Marinsat në “Gjirin e Dosave”

Nga Mitro Çela

Kur ishte President Kenedi, në vitet '60-të nisi kriza kubaneze. Pas debateve pa bereqet midis Moskës, Uashigtonit dhe Havanës diplomacia u tërhoq mënjanë. Në plan të parë dolën gjeneralët. Në sekret të madh, ushtarakët hartonin planet e sulmit ndaj ishullit rebel të komandant Fidelit! Pikërisht në këtë kohë, Presidenti Xhon Kened bëri një takim me gazetarët. Pasi foli në përgjithësi dha këtë mesazh: -Këto ditë Amerika do të sulmojmë Kubën. Është në interes të kombit, që shtypi të qëndroi mënjanë. Çdo dalje e sekretit ushtarak në shtyp, përpara sulmit ushtarak, shkon në interes të Bashkimit Sovjetik… Dhe nisi zbarkimi i marinsave në “Gjirin e Dosave”. U pasua me një sulm masiv në “Plazhin Zhirom”. Paradoks! Amerikanët u mundën. Sulmi dështoi. Përsëri Kenedi midis gazetarëve. Deklarata. Pyetje. Përgjigje. Në fund Kenedi tha: -Është paradoks që media amerikane, pushteti i katërt, mbeti memece për ngjarjet që do të ndodhnin në “Gjirin e Dosave”!…-Zoti President! Ju na porositët të mos shkruajmë,- tha një gazetar!- Sot thoni të kundërtën. Është lapsus apo harresë?

-Kur thashë të ruani sekretin,- u përgjigj Kenedi,-unë bëra detyrën time si President. Detyra juaj si gazetarë është të shkruani. Dhe ju duhet të shkruanit. Duke pranuar mesazhin tim, humbët pavarësinë e pushtetit që përfaqësoni. Kush humbet pavarësinë, kthehet në vasal. Amerika nuk mund të eci përpara me pushtete vasale të njeri-tjetrit! Mesazhi i Kenedit, më vuri në mendime. Vrama mendjet për të gjetur përqasje…Rruga e Kombit në Shqipëri. Rruga “Ibrahim Rugova” në Kosovë. Të ndërtuar nga dyshja Bekter- Enka. Njëra kompani amerikane. Tjetra turke. Autostrada moderne. Njëra më e mirë se tjetra. Malet janë bërë fusha. Në Kukës mbërrin për një orë e gjysmë. Në Prizren për dy orë. Në Prishtinë për tre orë. Por rruga ka dy të këqija. Një burokratike. Disa ditë më parë u nisa për Kosovë. Pas një ore e gjysëm mbërrita në Morinë. Në kufi. Zgjata pasaportën. Më thanë se ka ndryshuar koha. Në Kosovë shkohet me kartë identiteti. U gëzova. Por gëzimi më mbeti në tentative. Për të kapërcyer të dyja pikat kufitare, kaloi një gjysmë ore. Ka ironi më të madhe, që, gazetarët janë kthyer në “zhurmues” të politikës, por harrojnë të “ulërijnë” për burokracinë në doganën e Morinës?

Fakti i dytë. Mbi Rrugën e Kombit ka “mbirë” një çiban. Është çarë asfalti. Është hapur një kanal që nis nga Durrësi dhe përfundon në Morinë. Brenda tij janë futur fije optike për rrjetin e internetit. Kanali është mbyllur. Në mënyrë të shëmtuar. Është bërë i rrezikshëm për makinat. Është “kancer” për autostradën. Ka rrezik të futet ujët. Dhe ujët është armiku më i rrezikshëm për një rrugë. Ndërtimi i “çibanit” nuk zgjati një ditë. As një javë. As një muaj. Gjatë ndërtimit mbi rrugë kanë kaluar gazetarë e kameramanë. Nga Kosova dhe Shqipëria. Por askush nuk vuri kujën! Askush nuk “zbrazi” mlefin mbi qeverinë që ditën me diell po gërryente Rrugën e Kombit. Vetëm kur u ça rruga, si kofini pas të vjellave, ndonjë gazetar foli. Kush e lidhi gjuhën? Kush e thau penën? Kush e “theu” kamerën?…

SHKARKO APP