Maqedonia, një lojë e rrezikshme për destabilizim
Nga Agim Nesho
Maqedonia ka kohë që po ecën në një rrugë të rrezikshme dhe plot tensione sociale. Pushteti gjithnjë e më autoritar i kryeministrit Gruevski duket se po asfikson shoqërinë demokratike dhe jetën e vendit. Opozita është jashtë parlamentit që prej një viti dhe akuzon pushtetin për veprimtari të paligjshme, përgjime dhe presion.
Marrëdhëniet ndëretnike, mirëfunksionimi i të cilave bën të mundur ekzistencën e shtetit maqedonas, mbeten në funksion të pushtetit të ditës: Kur ka qetësi, ato përdoren për të treguar harmoninë ndëretnike; në kohë krizash politike, ato janë të parat që përdoren dhe akuzohen se sjellin destabilizim.
Dhe kjo ndodh për faktin e thjeshtë që Marrëveshja Kornizë e Ohrit shikohet nga elitat maqedonase si një kornizë pragmatiste zgjidhjeje e krizës politikës dhe jo si një themel mbi të cilën duhet të funksionojë shteti demokratik, i lirë dhe multietnik i Maqedonisë, ku shqiptarët për nga numri dhe historia janë element kushtetues i shtetit maqedonas. Por ata (shqiptarët e Maqedonisë) edhe pas 14 vitesh të Marrëveshjes historike të Ohrit nuk ndjehen qytetarë të barabartë të shtetit të tyre.
Të marxhinalizuar në administratën publike dhe të kufizuar në shanset e barabarta për punësim, të pabarabartë në ushtrimin dhe respektimin e të drejtave të tyre nga institucionet dhe drejtësia vendase, ata mbeten në limbon e zgjidhjes së këtij raporti të padrejtë me shtetin e tyre. Përfaqësuesit e tyre, përveçse janë të ndarë dhe të përdorur nga pushteti politik me poste dhe privilegje, nuk arrijnë të kenë një vizion dhe të punojnë me përkushtim për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve, përfaqësimin e tyre të barabartë dhe me dinjitet. Pak e kuptojnë rëndësinë e funksionimit të institucioneve demokratike në rritjen dhe fuqizimin e shtetit të tyre multietnik.
Po kujt i shërben dhe i duhet situata destabilizuese në vend?
Dyshimet e para për përfitim të situatës nga ngjarjet tragjike të Kumanovës bien mbi qeverinë Gruevski. Pavarësisht mungesës së fakteve për manipulim, ajo është përfituesja më e madhe e kësaj ngjarjeje. Manipulimet me ngjarje të tilla nuk janë të pakta në historinë ballkanike. Gruevski ktheu debatin për problemet e demokracisë së brendshme në rrezikun eminent që i kanoset ekzistencës së shtetit maqedonas, duke i mbyllur gojën opozitës dhe duke iu bërë presion shqiptarëve.
Ai kërkon të tejkalojë impassin institucional dhe mungesën e opozitës në parlament, duke kërkuar një konsensus të gjerë për çështjen e Maqedonisë dhe ekzistencën e shtetit të saj. Ai e njeh konjukturën ndërkombëtare dhe sensibilitetin e komunitetit ndërkombëtar që mbështet shtetin maqedonas, duke ruajtur balancat e nevojshme dhe ambiciet e vendeve ballkanike në funksion të stabilitetit rajonal.
Dyshimet e dyta për përfitim nga situata në Kumanovë bien mbi shërbimet dhe shtetet që kërkojnë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, me qëllim vonesën e integrimit të tij në institucionet euro-atlantike dhe lënien e këtij rajoni të hapur për influenca tradicionale. Rusia, Kina, Turqia etj., kanë interesa të mëdha të shprehura tashmë për Ballkanin, duke e parë atë si një rajon të lirë dhe të hapur për influencat e tyre, sesa si një zonë kompakte të Bashkimit Europian dhe të sigurisë perëndimore.
Ngjarjet në Kumanovë nuk kanë vetëm përfituesit e tyre, aspiratat e të cilëve nuk do të materializoheshin pa të manipuluarit e ngjarjes. Pa paragjykuar hetimet, përdorimi i individëve shqiptarë të Kosovës si stimulues të konfliktit tregon se qarqe të caktuara si në Ballkan ashtu edhe jashtë tij, duan të përdorin tezën e Shqipërisë së Madhe si një faktor për destabilizimin e Maqedonisë dhe Ballkanit.
Kosova si një shtet i ri ka nevojë për ndihmë dhe është e fokusuar në ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike të shtetit. Madje edhe retorika nacionaliste e Kryeministrit shqiptar është më tepër një deklaratë e një politikani të vetëvlerësuar që kërkon një “rol historik” në rajon sesa dëshmon një realitet për t’u marrë në konsideratë. Pa një platformë nacionaliste dhe një udhëheqës frymëzues, të ashtuquajturit kryengritës janë të paktë dhe të ndarë.
Pavarësisht interesave dhe naivitetit të të përdorurve, realizimit ose jo të aspiratave të tyre, disa konkluzione mund të dalin nga ky rast.
Së pari, për sa kohë raportet ndëretnike në Ballkan do të keqpërdoren në funksion të luftës politike apo përfitimeve të pushtetit, do të ketë lëvizje për të ekuilibruar këtë raport.
Së dyti, retorika dhe qëndrimet nacionaliste të liderëve të Ballkanit, edhe për qëllime elektoraliste të brendshme, mund të ndezin gjuhën e urrejtjes dhe prishjen e raporteve ndëretnike në shoqëritë multietnike dhe demokratike të Ballkanit.
Së treti, integrimi i shpejtë i rajonit në NATO dhe BE do të sjellë si rezultat minimizimin dhe zbutjen e kontradiktave që sjellin konflikt. Avancimi i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO është një masë e nevojshme në këtë rast.
Së katërti, Ballkani ka nevojë për funksionimin e institucioneve demokratike. Raporti midis stabilitetit dhe demokracisë duhet të funksionojë në favor të kësaj të fundit. Marrëveshjet e Daytonit dhe të Ohrit tregojnë se ato kanë qenë instrumente të nevojshme për arritjen e paqes dhe stabilitetit, por do të jenë gjithmonë e më problematike në qoftë se mungon demokracia funksionale.
MAPO