Malaj: Informaliteti? Ky është aksion, jo reformë

Ekspertët thonë se reduktimi i informalitetit është jetik për ekonominë kombëtare, por parlajmërojnë qeverinë se ka zgjedhur rrugën e gabuar.

“Nëse strategjia e qeverisë për ta reduktuar ekonominë informale ka në fokus, ose si instrument kryesor thjesht dhe vetëm penalizimin, atëherë ai ngjan më shumë me një aksion, sesa një reformë. Si i tillë nuk do të ketë rezultatet që priten dhe rezultate të qëndrueshme, por do të dështojë”, tha Arben Malaj, Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen.

Kurse për Zef Preçin, kjo rrit rrezikun, që forca ndëshkuese e ligjit të bjerë vetëm mbi bizneset e mbijetesës, ndërkohë që sipas tij, paratë e buxhetit grabiten nga një tjetër grup biznesesh, të cilat preferon t’i quajë oligarkë. 

“Evazioni nuk duhet kërkuar sipas meje, te shitësit e rrugës apo tek ajo pjesë e biznesit të vogël që del jashtë Tiranës, s’të japin fatura etj., që është realitet, por duhet kërkuar mbi të gjitha te kompanitë e mëdha vendase dhe të huaja, të cilat përdorin fuqinë e ligjit, ndikimin dhe përfaqësimin politik për të mbrojtur interesat e tyre dhe për fitime të paligjshme përmes faturave fiktive dhe formave të tjera”, tha Zef Preçi, Qendra shqiptare për Kërkime Ekonomike.
 
“Sidomos fitimi nga ekonomia kriminale që konkretizohet në kontrabandë, e cila me paratë e saj kanceroze vret ekonominë dhe politikën, është bërë jetike për vendin tonë”, vijoi më tej Arben Malaj.
 
Preçi mendon se përveç qartësimit të grupit, mbi të cilin do të drejtojë forcën e ligjit, qeveria duhet ta kishte përmirësuar më parë kuadrin ligjor, por edhe atë institucional.
 
Kjo besoj se realizohet përmes bashkimit të administratës tatimore dhe asaj doganore, sepse studime të ndryshme tregojnë se humbja, në kuptimin e grabitjes së taksave apo fshehjes së taksave dhe evazionit në tërësi, ndodh pikërisht në momentin e kalimit nga jashtë­brenda, pra nga doganat në tatimet dhe taksat”, sugjeroi Zef Preçi.
 
Kjo do të nënkuptonte sipas tij një tjetër radhë veprimesh, ku represioni do të ishte i fundit, pasi ndryshe kostot për ekonominë mund të jenë të larta.
 
“Në kushtet e krizës dhe rritjes së zhgënjimeve, jo vetëm për qeverinë aktuale apo jo vetëm për Shqipërinë, për një fenomen gjithnjë e më të pranishëm, sidomos te të rinjtë, i materializuar e konkretizuar edhe në braktisjen e vendeve të tyre, çdo aksion që synon rezultate afatshkurtra mbi politika penalizuese e rrit këtë fenomen dhe nuk e redukton atë”, deklaroi Arben Malaj.
 
Qeveria ka parlajmëruar se brenda pak ditësh do të nisë një operacion të gjerë kundër evazionit, i cili sipas saj,  përfshin 30 deri në 50 për qind të bizneseve.
 

SHKARKO APP