukura, syze dielli e bojra flokësh. Destinacioni për ku ishte nisur shoferi ishte i largët, mbante të paktën nja katër orë nga banesa e tyre.
Pasi hëngrën mirë e mirë, patën kohë të lyenin flokët, të pispilloseshin e visheshin bukur. Bëje be se ishin ato, nuk njiheshin fare. Sa që edhe veten e tyre nuk po e njihnin dot. I futën edhe një sy gjumë, kur panë detin, e shoferin që zbriti për një kafe, menjëherë u hodhën poshtë, e vrapuan me të katra nga sytë këmbët. Kaloi një natë dy, një muaj, po endeshin rrugëve. Një mbrëmje dëgjuan diku një muzikë. Ngrenë kokën, lexojnë "Shkuma – Party". Ndalen, kishin dëgjuar për këtë lokal, por nuk kishin qenë ndonjëherë.
– Kjo qenka jeta – thanë – e jo ajo e jona mbyllur brenda katër mureve të shtëpisë nën hyqmin e Molit, e duke gjuajtur minj. Si fillim e nisën me birrë, pastaj morën pije të ndryshme, kërcyen e u lagën me shkumë gjithë natën deri sa u kënaqën.
– Uaa! – tha Maja – të paska dalë boja e flokëve moj Pisika, hajde të ikim.
– Uaa edhe ty Maja!
Kur panë në pasqyrë njëra tjetrën filluan të qeshin me të madhe. Mendtë po i merreshin, të voglës i vinte edhe për të vjellë. Kot nuk thonë "Kur pi edhe macja uthull". Nejse…Por sapo bëjnë të dalin të dyja macet nga dera e banjos së lokalit, çfarë të shikojnë!!! Xhaxhi polici i zonës i priste përballë. Të dyja shtangën, nuk e prisnin, bënë ti largoheshin, por ai i kapi nga duart ku u vareshin bizhuteritë e gjyshes. I dërgoi në shtëpi. Molin e gjetën duke qarë, prindët e gjyshen të pikëlluar. Pasi i kërkuan të falur të gjithëve, i shkuan Molit pranë. Edhe ajo i kërkoi të falur dhe i premtoi se do të sillej mirë me ato. Që atëherë e deri më sot, Moli, Maja e Pisika konsultohen për çdo gjë me prindërit, e shkojnë shumë mirë me njëra tjetrën, si tre motra të rritura.
“New York”, gusht 2015