Marrëveshja e Rinasit, ja vitet që shtyhet koncesioni
Marrëveshja e re për ekskluzivitetin e Rinasit është depozituar për miratim në Kuvend. Marrëveshja sanksionon se nëse ndonjë aeroport, përveç Aeroportit te Kukësit, vihet në punë afati i koncesionit do të zgjatet për një periudhë që nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 vitesh në total.
Qeveria e Shqipërisë do të sigurojë se gjatë afatit të koncesionit, përveç aeroporteve të përjashtuar, nuk do të licencohet, autorizohet dhe as operohet aeroport tjetër, për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë), në një rreze prej 100 km (ajrore) nga Tirana International Airport “Nënë Tereza”me përjashtim të uljeve emergjente.
Asnjë kusht i kësaj kontrate nuk do të kufizojë përdorimin e ndonjë aeroporti në Republikën e Shqipërisë për qëllime të ndihmave humanitare ose të ndihmave emergjente në kohë katastrofash ose emergjencash civile në Republikën e Shqipërisë ose në territoret fqinje.”.
Ja drafti i plotë i marrëveshjes se re
PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË MARRËVESHJES
Qeveria e Republikës së Shqipërisë e përfaqësuar nga Ministria Transportit dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes (së bashku “Organi shtetëror i autorizuar”) dhe Tirana International Airoport (TIA) sh.p.k., kanë lidhur marrëveshjen fillestare të
koncesionit më datë 15 tetor 2004 (“Marrëveshja fillestare e koncesionit”) e ratifikuar me anë të ligjit nr.9312, datë 11 nëntor 2004, “Për miratimin e marrëveshjes së koncesionit për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Tirana International Airport “Nënë Tereza”, ndërmjet qeverisë së Republikës së
Shqipërisë dhe Tirana Airport Partners sh.p.k., si dhe dhënien e disa incentivave të posaçme kompanisë sipas marrëveshjes fillestare të koncesionit” (në vijim referuar si “Ligji i koncesionit të aeroportit”).
Data e fillimit siç është përcaktuar në klauzolën 3.5 (Data e fillimit) e marrëveshjes fillestare të koncesionit është identifikuar si 23 prill 2005. Qeveria e Republikës së Shqipërisë dëshiron të nxisë zhvillimin e aviacionit civil në Shqipëri.
Qeveria e Republikës së Shqipërisë, sipas klauzolës 2.3 (Ekskluziviteti), paragrafi “c” i marrëveshjes fillestare të koncesionit do të sigurojë se gjatë afatit të koncesionit, asnjë aeroport tjetër për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë) nuk do të licencohet, autorizohet dhe operohet gjatë afatit të koncesionit në Republikën e Shqipërisë.
Kompania, në varësi të përmbushjes së kushteve dhe detyrimeve specifike nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, të përcaktuara në këtë ndryshim, ka vullnetin të heq dorë, në masën e përcaktuar në këtë ndryshim, nga e drejta e ekskluzivitetit për fluturimet ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë).
Të dyja palët kanë autoritetin dhe kompetencat ligjore për të nënshkruar këtë ndryshim, siç është parashikuar në mënyrë specifike në klauzolën 37.7 (Ndryshimet) të marrëveshjes fillestare të koncesionit.
Interpretimi
Në këtë ndryshim, të gjitha termat dhe përkufizimet e përdorura, përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në formë të shprehur në këtë ndryshim, do të kenë të njëjtin kuptim si termat dhe përkufizimet e përcaktuara dhe interpretura në marrëveshjen fillestare të koncesionit. Parimet e interpretimit të përcaktuara në klauzolen 1.2 (interpretimi) të marrëveshjes fillestare të koncesionit do të kenë të njëjtin efekt sikur të ishin përcaktuar në këtë ndryshim.
Kushte paraprake
Dispozitat e klauzolës 4 (Ndryshimi) do të jenë efektive vetëm në rast se: i. Sipas marrëveshjes së amenduar dhe rikonfirmuar të kushteve të përbashkëta të datës 28 mars 2008, lidhur ndërmjet Alpha Bank – Albania, Intesa Sanpaolo Bank Albania Sh.A, DEG – Deutsche Investitions- Und Entëicklungsgesellschaft MBH dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (së bashku “Huadhënësit kryesorë”) dhe kompania, secili nga huadhënësit kryesorë jep miratimin e tij të shkruar
për nënshkrimin e këtij ndryshimi nga palët; dhe ii. Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ratifikon këtë ndryshim (Qeveria e Shqipërisë do të njoftojë Kompaninë e cila më pas do të njoftojë Huadhënësit Kryesorë, menjëherë pas ratifikimit në fjalë).
Përkufizime
Përkufizimet e mëposhtme do të përfshihen në klauzolën
1.1 (Përkufizime):
“Aeroporte të përjashtuar”, nënkupton Aeroportin e Kukësit dhe Aeroportin e Vlorës.
Njoftim për Zgjatje”, do të ketë kuptimin që i është dhënë në klauzolën 2.2 (a) (Kohëzgjatja).
“Aeroporti i Kukësit”, nënkupton Aeroportin e Kukësit “Zayed Bin Sultan Al-Nahyan” (kodi aeroportual i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil ‘LAKU’) i vendosur në Kukës, Shqipëri.
“Operimi i një aeroporti të ri tregtar”, do të ketë kuptimin që i është caktuar në klauzolën 2.2 “a” (Kohëzgjatja).
“Aeroporti i Vlorës”, nënkupton bazën ajrore në Vlorë e vendosur brenda një rrezeje prej 20 km (ajrore) nga qendra e qytetit të Vlorës.
Afati
Palët bien dakord se fjalia e parë e klauzolës 2.2 (Afati) paragrafi “a” i marrëveshjes fillestare të koncesionit do të fshihet dhe zëvendësohet si më poshtë:
“a) Koncesioni jepet për një afat kohor prej 22 (njëzet e dy) vitesh duke filluar nga data e fillimit (“Afati i koncesionit”). Në rast se ndonjë aeroport apo aeroporte, përveç Aeroportit te Kukësit, fillon operimin për fluturime tregtare (që për këtë qëllim do të thotë data në të cilën kryhet fluturimi i parë tregtar) në
Republikën e Shqipërise përpara datës 23 prill 2025 (“Operimi i një aeroporti të ri tregtar”), afati i koncesionit do të zgjatet si më poshtë (zgjatja e afatit të koncesionit nuk do të tejkalojë limitin maksimal prej 4.5 (katër pikë pesë) vitesh në total)”.
Zgjatja e afatit të koncesionit sipas tabelës së mëposhtme do të aplikohet për rastin e parë të operimit të një aeroporti të ri tregtar pavarësisht numrit të aeroporteve të tjerë të cilët mund të fillojnë operimet brenda këtij afati kohor. Viti në të cilin aeroporte të tjerë vihen në funksion/operim
Zgjatje e afatit të koncesionit në vite
2016 4.5
2017 4
2018 3.5
2019 3
2020 2.5
2021 2
2022 1.5
2023 1
2024 0.5
2025 0
Palët bien dakord se kompania do të gëzojë të drejtën t’i bëjë të ditur, nëpërmjet një njoftimi në formë të shkruar, Organit Shtetëror të Autorizuar (“OSHA”) në një formë të pranueshme për kompaninë, zgjatjen e afatit të koncesionit në rast të operimit të një aeroporti të ri tregtar (“Njoftimi për zgjatje”).
Zgjatja e afatit të koncesionit do të bëhet detyruese dhe efektive me lëshimin e një deklarate të përbashkët njohjeje të palëve, e cila nuk do të vonohet pa arsye nga OSHA-ja (në çdo rast jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga njoftimi për zgjatje). Në rast se deklarata e përbashkët nuk lëshohet brenda 30 ditëve kalendarike nga njoftimi për zgjatje, vetë ky njoftim për zgjatje do të jetë detyrues për palët dhe i mjaftueshëm për zgjatjen e afatit të koncesionit. Për shmangie të çdo dyshimi, pavarësisht muajit të vitit përkatës në të cilin ka ndodhur operimi i një aeroporti të ri tregtar, palët bien dakord që operimi i aeroportit të ri tregtar do të konsiderohet të ketë filluar më datë 1 janar të vitit përkatës.
Për shmangie të cdo dyshimi, çdo operim i një aeroporti të ri tregtar duhet të jetë konsistent me kufizimet e ekskluzivitetit të përcaktuara në klauzolën 2.3 (Ekskluziviteti) të marrëveshjes fillestare të koncesionit të ndryshuar nga ky ndryshim.
Ekskluziviteti
Qeveria e Shqipërisë do të sigurojë se gjatë afatit të koncesionit, përveç aeroporteve të përjashtuar, nuk do të licencohet, autorizohet dhe as operohet aeroport tjetër, për fluturime ndërkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë), në një rreze prej 100 km (ajrore) nga Tirana International Airport “Nënë Tereza”
me përjashtim të uljeve emergjente. Asnjë kusht i kësaj kontrate nuk do të kufizojë përdorimin e ndonjë aeroporti në Republikën e Shqipërisë për qëllime të ndihmave humanitare ose të ndihmave emergjente në kohë katastrofash ose emergjencash civile në Republikën e Shqipërisë ose në territoret fqinje.”.
Për shmangie të çdo dyshimi, të gjitha paragrafet e tjera në klauzolën 2.3 (Ekskluziviteti) i marrëveshjes fillestare të koncesionit do të mbeten të paprekuara dhe të pandryshuara.
Detyrimet e qeverisë së Shqipërisë
Palët bien dakord se në klauzolën 5.2 (Detyrimet e qeverisë së Shqipërisë) paragrafi (v), i marrëveshjes fillestare të koncesionit do të fshihet dhe do të zëvendësohet me përsa me poshtë: “(v) Të sigurojë se gjatë Afatit të Koncesionit, përveç Aeroporteve të Përjashtuar, nuk do të licensohet, autorizohet dhe as operohet aeroport tjetër, për fluturime nderkombëtare tregtare (kargo dhe pasagjerë), në një rreze prej
100km (ajrore) nga Tirana International Airport “Nënë Tereza” me përjashtim të uljeve emergjente. Për shmangie të çdo dyshimi, asnjë kusht i kësaj Kontrate nuk do të kufizojë përdorimin e ndonjë aeroporti në Republikën e Shqipërisë për qëllime të ndihmave humanitare ose të ndihmave emergjente në kohë katastrofash ose emergjencash civile në Republikën e Shqipërisë ose në territoret fqinje.
Qeveria e Shqipërisë, përpara dhënies së investimeve apo ndihmës operacionale ndaj aeroporteve të tjerë, do të njoftojë kompaninë në formë të shkruar në lidhje me nevojën për këto masa ndihmëse kundrejt një aeroporti tjetër, duke e informuar kompaninë në lidhje me perspektivat afatmesme për përdorimin e aeroportit tjetër, natyrën, proporcionalitetin dhe përllogaritjen e masave ndihmëse të parashikuara si dhe efektin e mundshëm në përdorimin e infrastrukturës ekzistuese të Kompanisë.”
Për shmangie të çdo dyshimi, të gjitha paragrafet e tjera në klauzolën 5.2 (Detyrimet e qeverisë së Shqipërisë) të marrëveshjes fillestare të koncesionit do të mbeten të paprekuara dhe të pandryshuara.
Dispozita të Ndryshme
Ky ndryshim duke përfshirë preambulën e tij përcakton të gjithë marrëveshjen ndërmjet palëve në lidhje me objektin e tij dhe mbizotëron çdo marrëveshje apo mirëkuptim të mëparshëm të shkruar apo verbal si dhe çdo mirëkuptim apo marrëveshje aktuale verbale ndërmjet palëve në lidhje me këtë objekt. Ai përbën shprehjen e mirëkuptimit përfundimtar, të plotë dhe ekskluziv, të palëve në lidhje me çështjet e përshkruara në këtë dokument. Palët pranojnë se për lidhjen e këtij ndryshimi nuk janë bazuar në asnjë deklaratë apo garanci tjetër përveç atyre të shprehura në këtë ndryshim.
Garancia e qeverisë së Shqipërisë
Qeveria e Shqipërisë garanton dhe siguron në formë të shprehur se përveç ndryshimeve të përcaktuara në klauzolën 4 (Ndryshimi) të mësipërme, asnjë e/të drejtë/a (te) tjetër/a (e përfshirë në marrëveshjen fillestare të koncesionit), përveç rasteve kur është parashikuar ndryshe në formë të shprehur në këtë ndryshim, të dhëna në menyrë te vetme dhe ekskluzive kompanisë nga qeveria e Shqipërisë, nuk do të preket. – “Monitor”.