“Makinë me një timon”, Tahiri ironizon Vasilin: Nuk e di pse të shkon mendja tek tahmaja
Kryetari i Partisë Socialiste të Tiranës Saimir Tahiri, shoqëruar nga kreu i bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj gjatë një takimi me banorë të njësisë numër 7 dhe 11, replikoi në distancë me kryetarin e LSI, Petrit Vasili.
Kryetari Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj pohoi se propozimi i opozitës për një “Republikë të Re” nuk mund të qëndrojë, pasi ajo përfaqësohet nga Lulzim Basha i cili gjatë katër viteve që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës nuk bëri asgjë.
“Para se t’ju vijnë deputetët e radhës të PD-së që s’kanë bërë asnjë punë dhe duhet të vijnë të tjerë se nuk kanë mbajtur llafin ata të tjerët, para se të vijnë, shiheni pak ekipin e tyre. Ekipi ynë është: Edi Rama që bëri Tiranën dhe sot po bën Shqipërinë. Ekipi i tyre është Lulzim Basha dhe Sali Berisha që shkatërruan Tiranën dhe Shqipërinë”, tha kyebashkiaku i Tiranës. Duke u ndalur te reformat e ndërmarra gjatë këtyre viteve ish-ministri Tahiri shtoi se shumë është bërë, por akoma më shumë punë duhet bërë ndaj vota duhet të shkojë për Partinë Socialiste në 25 Qershor.
“Ka shumë gjasa që këtu ka njerëz që thonë: Ok, keni bërë shumë punë për legalizimet. Po ka shumë gjasë që këtu të ketë akoma njerëz të tjerë që thonë duhet të bëni akoma më shumë punë për legalizimet. Unë e di që ajo shtëpia aty ku janë ato zonjat nuk i është bërë legalizimi. Edhe ku është ai djali, atje në kat të dytë nuk është bërë ende legalizimi. Ju përshëndes të dyve. Kini besim te ne dhe te Partia Socialiste. Shumë shpejt do bëhet legalizimi edhe për ju. Sepse qeveria jonë, e Partisë Socialiste dhe Edi Rama në katër vitet e ardhshme do t’i mbyllë legalizimet në çdo cep të Tiranës dhe në çdo cep të Shqipërisë”, shtoi ndër të tjera Tahiri.
Kryebashkiaku Veliaj ndërkohë ftoi të gjithë qytetarët pavarësisht bindjeve të tyre politike të votojnë Partinë Socialiste, pasi investimet e bëra në këto vite nga bashkia janë në shërbim të qytetarëve përtej bindjeve partiake.
“Ne nuk do humbasim asnjë moment që deri në datën 25 Qershor çdo votë edhe e demokratëve të shkojë për Partinë Socialiste. Ju mund të thoni: si mund të shkojë një votë e demokratëve për Partinë Socialiste? Ua them unë si: takojini komshinjtë demokratë dhe u thoni, a i shërbejnë njësoj edhe kalamajve demokratë edhe të socialistëve te ajo çerdhe? A i shërbejnë njësoj edhe kalamajve të demokratëve edhe socialistëve te ai kopësht? A i ndërtojnë njësoj lodrat edhe për kalamajtë e demokratëve dhe të socialistëve? A e bëmë sapo, gjithë bllokun e Doganave rehabilitim total me ujësjellës, me kanalizime me asfalt, me ndriçim, me gjelbërim edhe për demokratët edhe për socialistët?”, nënvizoi Veliaj.
Dje, Vasili u është përgjigjur deklaratave të socialistëve se ‘nuk mund të ketë më makinë me dy timonë’, duke nënkuptuar kështu dhe të ardhmen e koalicionit mes dy palëve. Me anë të një statusi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut, Vasili theksoi se këto teori i ka dëgjuar në referendumin e 1994-ën, ndërsa shtoi se ‘Fundi i makinave me një timon dhe pa frena ka qenë gjithmonë i njëjtë’.
(ed.me/BalkanWeb)