Majorka, ishulli i 300 plazheve në Spanjë

Det, diell, por edhe zona të jashtëzakonshme natyrore të mbrojtura dhe një pasuri e rëndësishme kulturore

Majorka, më kryesori i ishujve Baleari, karakterizohet për kontrastet e saj: ka plazhe të bukur, male, fshatra dhe një peizazh karakteristik të veçantë. Majorka është e njohur edhe për prodhimet e saj gastronomike dhe zejtarinë tradicionale, sikundër për plazhet e saj të mrekullueshme, që janë thuajse 300 dhe që rrethojnë të gjithë ishullin, duke u shndërruar në një nga motivet kryesore për të cilin turistët nga e gjithë bota vendosin të kalojnë pushimet e tyre.

Të flasësh për Majorkën, do të thotë në fakt para së gjithash të flasësh për plazhe dhe 550 km e saj vijë bregdetare që rezervojnë një varietet të madh sa i takon peizazheve. Plazhet e mëdha turistike, me shërbime më të avancuara, gjenden në vend si Playa de Palma, El Arenal, Palmanova, Magaluf, Santa Ponsa e Alcudia.

Në jug ose në zonën e Migjornit, ka plazhe me rërë si Sa Ràpita o Es Trenc, ku peizazhi i dunave dhe i ujërave të ndritshme bien menjëherë në sy. Pikërisht aty ku kontrasti mes të bardhës dhe blusë brilante është spektakolare.

Plazhe dhe sport

Bregdeti është gjithashtu një nxitës i rëndësishëm për sportet e ujit. Portet kanë rëndësinë e tyre. Ndërsa sportet e ujit dhe loja e golfit është një nga më të përhapurat në ishull, përveç futbollit.

Ata që kërkojnë plazhe të qetë dhe familjare kanë një listë të gjatë për të zgjedhur, nga plazhet e  Sant Elm ose Levantes, deri tek ata që gjenden në veri-lindje të ishullit, si Arta dhe Capdepera. Pastaj ka plazhe të fshehura që mund të arrihet në këmbë.  Në të vërtetë Majorka ka zona madhështore natyrore të mbrojtura. Më e rëndësishme është padyshim Parku Kombëtar i arkipelagut Cabrera, që ndodhet në jug të ishullit.

Gastronomia dhe kultura

Për të njohur Majorkën, duhen shijuar edhe ushqimet. Si në Palma, ashtu edhe në çdo rajon tjetër, ka restorante, ku më spikaturat janë supa, fileto e mishit, derri me lakër. Majorka është gjithashtu një vend kyç për turizmin kulturor. Muzika, piktura dhe letërsia kanë gjetur gjithmonë frymëzim në këtë ishull, ku u dashuruan Chopin dhe George Sand.

Palma, një qendër historike e jashtëzakonshme

Palma, kryeqyteti, ka në vetvete atraksione të shumta. Së pari, qyteti është i vjetër, plot me pallate dhe monumenteve të shquara në aspektin arkitektonik, me rrugica piktoreske që ndodhen mes shtëpive, oborreve, kishave dhe ndërtesave. Simboli më i madh i trashëgimisë së Majorkës është padyshim Katedralja madhështore gotike e Santa Marias. Për t’u admiruar, jo shumë larg, ndodhet Pallati i Almudaina, rezidenca zyrtare e Mbretit të Spanjës, që e përdor gjatë qëndrimit të tij në ishull.

SHKARKO APP