MAS: 1184 mësues tepër mbi nevojat që ka vendi

Ky është vetëm njëri nga rezultatet kryesore të raportit të inspektimit të burimeve njerëzore në institucionet e arsimit parauniversitar në vend, publikuar dje nga ministria e Arsimit dhe Sportit, e që konfirmon në fakt problematikat ekzistuese brenda tyre. Një situatë kjo, për të cilën vetë ministrja Lindita Nikolla ka pohuar se për zgjidhjen e saj do të zbatohen nisma të tilla provimi kombëtar për aplikantët për mësues, licencimi i të gjithë mësuesve dhe krijimi i një database kombëtare të mësuesve deri në qershor 2015 dhe krijimi i një programi të veçantë “Mësues për Shqipërinë” që do të mbështesë mësues që janë të gatshëm të shkojnë në zona të vështira për ato profile ku ka mungesë. Konkretisht, raporti i inspektimit përcakton brenda tij që deri në datën 30 dhjetor 2014, të realizohet një provim kombëtar për të gjithë aplikantët sipas profilit të tyre dhe qarkut të përzgjedhur. Ndërsa duke nisur që nga data 1 janar 2015, rekrutimi i mësuesve në rang vendi të bëhet vetëm sipas listës meritë-preferencë dhe në maj 2015, të realizohet përmbyllja e licencimit të mësuesve e në qershor 2015, krijimi i databasës së tyre. Gjihashtu, një risi e kësaj reforme është edhe fakti që në mars 2015 është parashikuar që të krijohet edhe një shkollë e veçantë për ata që aspirojnë të jenë drejtues shkolle. Teksa licencimi i posaçëm për ata që duan të jenë drejtorë, do bëhet më shtator 2015. “Kryefjala ka qenë dhe mbetet përmirësimi i shërbimit për 532 mijë përfituesit e drejtpërdrejtë në sistemin e arsimit shqiptar dhe ngritjen e një sistemi solid për të tjerët që vijnë.  Ndaj ne u angazhuam dhe realizuam inspektimin e plotë të cilësisë së burimeve njerëzore në shkollat tona, sepse asnjë reformë nuk është e mundur pa mësues që ofrojnë cilësi”, tha gjithashtu lidhur me inspektimin në fjalë, ministrja Lindita Nikolla. Duke përfunduar me faktin se duhet punuar për të transformuar realitetet, për të siguruar çdo prind e çdo nxënës se para çdo fëmije do çojmë mësuesit që ata meritojnë, duke ofruar cilësi në çdo shkollë.

Vlerësime të tjera

Kukësi është konstatuar si rrethi me përqindjen më të lartë, deri 30% të mësuesve pa arsim. Kurse qyteti i Peqinit me atë të mësuesve jashtë profilit deri 35% dhe më tepër sesa nevoja, deri në 20% gjendet në krye të listës Skrapari. Sakaq, sa i përket votimit mbi performancën e drejtorëve në punë, 26867 mësues në 1726 institucione arsimore parauniversitare, iu nënshtruan një votimi të hapur për ta. Ndërsa 345 mësues rezultuan me vlerësim të dobët nga 3064 mësues që u futën në testim.

Sikundër, u konstatua se ka edhe shkolla ku dy mësues edhe pse nuk bëjnë asnjë orë mësimi, paguhen me kohë të plotë. Apo ka shkolla ku punojnë 21 mësues, në vend të 14 të tillëve që duhen.

SHKARKO APP