“Magjia e artit”/ William Etty, penelata joshëse dhe shpirti i kapluar nga delikatesa dhe epshi
Nga Albert Vataj –
William Etty i përket atyre piktorëve, që e pa, e ndjeu dhe e krijoi botën përmes fijëzave të zjarrta të pasionit dhe ndjenjës delikate të joshjes dhe epshit. Çdo trajtesë që merr shkas nga penelata e piktorit britanik, mjeshtrit më të famshëm dhe më të debatuar të gjysmës së parë të shekullit XIX, është e mbushur me dlirësi, hire dhe tundim kaplues.
Femrat janë të gjitha një rikrijim i përsosmërisë, një shëmbëllim i epërm i vetë krijuesit që derdhet përmes toneve, dritëhijes dhe ngjyrave, në telajot e një syri dhe zemre që zjarmoi.
Djalë i varfër nga Jorku nisi udhën e tij të tablosë duke kopjuar “përmendoret e famës” së mjeshtrave të penelit, nga Tiziani, Rubens, Poussin, Reynolds, dhe Lawrence. E gjithë krijimtari e tij është pikërisht ajo çfarë arriti të depërtonte deri në ndjesitë më të thella dhe dëshirimet më joshëse të Etty-it. Qasja ndaj tyre ishte një përulësi e mjeshtërisë dhe gjenialitetit të tyre. Ai ishte një zgjatim i asaj shkrepëtime zjarri që ata përshkënditën që qiellin e mraztë të kohës.
Cilësia epshore e çorapeve të holla William Etty ka ngjallur gjithmonë dyshime, debate, kritike, sikundër gjithnjë ai ka qenë i rrethuar nga një ëndje dehëse përjetimi. Përtej polemikave, fshikullimit të kritikës dhe puritanëve, ai është ngasës, përshkues dhe i adhuruar. Para punëve të tij thjeshtë je i goditur nda një ndjesi që të përpin.
Nuk është vetëm lakuriqsia, linjat perfekte të femrës, e kolmja e tyre dalldisëse, gjinjtë e kërcyer, por është një dritë, një dritë e derdhur në një spektër flakërues ngjyrash që të gozhdon si përpara një shastisje hipnotizuese. Sepse ky është arti, këtë magji rreket të përçojë tek secili nga ne peneli, ngjyra, loja me dritëhijen dhe misterin. Sepse ky ishte dhë është në pikturë, në art, William Etty.