Mario Balotelli në “luftë” me peshoren, në korrik kishte një peshë të frikshme
Mario Balotelli jo vetëm që nuk po arrin që të tregojë vlerat e tij te Italia, por ka një problem serioz me peshën. Pas akuzave të ish-sulmuesit të Juventusit, Boniok, i cili u shpreh se sulmuesi italian dukej sikur ishte 15 kilogramë mbi peshë, “L’Equipe” e ka ndjekur këtë çështje dhe ka zbuluar se gjatë muajve të verës Balotelli kishte shkuar në 100 kilogramë.
Në ditën e parë të përgatitjeve me Nice-n, ku u paraqit me 15 ditë vonesë për shkak të zërave të merkatos, sulmuesi iu nënshtrua testeve mjekësore dhe në peshore u shfaq shifra 100 kilogramë, 12 kilogramë mbi peshë.
Që atëherë ai nisi stërvitjen e fortë për të kapur formën optimale dhe në ndeshjen e parë zyrtare, më 31 gusht kundër Lionit, peshonte 94 kilogramë. Balotelli është ende larg formës së tij dhe kjo gjë u duk qartë në ndeshjen e Italisë me Poloninë, ku sulmuesi u kritikua për lojën e tij.