Malet që s’bëzajnë
Nga Haki Kola
“Oh si nuk kam një grusht të fortë/T’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë …”. Kështu shkruan Migjeni në vjershën “Recital i Malësorit”, rreth 70 vjet më parë, duke iu kundërvënë tradicionalistëve dhe himnizimeve që u bëheshin nga vjersha, gazeta apo shoqata, si “Ora e Maleve”, “Komiteti i maleve” apo “Lahuta e Malcisë”, duke u përpjekur të godiste një mendësi të tërë kanunore e mesjetare, që pengonte përparimin dhe emancipimin e njeriut shqiptar. Duke qenë ndër njëzet vendet më malore në botë, nuk mund të shmangim faktin se malet janë faktor që mund të begatojë jetën shqiptare. Malet strehojnë, ushqejnë, mbajnë borë dhe japin ujë. Mbajnë bimë e drurë dhe japin ngrohtësi e ushqim. Ushqejnë me ujë burime e lumenj, rezervuarë, hidrocentralet, kanalet që ushqejnë bimët e fushave. Strehojnë e ushqejnë një pasuri të pafund kafshësh, të egra e të buta. Të detyruar të ikin nga fushat, që nga pushtimet romake apo osmane, shqiptarët iu ngjitën maleve, kudo ku kishte kushte minimale mbijetese dhe qëndruan për shekuj midis tyre. Në vetmi e izolim, ata prodhuan në këto male, epose, mite e kanune. Bënë në male atë që të gjithë malësorët bënë. Por, në rrjedhën e historisë, në sjelljen me malin, pushtimi osman i ndau nga fqinjët Evropianoperëndimorë e i la vetëm. Mbetën vetëm duke krijuar një muze të gjallë natyror, që kur shkencëtarët e vendeve malore fqinje e zbuluan para dy shekujsh, mbetën të mrekulluar, duke shfrytëzuar një rast të pakrahasueshëm për të parë se si ata kishin qenë në mesjetën e hershme. Austriakët, italianët e Alpeve, apo të tjerë malësorë të Evropës, deri në Mesjetë në sjelljen me malin ecën pak a shumë në të njëjtën rrugë. Me fillimin e Rilindjes, ata u zgjuan e filluan të ndahen nga mitet e kanunet, u kthyen tek dija, shteti u qëndroi afër dhe, herë duke u mirëkuptuar e here duke luftuar me malësorët, u përcaktuan detyrimet e të drejtat e palëve, që mali të mbajë jo vetëm njerëzit, por të mbajë edhe tokën e tij, bimët, pyjet, kafshët, të cilat dalëngadalë filluan të pajtohen me njerëzit e të krijonin begati për ta. Mitet, kanunet, folklori e legjenda, me gjithë thesarin tjetër të trashëguar, u mbyllën në muze, të vendosur në ish-kështjella e manastire, duke tërhequr një numër të pafund vizitorësh nga gjithë bota e duke u shndërruar kështu përsëdyti një pasuri e paçmuar për malësorët evropianë. Ata u zgjuan dhe malin, me gjithë thesarin që trashëgoi nga e kaluara, e shndërruan në një mall shumë të preferuar, si për drurin që prodhon, ashtu edhe për shërbimin që i ofron tregut të turizmit, i cli ushqehet me historinë e maleve, bukurinë e peizazheve, folklorin, ujin, ajrin e çdo gjë të veçantë, që mali u ofron.
Ndonëse shteti po u afrohet të njëqindave, malet u tradhtuan, ata kanë mbetur simboli i ngrirjes dhe prapambetjes. Reformat agrare të iniciuara nga qeveritë në fushë, pothuaj e kanë lënë në harresë malin. Vetëm qeveria jetëshkurtër e Fan Nolit tentoi që në reformën e parë agrare, t’u jepte malësorëve, krahas tokës bujqësore, edhe pyllin e kullotën, aq sa t’u nevojitej dhe pjesën tjetër ta administronte shteti. Reformat agrare të mëpastajme e lanë mënjanë malin. Që ne vitet tridhjetë, Migjeni e ndjente se shteti ishte i vonuar dhe guxonte të sfidonte me “malin që s’bëzan”, pra me krejt mendësinë shqiptare, me idolet, kanunet, mitet, komplekset e paragjykimet e shtresuara shekull pas shekulli e të kthyera tashmë në një lëvozhgë të ngurtësuar, duke bërë thirrje për idè përparimtare, si dhe formula të reja për zhvillimin e maleve e të vendit.
Kur shteti pronar u rrezua, në vitin 1991, kanuni dukej i largët për atë gjeneratë, që aspironte demokracinë. Duke shfrytëzuar ligjin e privatizimit të tokës bujqësore, ata u kthyen te kufijtë që pleqtë kujtuan nga kanuni, por çuditërisht këtë nuk e lejonte ligji për pyll e kullotë. Nuk e lejonte dhe nuk tregonte se ç’duhej bërë. Shteti pronar ishte rrezuar e shteti i ri çuditërisht rrinte përsëri pronar i mbi 60 për qind të sipërfaqes së vendit. I papajisur me instrumente për të qenë pronar, pasojat e kësaj harrese qenë katastrofike. Malet u zhveshën, pasi pyjet u prenë dhe toka filloi të rrëshqiste e të gërryhej. Malësoret filluan të largohen në panik prej maleve e të vendosen spontanisht në fushë. Vit pas viti, vendi po humbet një pasuri të çmuar. Ka vetëm një formulë, e cila kërkon zgjim të maleve. Qeveria e parlamenti duhet të kuptojnë atë që komunitetet po bëjnë, duke u organizuar të përdorin pyllin e kullotën si pasurinë e tyre, të përkrahin mënyrën se si zgjedhin përfaqësitë e ndajnë në mes tyre të drejtat e përgjegjësitë. Ky proces 10 vjeçar, i përkrahur nga evropianët, është rrugë për t’i zgjuar e ndërtuar demokracinë në male. I duhet hapur rrugë zbatimit të formulës, duke filluar me rishikimin e ligjit për Pyjet, të diskutohet me malësorët e të gjendet varianti nga mund të fitojnë të gjithë, për të bërë komunitetet pronarë të maleve të tyre.